RMV, u shtrenjtua çmimi i biletave ndër-urbane, qytetarët: Po pamundësohet jeta në këtë vend

Nga 15 shkurti, janë shtrenjtuar çmimet e biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane në Maqedoninë e Veriut, duke shkaktuar shqetësim serioz te studentët, punëtorët e gjithë qytetarët që janë shfrytëzues të transportit. Ata shprehen se jeta po bëhet e pa përballueshme në këtë vend, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët nga Kumanova, thonë se para pandemisë biletën për në Shkup e kanë paguar vetëm 100 denarë , ndërsa tani për 50% më shtrenjtë, pra 150 denarë, sipas tyre është një shtrenjtim shumë i lartë për një kohë shumë të shkurtër.

Eren Ali, student nga Kumanova për Portalb.mk, tha që pjesa më e prekur nga ky shtrenjtim i biletave janë studentët.

“Është shumë shqetësuese për neve si student që një shkuarje dhe ardhje në Shkup aty edhe ku studiojmë të na kushtojë 300 denarë, ndërkaq jemi shumë afër me qytetin e Shkupit. Subvencionet prej MASH-it nuk janë të mjaftueshme as për gjysmë muaji për udhëtimin tonë. Gjithqysh duhet të merren masa që këto çmime të ndryshojnë të paktën për studentët”, tha Ali.

Mes tjerash Ali tha që protestat duhet të jenë një ndër masat që duhet të ndërmerren, që këto çmime të kthehen në gjendjen normale.

“Ne si studentë dhe gjithë qytetarët duhet të protestojmë e mos të heshtim e të pranojmë këto çmime të larta për neve si studentë por edhe për gjithë qytetarët”, tha ai.

Ndërkaq, Sasho Ilievski, i punësuar në qytetin e Shkupit, për Portalb.mk, shprehi shqetësimin e tij që ky shtrenjtim i biletave është zhgënjim nga rritja e pagës minimale.

“Pagat minimale u rriten për 2800 denarë aq sa tani po e njëjta shumë shkon vetëm për biletën që duhet ta paguajmë më shtrenjtë. Çdo ditë 60 denarë më shumë më duhet të paguaj biletën për në Shkup, kjo është tallje me qytetarët, po ua rrisim pagat minimale anën tjetër rrisin çmimet për gjithçka”, deklaroi Ilievski.

Fatime Ameti qytetare nga Kumanova tha që dita ditës po vështirësohet jeta në këtë vend, dhe që nevoja për tu larguar nga vendi po rritet edhe më shumë se sa çmimet.

“Të gjithë kemi familjarë në shtetet Evropiane dhe kur flasim ata tregojnë që në shumë produkte çmimet janë shumë më lirë atje se sa te ne, ndërsa të ardhurat sa janë atje e sa janë te ne?. Kjo rritje e çmimeve pa ndalur për gjithçka, po e rrit nevojën që ne të largohemi nga ky vend, sepse po pamundësohet jeta këtu”, tha Ameti.

Stacioni Autobusave, Kumanovë
Stacioni Autobusave, Kumanovë

Çmimi i biletave është rritur edhe për linjën Shkup – Tetovë. Qytetarët për këtë linjë duhet të paguajnë 35% më shumë, ose, një biletë ka qenë 120 denarë, ndërkaq tani është bërë 160 denarë, apo 80 denarë më shtrenjtë duhet të paguajnë qytetarët për një shkuarje dhe ardhje në Shkup, nga Tetova apo anasjelltas.

Portalb.mk kontaktoi edhe drejtorin e agjencisë së autobusëve “Rule Turs”, Masar Omeragiq, i cili u shpreh se e kishin të patjetërsueshme të rrisin çmimet përndryshe do të kishin shkuar në humbje drejt falimentimit.

“Asnjëherë në historinë e Maqedonisë së Veriut çmimet e derivateve të naftës nuk kanë qenë kaq të larta, nuk kishim rrugëdalje tjetër, nafta u shtrenjtua, çmimet e rrymës u rriten, pagat minimale u rriten, çdo çmim u rrit ndërsa ne si kompani shkonim në humbje me ato çmime që i kishim. Përveç kësaj, nëse nuk do të kishim rritur çmimet shumë punëtor në kompaninë tonë do të kishin ngelur pa punë, e në fund edhe ne do ta kishim mbyllur kompaninë sepse nuk kishim fitim”, tha Masar Omeragiq.

Rule Turs
Rule Turs

Në pyetjen se a do të ketë hapësirë për studentët të ketë çmime të tjera, sepse ata janë kategoria më e prekur, të pa punë dhe kanë shpenzime të larta, Omeragiq tha që nuk i ndajmë qytetarët, për të gjithë ekziston mundësia e kartelave mujore.

“Ata që udhëtojnë çdo ditë mund të marrin kartela mujore, për të cilat ka lirime të veçanta në varësi të linjave”, tha ai.

Kujtojmë se, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ditë më parë njoftoi se shporta minimale sindikale për muajin janar të këtij viti është rritur për 770 denarë në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button