Propaganda ruse gjatë krizës politike në Maqedoni (2015) – dezinformata për „skenar ukrainas”

Analizë e dezinformatave dhe teorive konspirative për skenarin ukrainas”, „revolucionin me ngjyra” dhe „Maidanin maqedonas” me të cilin propaganda ruse dhe aleatët e saj lokalë në vitin 2015 impononin narrativ për të justifikuar agresionin rus kundër Ukrainës dhe praktikat antidemokratike të regjimeve populiste të Putinit dhe Gruevskit, shkruan Vërtetmatësi.

 

Shkruan: Zharko Trajanoski, analist mediatik

Tentativat propagandistike të Rusisë zyrtare, e cila u përpoq të diskreditojë protestat antiqeveritare në Kazakistan si një „revolucion me ngjyra” i drejtuar dhe i planifikuar në Perëndim, bëjnë pjesë në sferën e strategjive „tashmë të para” të komunikimit. Në të njëjtën ditë kur presidenti i Kazakistanit Kasim-Zhomart Tokajev рropagandoi për një përpjekje për grusht shteti dhe agresion nga „militantë të huaj”, presidenti rus Vlladimir Putin foli për masat për të parandaluar një skenar për „revolucione me ngjyra” dhe përdorimin e „teknologjive Maidan” në Kazakistan.

Termi  „revolucione me ngjyra” është një pjesë integrale e komunikimeve zyrtare të Kremlinit, sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë të njohura si „Revolucioni portokalli” në vitin 2004 dhe „Еuromaidani” në vitin 2012.

„Revolucionet me ngjyra” Moska i konsideron si një kërcënim për sigurinë jo vetëm për Rusinë, por edhe për botën, sidomos pas përfundimit të „Revolucionit Ukrainas (Maidan)” në shkurt të vitit 2014. Putin foli për kërcënimet nga „revolucionet me ngjyra” në „Konferencën e tretë ndërkombëtare të Moskës për sigurinë ndërkombëtare”, e cila u zhvillua pak para zgjedhjes së Petro Poroshenkos si President i Ukrainës më 25 maj të vitit 2014. Në Konferencë „revolucionet me ngjyra” u përshkruan si faktorë për destabilizim në mbarë botën, ndërkohë që u theksuan edhe kriteret për „eksportin” e „revolucioneve me ngjyra” dhe aspektet e „luftës me informacione”.

“Revolucionet me ngjyra” nuk janë vetëm pjesë e propagandës politiko-ushtarake të Rusisë, por edhe pjesë e doktrinës politiko-ushtarake për shuajtjen e tyre. Një tregues për këtë janë stërvitjet e përbashkëta „Vëllazëria sllave” në vitin 2015, ku morën pjesë trupa ruse, bjelloruse dhe serbe, me qëllim luftimin e një „skenari të mundshëm Maidan”, përfshirë këtu edhe në Ballkan. Ka indikacione serioze për аktivitete të tjera të Serbisë dhe Rusisë për të luftuar „revolucionet me ngjyra”.

Propaganda politiko-ushtarake ruse dhe doktrina për „revolucionet me ngjyra” u zbatua edhe në kontekstin e krizës politike në Republikën e Maqedonisë në vitin 2015. Maqedonia ishte cak jo vetëm i komunikimeve propagandistike nga Rusia zyrtare, por edhe terren pjellor për dezinformata dhe teori konspirative për „skenar ukrainas”, „revolucion me ngjyra” dhe „Maidan maqedonas”.

Në këtë analizë do të fokusohemi vetëm në periudhën e parë të krizës politike – nga shpallja e rastit „Puçi” deri te „Marrëveshja e Përzhinës” – një kornizë politike për tejkalimin paqësor të krizës politike në Maqedoni në vitin 2015, e cila përkohësisht shpërndau teoritë e errëta konspirative për një „revolucion me ngjyra” të përgjakshëm. Edhe në periudhën e dytë të krizës politike – nga formimi i PSP-së, deri te mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor të vitit 2016, si dhe në periudhën e tretë – pas zgjedhjeve të parakohshme deri në formimin e qeverisë politike më 31 maj të vitit 2017, kishte teori konspirative ruse dhe dezinformata për një „revolucion me ngjyra” në Maqedoni, të cilat do të jenë lëndë e analizave të tjera shtesë.

