SASHK-u kërkon që paga e arsimtarëve të jetë 45 mijë denarë

Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) prej kohësh kërkon që pagat në arsim të harmonizohen me marrëveshje kolektive me pagën minimale në nivel kombëtar. Kjo çështje u bë sërish aktuale pas vendimit të ri të autoriteteve sipas të cilit paga minimale në vend do të jetë 18.000 denarë, transmeton Portalb.mk.

Jakim Nedellkov, i pari i SASHK-ut, ka paralajmëruar grevë nëse nuk gjendet zgjidhje e përbashkët me përgjegjësit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

“Kemi një tekst të marrëveshjes kolektive të përgatitur nga grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK-ut. Ajo që ne kërkojmë është harmonizimi me pagën minimale prej 18 mijë me kontrata kolektive, ajo të inkorporohet në kontratat kolektive, ku bazë për llogaritjen e pagës do të jetë paga minimale kombëtare. Duke qenë se paga minimale do të jetë 18.000 denarë, atëherë baza do të jetë 18.000 denarë, e cila do të shumëzohet me faktorin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës. Në këtë mënyrë do të shmanget barazuesi, që po rritet gjithnjë e më shumë tash e disa vite – njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, shpjegon Nedellkov.

Nedellkov thotë se ky model i përllogaritjes së pagave tashmë aplikohet në kulturë dhe shpreson se do të gjejë zbatim në arsim dhe mbrojtje të fëmijëve.

“Punonjësit në fushën e arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve meritojnë paga më të larta dhe duhet t’i marrin ato. Këto ditë do të takohemi me ministrin dhe do të shohim se çfarë do të vendoset. Rritje të pagave do të ketë, ndërsa rritjen e pagës do ta marrin nga prilli. Nëse nuk gjejmë zgjidhje të përbashkët, do të futemi në grevë. Sipas Ligjit për paga dhe marrëveshjes kolektive, pagat duhet të jenë shumë më të larta” shprehet decid Nedellkov.

Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e higjenistit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një higjenist në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë.

Disa muaj më parë u vendos rritja e pagave në arsim me 7%. Por dje ka reaguar Sindikata e Pavarur për Arsimin, e cila ka thënë se janë të shqetësuar për gjendjen socio-ekonomike të të punësuarve në arsim.

“Konsiderojmë se rritja e paralajmëruar prej 7% nuk ​​është në përpjesëtim me rritjen e harxhimeve të jetesës dhe si rrjedhojë ka pakënaqësi tek punonjësit në sektorin e arsimit, sidomos për shkak të diferencës së madhe mes pagës më të ulët për nivelin më të ulët me kompleksitet që është 10.000 denarë dhe paga minimale në nivel shtetëror e cila arrin në 18.000 denarë. Kërkojmë harmonizimin e marrëveshjeve kolektive dhe pagën minimale për nivelin më të ulët të kompleksitetit me pagën minimale në nivel shtetëror. Nëse nuk gjejmë mirëkuptim, do të fillojmë aktivitetet sindikale në mënyrë që të shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë me gjendjen e të drejtave të punëtorëve tanë”, thonë nga sindikata.

Ndryshe, më 7 shkurt u arrit marrëveshje me Lidhjen e Sindikatave dhe punëdhënësit në lidhje me kërkesën për pagë minimale prej 18.000 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button