RMV, megjithëse hendeku gjinor në shkencë dhe hulumtime po ngushtohet, ai është ende i pranishëm

Shkenca dhe inovacioni kanë rëndësi jetike për rritjen ekonomike dhe përballjen me sfidat shoqërore. Sidiqoftë, hendeku i dukshëm gjinor në shkencë dhe teknologji vazhdon, edhe pse situata viteve të fundit, të paktën në Maqedoninë e Veriut, po përmirësohet, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë festohet çdo vit më 11 shkurt, që nga themelimi për herë të parë në vitin 2015 nga Kombet e Bashkuara për të promovuar qasjen dhe pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe vajzave në shkencë dhe teknologji. Kjo ditë është kujtesë se gratë dhe vajzat luajnë një rol kyç në komunitetet shkencore dhe teknologjike dhe se pjesëmarrja e tyre duhet të forcohet.

Duke e njohur dhe pranuar rolin e grave dhe vajzave në shkencë, jo vetëm si përdorues, por edhe si agjente të ndryshimit, Dita e shtatë Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Asamblenë Shkencore të Kombeve të Bashkuara këtë vit fokusohet në “Barazinë, Diversitetin dhe Inkluzionin: “Uji na bashkon” , me ç’rast diskutohet relacioni i ujit në arritjen e tre shtyllave të zhvillimit të qëndrueshëm – prosperiteti ekonomik, drejtësia sociale dhe integriteti ekologjik.

Gratë shkencëtare me karriera më të shkurtra dhe më pak të paguara

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, vetëm një e treta ose 33.3 për qind e shkencëtarëve në botë dhe vetëm 12 për qind e anëtarëve të akademive kombëtare janë gra.

“Grave u jepen grante më të vogla për hulumtime sesa kolegëve të tyre meshkuj dhe ka tendencë të kenë karriera më të shkurtra dhe më pak të paguara. Gratë studiuese nuk janë mjaftueshëm të përfaqësuara në revista të profilit të lartë dhe shpesh anashkalohen kur bëhet promovimi i shkencës thuhet në raportin e OKB-së.

Sipas të dhënave të UNESCO-s nga viti 2019, Maqedonia është lider në Evropë për sa i përket pjesëmarrjes së grave hulumtuese në numrin e përgjithshëm të hulumtuesve në vend. Kështu, më shumë se gjysma, gjegjësisht 52,3 për qind e të gjithë hulumtuesve në vend janë gra.

Tek ne shifrat janë të barabarta, paragjykimet po zvogëlohen

Nga 35 anëtarë të rregullt dhe me korrespodencë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), vetëm 5 janë gra, që është rreth 14 për qind e numrit të përgjithshëm të anëtarëve në ASHAM.

Nga ana tjetër, të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave për vitin 2020 tregojnë për dominim të lehtë të femrave lidhur me studimet e kryera të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë të institucioneve të arsimit të lartë në vend.

Kështu, nga numri total i të diplomuarve në vitin 2020, 59,5% janë gra. Përqindja e grave me master, në numrin total të personave që e kanë marrë titullin Master i Shkencave, në të njëjtin vit ishte pak më shumë se 58 për qind.

Më shumë se gjysma, ose pothuajse 57 për qind e atyre që e kanë mbrojtur disertacionin e doktoraturës gjatë vitit 2020, janë gjithashtu gra.

Paragjykimet ndaj grave në shkencë, në vendin tonë, por edhe në Evropë, thuajse i përkasin të kaluarës, thotë Milka Lonçeva, doktorante e programit studimor Ekoteknologjitë në Shkollën Ndërkombëtare Pasuniversitare Jozhev Stefan në Lubjanë të Sllovenisë.

Lonçeva është magjistre e farmacisë, e cila studimet e ciklit të parë dhe të dytë i ka përfunduar në Fakultetin e Farmacisë në Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup. Hulumtimi i saj ka për qëllim zhvillimin dhe vërtetimin e metodave për identifikimin dhe kuantifikimin e ndotësve të ri organikë në mjedis, të cilët gjatë pranisë së tyre afatgjatë kanë ndikim negativ në florën dhe faunën në ujërat e rrjedhshëm dhe ndikojnë në sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm dhe ujit për përdorim industrial.