Në fillim ishte „Puçi” – „skenari ukrainas” dhe një „revolucion me ngjyra” i ndaluar

Edhe pse paralajmërime për një „skenar ukrainas” kishte që para zgjedhjeve në vitin 2014, dhe në fund të vitit 2014, shprehja „skenar ukrainas” u shfrytëzua veçanërisht pas fillimit „zyrtar” të krizës politike në Maqedoni në vitin 2015.

Fillimi i krizës politike zakonisht konsiderohet data kur kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski e akuzoi publikisht liderin e atëhershëm opozitar të LSDM-së, Zoran Zaev, për tentativë për grusht shteti në bashkëpunim me „shërbime të huaja” (i ashtuquajturi rasti „Puçi”). Pastaj pasoi edhe një kallëzim penal nga MPB-ja, e cila „informoi” se „për herë të parë në histori është realizuar një rast ku është shuar një tentativë për rrezikimin e rendit kushtetues dhe marrje të pushtetit në mënyrë jodemokratike”. Моska zyrtare reagoi menjëherë me një „komunikim strategjik” në të cilin mbështeti narrativin zyrtar për shuarjen e një „grusht shteti” të organizuar nga kryesia e LSDM-së, në bashkëpunim me „shërbimet e huaja”. Ky komunikim befasues nga Moska nxiti tituj në media për një „skenar ukrainas” dhe аnaliza se deklarata e Ministrisë së Jashtme ruse për rastin „Puçi” është në drejtim të mbështetjes së interesave ruse në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, propaganduesit pro-qeveritar nisën një fushatë të ashpër kundër Zoran Zaevit si një „puçist” i cili ka marrë regjistrime të bëra nga shërbime të huaja. Në fushatën negative kundër Zaevit mori pjesë edhe propagandisti politiko-ushtarak serb dhe pro-rus Mirosllav Llazanski, i cili më vonë u bë ambasador i Serbisë në Rusi. Deklaratat e tij u popullarizuan në një emision politik me prezantuesin pro-rus Milenko Nedellkovski në Kanal 5, një nga televizionet më të ndjekur.

Para publikimit të regjistrimeve nga opozita (të ashtuquajturat „bomba”), në mediat maqedonase u përhapën teori konspirative në përpjekje për të krijuar një „skenar ukrainas”, të shoqëruara me akuza sipas të cilave Zaev „me ndonjë shërbim të huaj” i kanë lejuar vetes të përgjojnë udhëheqësinë e lartë shtetërore dhe një numër të madh të qytetarëve”.

Më 9 shkurt të vitit 2015 pasi Zaev e akuzoi kryeministrin e atëhershëm Gruevski dhe kushëririn e tij të parë (shefin e policisë sekrete), Sasho Mijallkov, për përgjime masive të mijëra qytetarëve, në mediat maqedonase filluan të përhapen teori konspirative për një „skenar ukrainas” dhe „revolucion me ngjyrë”, të përforcuara nga propagandistët pro-rusë.

Për shembull, teoricienti konspirativ pro-rus Umberto Paskali, në një intervistë për programin „Zëri i Popullit” në TV Sonce, shpalosi akuza eksplicite për një tentativë të dëshpëruar për të provokuar një „revolucion me ngjyra” „sorosoid” për ta destabilizuar Maqedoninë. Mesazhet e Paskalit u shpërndanë me dhjetëra artikuj me tituj si – „Paskali: Маqedonia shmangi tragjedinë në stilin e Ukrainës, konspiracioni i Zaevit përfundoi në një farsë”, në televizionet më të shikuara si Sitel dhe Kanal 5, si dhe në dhjetëra media të tjera.]

Analistë të tjerë pro-rusë në kanalet e propagandës ruse i akuzuan personalisht zyrtarët amerikanë për një grusht shteti në Maqedoni në stilin e Kievit”, duke pretenduar se „bombat Zaevit” ia ka dhënë CIA. Asokohe konspiracione të tilla shpërthyen edhe në mediat maqedonase proqeveritare, me akuza se „Pas Bullgarisë dhe Ukrainës, naftëtarët po e shkatërrojnë edhe Maqedoninë?!”, ku Soros akuzohej jo vetëm si financues i „Maidanit të dështuar maqedonas”, por edhe për përgjimin e 20.000 maqedonasve.

