Kriza në Ukrainë, Osmani: Shtetasit e RMV-së të largohen nga Ukraina

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot para gazetarëve duke folur për krizën në Ukrainë apeloi që shtetasit e vendit të cilët gjenden në Ukrainë, të kthehen në vend, transmeton Portalb.mk.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në Ukrainë duhet të shfrytëzojnë mundësinë dhe të kthehen në vend”,  tha Osmani.

Ai ndër të tjera tha se në Ukrainë ka afër 100 shtetas të RMV-së.

“Nuk duam aspak të krijojmë pasiguri dhe frikë në Ukrainë, jemi në koordinim të tërësishëm me aleatët tanë të NATO-s”, tha Osmani.

Për sa i përket situatës dhe skenarëve të mundshme në Ukrainë, ministri tha se vendi i ka analizuar të gjitha mundësitë të cilat mund të dalin nga përshkëllimi i situatës në Ukrainë.

“Natyrisht se një eskalim, tash edhe eksalimi mund të ketë skenarë të ndryshëm se në çfarë mase mund të përshkallëzohet situata atje. Ne i kemi analizuar të gjitha versionet e mundshme, nga një luftë e hapur deri te një konflikt i izoluar dhe cilat do të ishin pasojat mbi rajonin. Ajo që është e rëndësishme se ne jemi anëtarë të NATO-s dhe NATO është aleancë që garanton siguri kolektive të anëtarëve të saj dhe kjo në një mënyrë na vendos në një situatë krejt ndryshe se sa mos të ishim anëtarë të NATO-s, për shkak se sigurinë tonë e garanton Aleanca Veriatlantike”, tha Osmani.

Ndërkaq sa u takon pasojave ekonomike Osmani tha se dje ka informuar Qeverinë për këmbimin tregtar me Ukrainën dhe cilat janë produktet esenciale të cilat shkëmbehen mes dy vendeve.

“Gjithashtu kemi kërkuar dhe jemi duke bërë analizë për pasojat ekonomike dhe financiare nga një përshkallëzim i konfliktit  atje dhe eventualisht bashkëngjitje e e jona në sanksionet e mundshme ndaj Rusisë. Javën që vjen nga nesër janë caktuar takimet edhe shërbimeve të sigurisë dhe të ekonomisë për pasojat që mund të dalin nga një përshkallëzim i mundshëm që mund të dalim me plane konkrete në këtë drejtim”, tha Osmani.

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri.  Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën. Shumë vende përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, RMV-në, Shqipërinë dhe të tjera u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button