“Epoka e re e globalizimit dhe digjitalizimit mundëson migrimin e shpejtë të informacionit dhe njerëzve, gjë që rezulton në përhapjen e pikëpamjeve dhe braktisjen e ‘paradigmës’ së shekullit të kaluar se gratë duhet të punojnë nga ora 8 e mëngjesit deri në 4 pasdite, të jenë vazhdimisht në shtëpi dhe kalojnë pjesën më të madhe të ditës duke u kujdesur për familjen dhe shtëpinë e tyre. Barazia gjinore është mjaft e pranishme në shumicën e segmenteve të jetës shoqërore, ndaj mendoj se është e pranishme edhe në shkencë. Çdo vajzë dhe grua që merret me shkencë është e vetëdijshme për sfidat që priten, ndikimin e rrugës së zgjedhur të karrierës në jetën private dhe në fakt është art i vërtetë të harmonizosh jetën private me atë profesionale në baza ditore. Është më e vështirë, por është më argëtuese dhe nuk është e pamundur”, tha Lonçeva.

Dëshira dhe motivimi për të punuar në fushën e hulumtimit shkencor është ndërtuar gjatë shkollimit të saj të lartë. Lonçeva pranon se shkencat natyrore e kanë tërhequr gjithmonë, ndaj thotë se e dinte që do të vishte mantel të bardhë.

“Dinamika në punë, diversiteti, kreativiteti, mundësia për t’u shprehur, si dhe disiplina e kërkuar, organizimi dhe vetë-iniciativa janë aspekte qysh gjatë shkollimit dhe punës sime si demonstruese në Institutin e Teknologjisë Farmaceutike në Fakultetin e Farmacisë. Kuptova se doja të bëja karrierë dhe të gjitha i gjeta në shkencë. Motivim shtesë për mua është aspekti popullor i punës hulumtuese. Vetëdija për faktin se atë që e kemi zbuluar dhe vërtetuar me hulumtimin tonë do të ndihmojnë në zgjidhjen e ndonjë problemi të caktuar, gjë që në anën tjetër do të jetë e dobishme për shoqërinë”, tha Lonçeva.

Sipas saj, femrat në shkencë edhe sot janë shënjestër e paragjykimeve në rrethe të caktuara, por thotë se paragjykimet e tilla janë motiv shtesë për sukses edhe më të madh në profesion.

“Për hir të vërtetës, gjatë studimeve të integruara të ciklit të parë dhe të dytë dhe studimeve të doktoraturës, pata mundësinë të punoja me më shumë studiuese dhe doktorante, ndoshta sepse farmacia dhe shkenca kimike në një farë mënyre kanë mbajtur gjithmonë epitetin e fushave shkencore më të preferuara nga gjinia femërore. Shpesh kemi diskutuar për paragjykimet ndaj grave në shkencë dhe kemi konstatuar se ndonjëherë ende jemi objektiv i tyre në rrethe të caktuara shoqërore, ku vajzat dhe gratë që marrin vendime të guximshme profesionale shihen si “të tjera”, “ndryshe”, “të veçanta”. Por sigurisht që jemi edhe cak i lëvdatave për të njëjtat zgjedhje. Në fund, më e rëndësishmja është që lëvdatat dhe paragjykimet të na motivojnë për suksese në të ardhmen”, përfundon Lonçeva.

Angela Najdoska, e cila e ka kryer magjistraturën në fakultetin elektroteknik në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë, pajtohet se sot ekziston një hendek shumë i vogël dhe i parëndësishëm gjinor sa i përket hulumtimit shkencor në vend. Najdoska aktualisht është e regjistruar në ciklin e tretë të studimeve në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative dhe punon në një kompani si projektuese e centraleve fotovoltaike.

