Intervistë me Ognen Mitev – fussflow: Muzika kërkon ide, krijim dhe interpretim

Skena muzikore maqedonase vitet e fundit dëshmon për emra, stile, interpretues të rinj të cilët po e ndryshojnë dhe ripërtërijnë repertorin e saj. Producenti muzikor maqedonas Ognen Mitev është një nga muzikantët e rinj, i cili me aftësinë e tij në orkestrim dhe kompozim të këngëve krijon këngë të reja, ndryshe dhe të ndryshme dhe më e rëndësishmja, muzikë të re, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Deri më tani, Ogneni, i njohur si “fussflow”, ka nënshkruar një publikim të zgjatur, disa bashkëpunime dhe si shenjë e veçantë në të cilën ai përgjigjet në vend të emrit tij, ripërpunim i pop-hiteve maqedonase të krijuara në periudhën midis viteve ’70 dhe ’90 të shekullit të kaluar. Ogneni aktualisht jeton në Gjermani me familjen e tij, ndërsa profesionin kryesor e ka në fushën e TI-së, megjithatë muzikën nuk e lë kurrë jashtë përditshmërisë. Fillimet në muzikë i ka gjatë kohës si gjimnazist, atëherë i afrohet asaj më së shumti, kur fillon të luajë në grupe dhe instrumente të ndryshme. Në një bisedë për Meta.mk, ai e zbulon lidhjen e tij me muzikën, se si zhvillohet produkcioni dhe flet për dëshirën e tij të vazhdueshme dhe të mundimshme nëpërmjet cilës krijohet emri, shiritat me muzikë dhe projektet bashkëpunuese.

“Dashuria dhe pasioni për muzikën kanë qenë gjithmonë të pranishme edhe në vitet shkollore edhe si adoleshent. Fillova me kitarë në orkestrën shkollore të SHF “Hristijan Todorovski – Karposh”, që në atë kohë e drejtonte mësuesi im Angell Qosev. Më vonë në gjimnazin “Orce Nikollov” nuk kam pasur ndonjë aktivitet më serioz muzikën, ajo ka ekzistuar vetëm si hobi dhe kam luajtur “në shoqëri” dhe në shtëpi, por më kujtohet se në periudhën kur hyja në botën e TI-së pak më shumë dhe e bëra Hakintoshin tim të parë (variant i lirë i Mekintoshit) dhe fillova në Logic të bëj disa gjëra. Atëherë mendoja se kush e di se çfarë bëj. Më pas shkova në Kaliforni, ku e kalova një vit të shkollës së mesme dhe gjatë asaj kohe luajta në grupin e shkollës së mesme si perkusionist. Pas kthimit në Maqedoni dhe krijuam një grup në të cilin kam luajtur bateri për 7 vjet. U përpoqëm t’i bënim disa nga këngët tona në “të thatë”, por nuk ia dolëm. Fokusi ynë ishte në muzikën komerciale”, përkujtohet Ogneni.

Angell Qosev është një nga producentët dhe orkestruesit më cilësorë dhe me ndikim të muzikës që i mban mend skena vendase. Ogneni derisa i ka kompozuar këngët e tij të para, nëpërmjet seancave në viber, konsultohet me Angellin, këshillat e të cilit, siç thotë, kanë rëndësi të madhe për të.

“Edhe sot kam konsultime me Angellin dhe mendimi i tij do të thotë shumë për mua, ai është më shumë se 20 vjet në atë botë dhe mbi të gjitha ka shumë përvojë. Mbaj mend se pasi u shpërngula, ndodhi që të dy të jemi në Maqedoni dhe e kontaktova Angellin. Ai e ka studion e tij profesionale (“Podrum”) dhe shkova të shihemi pas shumë vitesh (ndoshta më shumë se 15 vjet). Dëgjoi disa këngë, më dha një këshillë dhe më tha “O çun,  hajde, e mirë është kjo, lëshoje, ç’pret”. Dhe e lëshova. Kënga ime e parë e aranzhuar që u publikua ishte nga  “Prince“ – “I would die for you“, e cila u nxit nga një mik këtu në Gjermani, Hator. Orkestrimi u bë, gjegjësisht bëra ndryshim të plotë – një remix të asaj kënge dhe e publikova”, thotë Ognen.

Shiriti i parë që e ka kompozuar, ku ai qëndron plotësisht si autor është “Wait for me now“.  Për të vazhduar krijimin dhe bërjen muzikë, kryesorët, siç thotë ai, janë Hator, i cili vjen nga Bosnja dhe i cili hobi kryesor e ka DJ, vëllai i tij Leon, muzikant i diplomuar, DJ Tose, Fitz (Blackstate), Petko Turner, kurse në fillim ka pas ndihmë nga FunaticFunk.

