Drejt rrethit vicioz ose drejt ekonomisë rrethore

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. 

Malinka Ristevska Jordanova

Derisa Ballkani ende po mbytet në mbeturinat e veta, gjithandej në botë po zhvillohen koncepte të reja për të shpëtuar nga të njëjtat. Një prej koncepteve më të reja është ai i ekonomisë rrethore (cirkulare).

Për hir të vërtetës, bota e zhvilluar, edhe gjeneron gjithnjë e më shumë mbetje, ndaj ato duhet të trajtohen në mënyrë gjithnjë e më efikase. BE-ja gjeneron mesatarisht 1700 kg mbetje për banor në vit. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjenerohen rreth 1000 kg mbetje për banor. Sipas të dhënave të vitit 2018, në BE riciklohen më shumë se gjysma e mbetjeve (54.6%). Ripërpunimi i mbetjeve përfshin riciklimin, ripërdorimin, mbushjen dhe hedhjen ose përdorimin për qëllime të tjera ekonomike. Kështu, 37,9% e mbetjeve janë ricikluar, 10,7% janë përdorur për mbushje dhe derdhje, 6% për energji. Për Ballkanin Perëndimor vlerësohet se riciklohen vetëm 3% e mbetjeve. Edhe pse kjo është një shifër e dhënë në Udhëzimet e Komisionit Evropian për Zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, pyetja është se sa i saktë është ky vlerësim. sepse problem i madh në të gjithë rajonin është besueshmëria e të dhënave. Kështu, për shembull, në Maqedoni vitin e kaluar vetëm një e katërta e komunave (25,9%) kanë dorëzuar raporte në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për mbeturinat komunale, ndërsa pothuajse gjysma e komunave (49%) nuk kanë dorëzuar kurrë raporte vjetore, që përndryshe është detyrim ligjor.

Problemi i të dhënave është vetëm një nga dhjetë çështjet kyçe të identifikuara në një vlerësim gjithëpërfshirës për gjendjen me menaxhimin e mbetjeve në rajon, i përgatitur nga Komisioni Evropian dhe i publikuar si një raport i veçantë në vitin 2017. Edhe pse kanë kaluar pesë vjet nga ajo kohë, gjërat po ndryshojnë ngadalë, ndërsa dallimet mes vendeve nuk janë të mëdha. Mbetjet ende hidhen “në mënyrë të paligjshme”, kurse shumica e deponive janë nën standarde. Ligjet zbatohen dobët, kompetencat janë të ndara në mënyrë të paqartë, kurse kapaciteti administrativ është i dobët. Mbledhja e tarifave është e ulët dhe nuk ka qasje efektive për financim të shërbimeve të reja. Parimi i përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesve nuk zbatohet në mënyrë konskuente. Është e qartë se infrastruktura ekzistuese për grumbullim të mbetjeve në rajon nuk do të mundësojë përmbushjen e objektivave të BE-së për trajtimin e mbetjeve. Autorët konstatojnë se janë të vogla gjasat që masat ekzistuese të politikave t’i shtyjnë përpjetë materialet në hierarkinë e mbetjeve.

Figura: Hierarkia e mbetjeve
Figura: Hierarkia e mbetjeve

Pa zhvendosje të hierarkisë së mbetjeve, nuk do të jetë i mundur kalimi në ekonomi rrethore. Madje ekonomia rrethore (ose cirkulare) është përcaktuar në Ligjin e ri për Menaxhim me Mbetjet. Kjo nënkupton “ruajtje të vlerës së produkteve, materialeve dhe burimeve për aq kohë sa të jetë e mundur duke i kthyer ato në ciklin e prodhimit në fund të përdorimit të tyre, duke minimizuar ashtu gjenerimin e mbetjeve”.

Burimi: MMJPH
Burimi: MMJPH

Ekonomia rrethore është një nga pesë pikat kyçe në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, për këtë pikë, Plani Aksionar për zbatimin e Agjendës së Gjelbër parasheh vetëm shtatë, edhe atë aktivitete të parapara përgjithësisht. Disa prej tyre janë vetëm në nivel rekomandimi, si për shembull “përmirësimi i qëndrueshmërisë së prodhimit primar të lëndëve të para” apo “aplikimi i qasjes së një ekosistemi industrial…”. Ndërgjegjësimi i publikut do të stimulohet me fushatë në nivel rajonal. Për infrastrukturën parashikohet vetëm “progres i mëtejshëm në ndërtim dhe mirëmbajtje”. Sigurisht që është planifikuar edhe përgatitja e strategjive kombëtare për ekonominë rrethore. Tani për tani, është e sigurt se në nivel rajonal Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të zbatojë një projekt të veçantë “Iniciativa Rajonale për Mbështetjen e Ekonomisë Rrethore” (CERI), që tashmë ka filluar në tetor 2021. Krahas mbështetjes teknike në nivel strategjik dhe politik, ai parashikon investime në 10 projekte për ekonominë qarkore në rajon me vlerë 153 milionë dollarë.

Megjithëse Plani ynë i ri Kombëtar për Menaxhim me Mbetjet për periudhën 2021-2030 e njeh konceptin e ekonomisë rrethore dhe përpiqet ta zbatojë atë, të paktën në fusha të caktuara (për shembull mbetjet e aktiviteteve ndërtimore), do të nevojitet qasje e re, më gjithëpërfshirëse dhe më konsistente nëse duam ta kapim hapin. Kjo kërkon investime më të mëdha. Fatkeqësisht, investimet në mjedisin jetësor në vendin tonë janë në rënie – nga 8.394.465.590 denarë (136 milionë euro) në vitin 2018 3.911.333.000 denarë. (63.8 milionë euro) në vitin 2020 (sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave). Jo më pak i rëndësishëm është zhvillimi i masave të reja politike, të cilat do të stimulojnë ekonominë rrethore. Pa kapacitete më të forta në të gjitha nivelet, ndryshimi nuk do të jetë i mundur. Sigurisht, nevojitet edhe zhvillim i projekteve cilësore që do të jenë në gjendje të konkurrojnë për fonde, që tashmë janë të pakta në dispozicion, nga burimet ndërkombëtare. Në të kundërtën, do të sillemi përsëri në rrethin vicioz – vetëm të miratojmë strategji dhe plane të reja dhe për të ndryshuar ligjet, ndërsa situata të mbetet e njëjtë ose të ndryshojë shumë ngadalë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button