„Revolucioni me ngjyra” në Shkup si Kievi, „Rrjedha turke” dhe „Shqipëria e Madhe”

Përderisa opozita publikonte regjistrime që tregonin për korrupsion dhe shkelje të ligjit nga qeveria, teoria propagandistike ruse për një „revolucion me ngjyra” po depërtonte në mediat maqedonase. Për shembull, propagandisti i Sputnik Andrej Koribko, i prezantuar si një „analist rus” në TV Sonce, theksoi se „Maqedonia është në mes të një „revolucioni me ngjyra“ të qëllimshëm”, ndërsa Zaev pa sukses po përpiqet t’i nxjerrë maqedonasit në rrugë për ta bërë Shkupin si Kievi”.

Tezat propaganduese të Koribkos u shpërndanë në mediat pro-qeveritare maqedonase dhe në  kanalet propaganduese ruse. Edhe në emisionin e tij në radio, Koribko intervistoi të ftuar të cilët mbështesnin tezën propagandistike se tentativa për „grusht shteti” në Maqedoni është, në fakt, një „revolucion me ngjyra” dhe se është i lidhur me teorinë konspirative për të ndaluar „Rrjedhën turke”. Një nga të ftuarit, udhëheqësi i një emisioni propagandistik maqedonas në të cilin paraprakisht si analist ishte i ftuar udhëheqësi serb, theksoi se „Maqedonia nuk është Ukraina”, se nuk do të destabilizohet, se nuk do të ketë „revolucion me ngjyra” ose luftë civile, dhe se mbështetja për “Rrjedhën Ballkanike” është e madhe. Historia për lidhjen mes „Rrjedhës turke” dhe „Revolucionit me ngjyra” të shkaktuar nga Perëndimi ishte subjekt i kanaleve të tjera propagandistike ruse që ofronin argumente gjeopolitike, që synonin jo vetëm Maqedoninë, por edhe Serbinë dhe Bullgarinë.

Pasi Putin në Konferencën Ndërkombëtare në Moskë në prill të vitit 2015 ritheksoi rrezikun për sigurinë ndërkombëtare nga skenarë të ndryshëm për „revolucione me ngjyra” që shkaktojnë dhunë dhe kaos, kanalet propagandistike ruse vazhduan me konspiracionet për revolucion me ngjyra në Maqedoni.

Ata futën edhe elementë të rinj – si „terrorizmi shqiptar” dhe „Shqipëria e Madhe”. Pas sulmit të armatosur në afërsi të Goshincës, kur u sulmua kulla e policisë kufitare maqedonase nga një grup i armatosur nga Kosova, Моska reagoi duke shprehur shqetësim. Në të njëjtën kohë, Sputnik i akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përpiqen që „revolucionin e dështuar me ngjyra” në Maqedoni ta transformojnë në një luftë jokonvencionale, gjë që do ta neutralizonte rrugën gjeostrategjike për „Rrjedhën Turke”. Mesazhi se „Goshinca është pjesë e „revolucionit me ngjyra“ në Maqedoni” u përhap në mediat në Maqedoni edhe nga propagandistë të tjerë pro-rusë.

Zyrtarizimi i historisë propagandistike për „revolucionin me ngjyra” kundër „Rrjedhës turke”

Historia propagandistike „jozyrtare” e Rusisë – se në Maqedoni po ndodh një tentativë për një „revolucion me ngjyrë”, i cili lidhet drejtpërdrejt me projektin energjetik të Rusisë „Rrjedha Turke”, u bë „zyrtare” vetëm pas vizitës së ministrit të Jashtëm rus Sergej Llavrov në Beograd më 15 maj të vitit 2015.

Paraprakisht, në Maqedoni ndodhën tri ngjarje kyçe që e ndezën krizën politike: Brutaliteti policor gjatë protestave të 5 majit në vitin 2015, të cilat ishin pikërisht kundër brutalitetit policor, paralajmërimi për një protestë masive të opozitës më 17 maj, e cila u sulmua si „Skenar ukrainas”, dhe konflikti i armatosur në Kumanovë më 9-10 maj të vitit 2015, për shkak të së cilit presidentit të atëhershëm Gjorge Ivanov i duhej të ndërpriste vizitën e tij në Moskë për shënimin e fitores mbi fashizmin dhe të mblidhte Këshillin e sigurisë.

Pak ditë pas konfliktit dramatik, më 12 maj, pasuan dorëheqje nga ministrja e punëve të brendshme, shefi i policisë sekrete – kushëriri i parë i Nikolla Gruevskit dhe një tjetër ministër për të cilin në regjistrimet e publikuara u zbuluan keqpërdorime të mëdha. Ky konflikt nga propagandistët rusë u interpretua si një plan djallëzor për destabilizim të Maqedonisë“, dhe liderët e opozitës u quajtën Arsenij Jacenuk dhe Petro Poroshenko të Maqedonisë“.