Xhirimet me Nina Janevën për Eurovision 2022 në studio, foto: arkiv personal
Xhirimet me Nina Janevën për Eurovision 2022 në studio, foto: arkiv personal

“Konsultat janë të rëndësishme, mendimi i të tjerëve është i këndshëm, por muzika është një gjë shumë subjektive. Ose ju pëlqen ose nuk ju pëlqen. Në fillim ua dërgoja versionet e para shumë të tjerëve nga ngazëllimi dhe gëzimi që kisha bërë diçka të re dhe nga të gjithë pranoja komente nga më të ndryshmet. Ndonjëherë ato komente më demotivonin shumë. Sinqerisht, shumë shpesh. Por, vazhdova më tutje, isha këmbëngulës dhe në fund mbetën disa njerëz me të cilët e ndaj vetëm produktin përfundimtar – këngën e përfunduar 90%, ose vetëm produktin përfundimtar. Unë me të vërtetë marr sugjerime konkrete dhe kuptimplota nga ata njerëz që ia vlen t’u kushtohet vëmendje dhe të bëhen korrigjime”, thotë Ogneni.

Ogneni ka luajtur në grupin “Bandover” së bashku me Dimen, Acen dhe Anën e më pas me ta është bashkëngjitur Emil Bakev kur kanë luajtur muzikë komerciale ose, siç thotë Mitev, “pop modern gjithçka që, në kuptimin e plotë të fjalës, është komerciale dhe nga ndonjë këngë që ishte në shpirtin e çdo anëtari”. Bërjen muzikë me grupin e kanë ndërpre, ndërsa ai zhvendoset, por, siç thotë, dëshira për të krijuar diçka në fushën e muzikës nuk u shua kurrë.

“Prushi që flakëronte vazhdimisht shpërtheu në vitin 2016 dhe më bëri të filloj të blej pajisje ngadalë e njëkohësisht të bëj muzikë. Bëja disa gjëra, eksperimentoja dhe e gjeja veten. Për gati dy vjet krijova disa zhanre të çuditshme dhe disa muzika dhe krejt kjo ishte WOW për mua. Tani kur dëgjoj se çfarë kam bërë qesh me të madhe, megjithëse ka disa elemente interesante. Në vitin 2018 bleva disa pajisje të tjera dhe fillova të punoj më seriozisht. Mësoja, shumë mësoja dhe shumë kohë i kushtoja edukimit. Gjatë pothuaj një viti, më shumë mësoja për produkcionin se sa që bëra produkcion. Kështu viti 2019 kaloi duke u edukuar dhe eksperimentuar, ashtu që në vitin 2020 kisha të gatshme 20 këngë. Secilës i mungonte diçka, por të gjitha ishin thuajse të përfunduara. Për të qenë më i saktë me përgjigjen, ndonëse ua prezantova pak rreth e rrotull të gjithë imazhin, ka vetëm 4 vite që punoj në mënyrë aktive dhe më serioze. Në shtëpi kam një pjesë të dhomës të destinuar për “studio të vogël” shtëpiake, e cila bën shumë më tepër se punë. Kur jam në Shkup mund të më gjesh shpesh tek Angelli në studion Podrum. Kohëve të fundit shumë shpesh ndodh që pothuajse secilën herë që vi në Maqedoni, brenda disa ditësh të regjistrojmë  diçka. Zakonisht vokalin e regjistrojmë në Podrum ku është në një nivel krejtësisht ndryshe nga ai i shtëpisë”, thekson producenti.

“Baterist në Marakana”, foto: arkiv personal
“Baterist në Marakana”, foto: arkiv personal

Deri tani nuk ka punuar me ndonjë kompani për produkcion, por këngët i ka publikuar përmes HatorRecords dhe Basspatrol Records. Sa i përket bashkëpunimit me shtëpitë e produkcionit, ai thotë se duhet vërtet shumë përpjekje, por beson se me vazhdimësi dhe këmbëngulje sigurisht do të arrihen disa rezultate.

Pseudonimin me të cilin ai i nënshkruan krijimet e tij e ka fituar disa muaj pasi kishte pas diçka gati. Ka dashur të arrijë diçka unike dhe të vetme, ndaj thotë se “Fuss” do të thotë diçka si zhurmë, tollovi, ndërsa “flow” rrjedhë, lëvizje. Bashkë emri e ka kuptimin Rrjedhë e Zëshme, e famshme apo diçka e ngjashme.Logo, arkiv personal

Logo, arkiv personal“Është e vërtetë që edhe krijimi i muzikës kërkon kohë, të cilën ndonjëherë nuk e kam. Unë punoj nga shtëpia, jemi me tre fëmijë në shtëpi, të gjithë kanë aktivitete jashtëshkollore që i ndjekin, kohën e familjes që kalojmë bashkë dhe thjesht aq është dita. Ama, nga ana tjetër, dashuria, dëshira dhe pasioni për muzikën janë të mëdha. Janë ata që në njëfarë mënyre bëjnë mrekulli (jo vetëm në muzikë) që të ndodhin dhe të bëjnë të motivohesh dhe të bësh atë që duhet bërë. Nuk kam ndonjë shabllon pune me orare konkrete të punës, thjesht punoj kur të më vjen, përveç kur këngën e kam pothuaj gati, për sa kohë ta përgatis deri ne fund dhe nuk kam version final, atëherë në atë këngë punoj në çdo sekondë të lirë. Mendoj se sot është shumë më lehtë të bëhet muzikë. Ka shumë vegla dhe pajisje që nuk kërkojnë shumë aftësi. Duhet kohë që ato vegla të mësohen për të krijuar muzikë, ndërsa kushtet janë një laptop, një kartë muzikore dhe kufje. Megjithatë, ndjesia kur luani diçka në një instrument drejtpërdrejtë është shumë e ndryshme, është më e thellë dhe më emocionale se sa lupat e mostrave. Për frymëzim, i çuditshëm është frymëzimi (hahah) dhe nuk e di nëse mund të them se çfarë më frymëzon më shumë. Kam momente kur marr frymëzim nga hiçi në orën 8 të mëngjesit pasi pi kafe, ndonjëherë një bisedë në shtëpia, ose ndonjë incident, ose thjesht zgjohem me ide.

