“Llogaridhënia” e VMRO-DPMNE-së në terren: Pa ujë të pijshëm, asfalt i shtruar në mënyrë selektive

VMRO-DPMNE në “llogaridhënien” për punët e kryera nga kryetarët e tyre në njëqind ditët e para ka thënë se janë realizuar 1090 projekte, prej tyre 166 projekte kapitale. Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase në terren kontrolloi disa prej tyre, transmeton Portalb.mk.

Vetëm, 17 km nga qendra e Shkupit ndodhet fshati Bërnjarci, pjesë administrative e komunës së Shkupit Gazi Baba. Rreth 400 fshatarë ankohen prej vitesh se nuk kanë ujë të pastër për pije. Pas njëqind ditëve të qeverisjes së kryetarit Boban Stefkovski – i cili mburrej me një deklaratë para VMRO-DPMNE – duke thënë se Bërnjarci tanimë ka ujë të pastër dhe të pijshëm. Të nesërmen i priti gazetarët në fshat, vendasi Gjorgjija Tripunovski.

“Nuk ka ujë për të pirë. Kaloi kohë pas përmbytjeve të vitit 2016, ku na thanë nuk bën pusi, ky ujë nuk bën, ai ujë nuk bën dhe askush nuk erdhi të na pyeste si jetojmë, çfarë jetojmë. Jam tepër i zemëruar me shtetin. Dhe ne ende nuk kemi ujë të pastër për pije”, tha Gjorgjija Tripunovski.

Përmbytjen që e përmend Gjorgjia ndodhi pesë vjet e gjysmë më parë. Në fillim të gushtit të atij viti, shirat e rrëmbyeshëm goditën disa fshatra dhe humbën jetën 22 njerëz. Në zgjedhjet lokale të radhës, në vitin 2017, fitoi kandidati i LSDM-së, ndërsa nga tetori i vitit të kaluar i pari në këtë komunë është kandidati i VMRO-DPMNE-së.

“Dhe nuk di çfarë të të them. Çfarë duhet të bëjnë tjetër këta banorë të Bërnjarcit? Vetëm për votim, ejani votoni për të dhe ne jemi këtu me duart lart”, tha Tripunovski.

Ai jeton në fshat prej 68 vitesh. Pas kamerës, banorët e tjerë shprehen njëzëri se këtë premtim ua ka dhënë prej vitesh çdo pushtet komunal. Por edhe njëzëri se ujë të pastër për pije, ende nuk ka.

Kolonia – rrugë të asfaltuar, por edhe akuza

Gazetarët u nisën nga Brnjarci për në Koloni. Vendbanimi i Shkupit, po ashtu në komunën e Gazi Babës, për të cilin VMRO-DPMNE deklaroi se rrugët janë asfaltuar.

Në rrugën e asfaltuar janë rreth njëmbëdhjetë banorë. Ne takuam dy prej tyre.

“Më parë kjo rrugë ka qenë e mbuluar me dhe, baltë tash para dy muajsh na e kanë bërë si duhet”, tha Dobre Ilievski.

“Ne kemi nevojë për asfalt gjatë gjithë rrugës. Ne i sjellim drunjtë këtu, veturat kalojnë, tani mirë është e asfaltuar”, tha Mitre Danailovski.

Por fqinji, shtëpia e të cilit ndodhet në të njëjtën rrugicë në anën e kundërt nuk është i kënaqur. Ekziston gjithashtu një dyshim se pse është kështu.

“Rruga është ndërtuar afër Vitit të Ri, por është për të ardhur keq që është punë partiake. Në këtë rrugë ku e keni filmuar asfaltin, jeton këshilltari në komunën e Gazi Babës nga VMRO-DPMNE, që është edhe kryetar i komitetit lokal. Prandaj është bërë, dhe do të presim kushedi sa për rrugët tjera”, tha Dragi Mihalyov.

Ai pohon se e gjithë lagjja nuk është aspak e kënaqur dhe jo vetëm, siç thotë ai jo vetëm nga ky pushtet, por edhe nga të gjithë të tjerët në 27 vitet e fundit.

Kush i realizoi projektet në Manastir?

Përveç manifestimit të fundjavës për këto komuna të Shkupit në Filarmoninë e Maqedonisë së Veriut, partia fituese e zgjedhjeve lokale të tetorit të vitit të kaluar VMRO-DPMNE deklaroi se në Manastir është duke u realizuar një projekt i madh për rindërtimin e 23 rrugëve. Në atë qytet nga viti 2017 deri në vitin 2021 kryetare e komunës ishte Natasha Petrovska nga LSDM, ndërsa tani pushteti lokal i kaloi Toni Konjanovskit nga VMRO-DPMNE.

Radio Evropa e Lirë pyeti komunën – cilat nga këto rrugë kanë filluar me rindërtim apo kanë përfunduar dhe nëse nuk kanë filluar, kur do të fillojë realizimi. Komuna është përgjigjur duke numëruar 23 rrugë siç kanë shkruar.

“Rrugët e filluara më parë janë të përfunduara, dhe jemi në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për katër projekte: dokumentacioni i projektit për rrugën Industriska – në proces të prokurimit publik, dokumentacioni i projektit për rrjetin rrugor në fshati Lazec – në proces, dokumentacioni i projektit për rrjet rrugor në fshatin Egri – në proces dokumentacioni projekti për ndriçimin rrugor në rrugën Studentska”.

Ndryshe, VMRO-DPMNE në raportin e saj theksoi se në 100 ditët e kaluara në komunat ku ata kanë qeverisur, janë realizuar 1090 projekte, prej tyre 166 projekte kapitale, 68 projekte në fushën e infrastrukturës arsimore, 33 projekte në çerdhe, 206 rrugë janë ndërtuar dhe rikonstruktuar në gjatësi rreth 100 km, janë duke investuar në ndërtimin e 111 ujësjellësve dhe kanalizimeve, 96 kënde lojërash dhe parqe, si dhe janë pastruar 200 deponi ilegale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button