Ivanovi vendosi të merrte pjesë në paradën madhështore në Moskë më 9 maj edhe përkundër bojkotit nga vendet perëndimore për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia, ndërsa prania e tij, e lajmëruar fillimisht nga ministri i Jashtëm rus Sergej Llavrov, u mbrojt me frazën një politikë e hapjes ndaj të gjithëve“. Në takimin me Putinin, sipas kabinetit të Ivanovit, është shprehur kënaqësia e ndërsjellë për trendin e vazhdueshëm pozitiv të marrëdhënieve”.

Në maj të vitit 2015, makineria propagandistike (pro)ruse ishte posaçërisht e preokupuar me Maqedoninë. Vazhdoi interpretimi i situatës politike në Maqedoni përmes prizmit të „revolucionit me ngjyra” dhe „skenarëve ukrainas”. Në të njëjtën kohë u përhapën edhe paralele demonizuese me Ukrainën dhe teori konspirative gjeostrategjike të zymta që thirreshin në „Shqipërinë e madhe”. Prandaj, nuk është aspak për t’u habitur që ministrit rus Llavrov gjatë vizitës së tij në Beograd më 15 maj të vitit 2015 iu parashtrua një pyetje eksplicitе për atë nëse kishte një paralele mes situatës në Ukrainë dhe asaj në Maqedoni. Llavrov përcolli mesazhin se ngjarjet në Maqedoni dhe politikat pro-ruse kanë një lidhshmëri, gjegjësisht kanë të bëjnë me refuzimin e Maqedonisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe planet për ndërtimin e gazsjellësit „Rrjedha Turke”. Një ditë pasi Llavrov e „verifikoi” teorinë konspirative për „Rrjedhën Turke”, e komunikuar paraprakisht në kanalet propagandistike ruse, МPJ e federatës ruse iu përgjigj pozitivisht një pyetjeje të drejtpërdrejtë të shmangur nga Llavrov, duke theksuar se vendi ishte shtyrë drejt humnerës së një „revolucioni me ngjyra”.

Historitë për  „Revolucionin me ngjyra” dhe „Kontra-revolucioni me ngjyra” në maj të vitit 2015

Duke pasur parasysh historinë e madhe propagandistike nga Moska për tentativën për një „revolucion me ngjyra” në Maqedoni, atëkohë mediat pro-qeveritare në Maqedoni u përpoqën ta diskreditojnë protestën e madhe të paralajmëruar nga opozita më 17 maj të vitit 2015 si „skenar ukrainas”. Në një kolumnë  me titull „Skenari ukrainas” parashikohet madje edhe një kërkesë për ndihmë ushtarake nga „komandantët e Donbasit Motorola ose Prizrak” të cilët do të dislokoheshin në Pollog.

Një pjesë e mediave pro-qeveritare publikuan paralajmërime dramatike sipas të cilave për më 17 maj ishte bërë një „plan i përgjakshëm dhe i tmerrshëm për dhunë” dhe parashikime propagandistike për një „skenar ukrainas”, gjegjësisht për protesta të dhunshme „sipas shembullit të Ukrainës”.

Edhe përkundër parashikimeve të zymta mediatike, më 17 maj të vitit 2015 u zhvillua një protestë masive paqësore e opozitës, me kërkesa legjitime demokratike nga ana e opozitës. Pasi nuk u realizuan paralajmërimet propagandistike për një „skenar ukrainas” djallëzor, kanalet propagandistike ruse përhapën teorinë se dhuna e 17 majit megjithatë u parandalua.

Gjatë kësaj periudhe, shihet se propaganda ruse përdor dezinformata flagrante në përpjekje për ta diskredituar liderin e opozitës Zoran Zaev, duke i ngarkuar atij deklarata që përmbajnë kërcënime për luftë. Propaganda ruse u përpoq të shpërndante dezinformatën se lideri i atëhershëm i LSDM-së, Zaev, në fjalimin e tij në protestën masive më 17 maj të vitit 2015, ka thënë se nëse Gruevski nuk largohet, Maqedonia ka për të parë luftë, si në Ukrainë“. Një deklaratë të tillë Zaev nuk e ka bërë në tubimin protestues të „Qytetarëve të Maqedonisë”, e as mediat maqedonase nuk kanë raportuar se në fjalimin e Zaevit ka pasur kërcënime për luftë „si në Ukrainë”.

