Parlamenti rus votoi për njohjen e rajoneve të shkëputura ukrainase

Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma e Shtetit, votoi për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si shtete të pavarura, raporton Anadolu Agency, transmeton Portalb.mk.

Në janar, Partia Komuniste e Rusisë propozoi mocionin për t’i apeluar presidentit rus Vladimir Putin për të shqyrtuar njohjen e dy rajoneve.

Pas disa raundesh diskutimesh, propozimi kaloi në votim, me 351 vota pro, 16 kundër dhe një abstenim.

Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës së Shtetit, tha se çështja e njohjes udhëhiqet nga nevoja për të garantuar sigurinë e shtetasve rusë që jetojnë në Donetsk dhe Luhansk.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov tha se republikat e vetëshpallura braktisën përpjekjen e tyre për t’u shkëputur nga Ukraina, sipas Marrëveshjes së Minskut.

Duke komentuar nismën e Dumës së Shtetit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Minskut dhe mbështet zbatimin e marrëveshjes “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se njohja e Donetskut dhe Luhanskut do të nënkuptonte fundin e Marrëveshjes së Minskut “me të gjitha pasojat e lidhura”.

Vitin e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për grumbullimin e mbi 100.000 trupave në kufirin e Ukrainës.

Zyrtarët rusë i mohuan vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si një “fushatë dezinformimi” dhe “falsifikime” që synojnë të minojnë propozimet e Moskës për garancitë e sigurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button