Para pak kohësh ai ka publikuar një këngë të përbashkët me këngëtaren e re e cila premton Ana Petanovska e cila me vokalin e saj të fuqishëm plotëson dhe kompleton versionin e ripunuar të këngës “Zdodevno e” (Është mërzitshëm) e njërës prej pop-këngëtareve të përjetshme maqedonase Nina Spirova, të cilën e ka përpunuar Ogneni. Komplet versioni i ripërpunuar i këngës u përfundua brenda tre ditë pune.

Foto: Arkivi personal, regjistrim me Anën në studio
Foto: Arkivi personal, regjistrim me Anën në studio

“Ishte e shtunë dhe po kërkoja e mendoja cilën këngë të bëja remix. Dëgjoja këngë, kërkoja çfarë të bëja më pas. Doja të ishte nga Nina, por të gjitha këngët e saj të famshme tashmë janë përpunuar nga artistë të tjerë. Dëgjoja dhe disi kjo më frymëzoi më së shumti dhe thash se kjo është ajo. Atë natë u ula, bëra një koncept për këngën dhe i bëra ndoshta 80% të këngës nga kjo që është tani. Kisha frymëzim. Të nesërmen u përpoqa të veçoja vokalin origjinal dhe t’ia shtoja këngës, siç bëja më parë, por regjistrimi ishte shumë i vjetër dhe nuk mund të bëhej që të tingëllonte bukur. Tingulli i të kënduarit ishte shumë i paqartë. Jana Burçe më sugjeroi disa vajza dhe kërkova gjithçka në internet për të dëgjuar se si këndon secila. Ana më la përshtypjen më të madhe dhe kontaktuam. U takuam, erdhi në studio dhe si profesioniste hyri dhe e këndoi komplet. Edhe vokalin kryesor edhe të gjitha vokalet mbështetëse. Fenomenale. Të shkon të mendosh se është lindur në studio. Në fakt, unë dhe Ana fillimisht e incizuam këngën tonë të parë bashkëpunuese të titulluar „You and I“ e cila u publikua zyrtarisht dje, e pak më pas u publikua “Zdodevno e” (Është mërzitshëm) të cilën për publikim e përgatitëm brenda 5 ditësh. I premtova vetes dhe kam dëshirë të bëj disa këngë për Anën. Kam të paktën edhe pesë këngë të tjera që do të doja Ana t’i këndonte, por do të shohim nëse dëshirat janë të ndërsjella”, përshkruan Ognen.

“Fussflow” për edicionin e tij të zgjeruar, “Family Time” thotë se është krijuar nga frymëzimi prej momenteve dhe ngjarjeve që kanë ndodhur në shtëpinë e tij dhe është orkestruar në një stil paksa më ndryshe nga ai që praktikon zakonisht, me kitara akustikë dhe elektrike dhe me House beat në sfond. Përveç baterive, Ognen luan edhe kitarë, bas kitarë dhe pak piano. Në botimet e tij të çdo lloj muzike, ai bën remiks të pop hiteve maqedonase që janë kënduar në epokën e artë, në kohën kur ai ishte i vogël. Ato ia kujtojnë fëmijërinë, ndërsa motivi kryesor është se ai dëshiron t’ua zgjasë jetën në një mënyrë tjetër.

“Ideja ime është që të përdor disa nga elementet kryesore të këngëve dhe t’ua shtoj një groove moderne, fussflow, në mënyrë që brezat e rinj të dëgjojnë muzikën e asaj kohe në një edicion modern.

Për muzikën e tij ai fshehurazi dëshiron që një ditë të bëhet profesioni i tij i vërtetë, sepse “do të ishte mirë sikur hobi im të bëhej profesioni im”. Sipas tij, më e rëndësishmja është këmbëngulja dhe aty janë edhe gabimet që duhen bërë për t’u bërë më të mirë.

“Nuk ka kufij për muzikën. Janë disa gjëra teknike që duhen respektuar dhe mësuar që kompozimi të tingëllojë ashtu siç duhet, por gjithçka tjetër është vullnet i lirë. Ideja juaj, krijimi dhe interpretimi juaj. Gjithashtu, nëse ka nevojë për ndonjë ndihmë, le të shkruajnë pa ngurrim në një nga rrjetet sociale. Për muzikë mund të flas me këdo me ditë të tëra dhe do të jap këshilla sa di. Jemi këtu për të ndihmuar!”, shtoi Ogneni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button