Тwit i ambasadorit rus në Mbretërinë e Bashkuar Aleksander Jakovenko me një foto të ngjarjeve të Kumanovës dhe me tekst „Situata në Maqedoni është alarmante. Përpjekje të qarta për të shtyrë vendin drejt humnerës së një „revolucioni me ngjyra”.

Një ditë pas protestës masive të opozitës para qeverisë, pati edhe një protestë masive qeveritare para kuvendit ku opozita u akuzua se „po interpreton akte të dramës ukrainase” dhe lideri i opozitës u krahasua me një „Kliçko ukrainas”. Fillimisht „Sputnik” publikoi informacion se në protestën pro-qeveritare kishte 30 mijë persona, që vetëm një ditë më pas protesta pro-qeveritare të shpallet „më e madhja në historinë e vendit”, në të cilën kishin marrë pjesë 90 mijë njerëz.

Më 19 maj të vitit 2015, makineria propagandistike ruse dërgoi mesazh se Tentativa për grusht shteti nga Perëndimi nuk do të ketë sukses në Maqedoni”. Në Pravda”-n ruse, Perëndimi u akuzua se në Maqedoni kishte vepruar sipas skenarit të Maidanit në Kiev” dhe u hodh ideja se Rusia duhet të ndërtojë një koalicion të fortë sllav në Evropë për ta mposhtur Perëndimin.

Në fund të majit të vitit 2015, kur priti ambasadorin e ri maqedonas në Rusi, Putin ofroi mbështetjen e tij për autoritetet maqedonase për normalizimin e situatës, duke theksuar se Rusia dhe Maqedonia kanë rrënjë të thella historike, afërsi kulturore dhe shpirtërore“.

Edhe pas protestave të mëdha opozitare dhe pro-qeveritare, propaganda ruse nuk heshti. Ministri i Jashtëm rus Llavrov bëri disa paralele eksplicite mes situatës në Maqedoni dhe Ukrainë, duke ripërsëritur tezën se ngjarjet në Maqedoni janë të оrkestruara nga jashtë, si rezultat i refuzimit të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes së „Rrjedhës Turke”. Llavrov akuzoi për përdorim të jashtëm të „faktorit shqiptar”, dhe përhapi konspiracione për federalizimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe ndarjen e vendit ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Me formimin e një kampi opozitar përballë godinës së Qeverisë, sërish u intensifikuan teoritë e zymta për „skenar ukrainas” dhe luftë civile. Opozita u diskredituan dhe u njollosën dhe nga mediat propagandistike ruse u cilësuan si „kolona e pestë” e cila dëshiron të krijojë një Maidan të ri, si në Ukrainë”, pra një „revolucion të ri me ngjyra”. Disa propagandistë rusë madje tentuan ta quajnë atë një „revolucion i dështuar i buzëkuqëve”.

Përkundër denigrimit dhe nënvlerësimit të numrit të pjesëmarrësve në „revolucionin me ngjyrë”, Sputnik favorizonte „kontra-revolucionin me ngjyra” – si një rezistencë kundër ndërhyrjes së huaj dhe si mbështetje popullore të udhëheqësisë të zgjedhur në mënyrë demokratike që kundërshtoi sanksionet ndaj Rusisë dhe që dërgoi liderin e saj në kremtimin e 9 majit të vitit 2015 në Moskë. Në kanalet propagandistike ruse, Maqedonia u trajtua si një shembull i ri i kundërshtimit të suksesshëm të „revolucioneve me ngjyra”, me të ashtuquajturat „Demostrata masive anti-Maidan”. „Rezistenca maqedonase” mori urime nga propagandistët rusë për përballjen me sukses të tentativës për „revolucion me ngjyra”.

Kuptohet që propaganda ruse në mënyrë aktive ndihmoi të ashtuquajturin „kontra-revolucion me ngjyra”, duke u munduar të diskreditojë kampin opozitar përballë qeverisë, i cili organizonte debate qytetare dhe kërkonte zgjidhje për një dalje paqësore nga kriza. Për shembull, prezantuesi dhe propagandisti i famshëm rus Dmitrij Kiselev më 24 maj të vitit 2015 paralajmëroi një kronikë propagandistike për kampin opozitar si „Maidan në Maqedoni”, i cili vazhdon të zhvillohet sipas „skenarit klasik ukrainas”. Edhe pse kronika propagandistike përmban edhe një deklaratë të liderit të opozitës Zaev, i cili përcjell mesazhe të qarta kundër përdorimit të dhunës, i gjithë artikulli është një përpjekje për të tërhequr një paralele diskredituese mes „Maidanit” të dhunshëm në Ukrainë dhe në Maqedoni. Kampistët e opozitës para qeverisë u denigruan si aktivistë neonazistë ose huliganë të trajnuar dhe të paguar nga Soros për të provokuar protesta të dhunshme.