“Sinqerisht nuk mendoj se ne femrat në shkencë jemi të diskriminuara, më mirë të them se jemi të diskriminuara në inxhinieri si pozicion pune, nuk po flas për veten time, por në përgjithësi. Gjithashtu do të theksoja se në vendin tonë, në FEIT, sipas përvojës sime, ne femrat trajtohemi në mënyrë të barabartë sa i përket hulumtimeve”, tha Najdoska.

Najdoska qysh në moshë të vogël filloi të hulumtojë shkencat natyrore, përkatësisht biologjinë. Hulumtimi i saj u fokusua në ekologji dhe ruajtjen e mjedisit jetësor. Ajo është njohur më hollësisht me fizikën dhe siç thotë ajo me “zbulimet magjepsëse” në gjimnaz. Që nga regjistrimi në FEIT, vazhdon të hulumtojë në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë, me theks në energjinë diellore.

Për hir të vërtetës, as Lonçeva nuk ka qenë asnjëherë në një situatë që puna e saj të nënvlerësohet vetëm pse është grua.

“Një fakt interesant që do të doja të ndaj është se në punën time të deritanishme, kam fituar përvojë për dallimet midis burrave dhe grave në mënyrën e punës si hulumtues dhe analistë. Ndërsa burrat janë më racionalë, më praktikë, me qasje “të drejtpërdrejtë”, gratë janë më të thella, të vëmendshme ndaj detajeve, kureshtare për të gjitha aspektet e punës. Është veçanërisht interesante kur plotësojmë njëri-tjetrin në mbledhjet për rrahje të ideve”, vëren Milka Lonçeva.

Sa investohet në shkencë?

Fatkeqësisht, vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të investimeve të pakënaqshme në shkencë”, tha Lonçeva, duke shtuar se nevojitet rritje e buxhetit vjetor për hulumtime shkencore. Në vend ka shumë të rinj me ide të mrekullueshme, të cilët fatkeqësisht, pikërisht për shkak se mungon mbështetja financiare, shkojnë për shkollim (shtesë) jashtë vendit ose ridrejtojnë rrugën e karrierës tyre.

“Në vitin 2021 janë ndarë 17,3 milionë denarë për financimin e projekteve hulumtuese-shkencore me interes të veçantë dhe publik për përkrahje dhe zhvillim të resurseve laboratorike në institucionet shkencore dhe të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë. Realizimi i tyre tashmë ka filluar dhe sinqerisht shpresoj që ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen, dhe duke marrë shembullin e vendeve evropiane, gradualisht buxheti vjetor për financimin e hulumtimeve shkencore do të rritet. Ajo që mungon ende është një fond për bursa individuale për studime të doktoraturës brenda dhe jashtë vendit, si dhe informim e transparencë më e madhe në nxitjen e komunitetit shkencor gjatë aplikimit dhe pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare”, tha Lonçeva.

Se nevojiten më shumë financa nga buxheti i shtetit pajtohet edhe Najdoska. Ajo thotë se të rinjtë në vend, pa dallim gjinie, kanë njohuri që mund t’i vendosin në skenën shkencore botërore.

“Ka një të ardhme nëse e realizojmë. Nëse thjesht shkruajmë dhe deklarojmë se nuk ka kushte për hulumtime, asgjë nuk do të ndryshojë. Investimi në shkencë e përmirëson jetën e të gjithëve, rrit arsimimin e të rinjve, të rinjtë largohen nga bankat universitare me ekspertizë më të madhe dhe punësohen në kompani që do të kenë përfitime më të mëdha dhe kështu rritet ekonomia në vend”, vlerëson Najdoska.

Najdoska shton se dëshira e profesorëve për të hulumtuar në vend është po aq e rëndësishme për avancimin e shkencës, siç ishte edhe në fakultetin e saj, sepse ashtu u mundësohet studentëve të përfshihen në hulumtimet e profesorëve të tyre.

Edhe pse është më mirë jashtë vendit dhe ka kushte më të mira pune, planet e saj janë që të qëndrojë për të hulumtuar në shtëpi.

“Besoj se para se të largohemi nga vendi, së pari duhet të përpiqemi të bëjmë diçka në të”, porositi Najdoska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button