Edhe pas distancimit të qartë të Zaevit nga „skenarët ukrainas”, zyrtarët rusë vazhduan me teoritë konspirative për një „revolucioni me ngjyra”. Për shembull, zëvendësministri rus i Mbrojtjes Antonov në një konferencë ndërkombëtare theksoi se vala e revolucioneve me „ngjyra” e iniciuar nga jashtë ka arritur edhe deri në Maqedoni, duke e krahasuar „epideminë e „revolucioneve me ngjyra” në Lindjen e Mesme” me një uragan shkatërrues.

„Revolucioni me ngjyra” dhe „skenari ukrainas” në kontekst të „Marrëveshjes së Përzhinës”

Kriza politike në Maqedoni në vitin 2015 u tejkalua përkohësisht me „Marrëveshjen e Përzhinës” (2 qershor dhe 15 korrik të vitit 2015) – një kornizë politike e bazuar në parimet demokratike evropiane, e cila parashihte zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2016, kthimin e opozitës në parlament, dy ministra qeveritarë nga radhët e opozitës dhe një prokuror të ri publik special.

Megjithatë, edhe kur ishte e qartë se do të arrihej një marrëveshje politike, propaganda ruse vazhdoi me teoritë konspirative për një „skenar ukrainas” të dhunshëm të nxitur nga jashtë. Sputnik Serbia akuzoi në mënyrë eksplicite amerikanët dhe britanikët për organizimin e sulmeve në Kumanovë.

Në të njëjtën kohë, në kanalet propagandistike pro-ruse u aktuelizua ideja për „Shqipërinë e Madhe”. Për propagandistët pro-rusë, kriza politike në Maqedoni e shfrytëzuar përmes prizmit të „skenarit ukrainas” ishte një rast i mrekullueshëm për targetimin e politikave amerikane dhe përfaqësuesve zyrtarëve të tyre në Ballkan.

Edhe kur në verën e vitit 2015 nuk u realizuan profecitë e mediave pro-ruse për një „skenar ukrainas” djallëzor në Maqedoni, propagandistët rusë vazhduan ta targetojnë liderin e opozitës Zaev si „Poroshenko ose Jacenuk”. Edhe pas nënshkrimit të „Marrëveshjes së Përzhinës”, kanalet propagandistike ruse vazhduan të propozojnë zgjidhje pro-ruse të krizës politike – bashkim të kundërshtarëve të politikave të BE-së në Maqedoni me një aleat si Rusia dhe vendet e tjera të BRICS.

Përfundim: Propaganda me ngjyra e Moskës për „revolucionin me ngjyra”

Kriza politike në Maqedoni në vitin 2015 u përdor si terren pjellor për „komunikime strategjike” ruse. Shprehjet sensacionale „Skenari ukrainas”, „revolucioni me ngjyra” dhe “Maidani maqedonas” ishin pjesë e një fushate propagandistike të mirëorganizuar në vitin 2015.

Fushata propagandistike ishte e njëanshme dhe „e ngjyrosur”, me synimin e dukshëm për ta  denigruar dhe delegjitimizuar opozitën properëndimore, dhe legjitimizimin e pushtetit të akuzuar për korrupsion, mashtrim zgjedhor dhe abuzim të institucioneve për qëllime partiake dhe private.

Duke mbjellë frikë për një „skenar ukrainas”, një „revolucion me ngjyra” dhe një „Maidan maqedonas”, propaganda ruse ka shfrytëzuar me sukses krizën politike maqedonase që në fillim – jo vetëm për të targetuar Perëndimin, NATO-n dhe BE-në si faktorë destabilizues, por edhe për ta rritur ndikimin e saj politik në Maqedoni dhe në Ballkan. Fushata propagandistike ruse në Maqedoni vazhdoi edhe me thellimin e krizës politike në vitin 2016 dhe 2017, siç edhe do të shohim në pjesën e dytë të analizës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button