Premtimet e (pa) realizuara të Bilall Kasamit për 100 ditëshin e parë

Sot u bënë 100 ditë nga kur Bilall Kasami e mori zyrtarisht mandatin e tij si i pari i Tetovës me 4 nëntor të vitit të kaluar. Dymbëdhjetë ditë pasi ai mori mandatin, konkretisht me 16 nëntor prezantoi planprogramin e tij për qeverisje me këtë komunë ku premtoi realizimin e 31 pikave.

Portalb.mk ju sjell atë se çfarë realizoi dhe çfarë nuk realizoi Bilall Kasami në këto 100 ditë.

Këto janë premtimet e parealizuara nga 31 pikat e Kasamit:

  • Raportim tremujor i kryetarit të komunës rreth kondicionit buxhetor të komunës së Tetovës.

Shpjegim: Sot u bënë 100 ditë kur Kasami e mori mandatin si kryetar komune, por nga komuna thonë se llogaritjen e kanë bërë nga dita kur është bërë prezantimi i programit për 100 ditët, andaj raporti do të bëhet javës tjetër.

  • Aksion mbarë qytetarë për largimin e të gjitha mbeturinave të hedhura nëpër rrugë dhe hapësira publike.

Shpjegim: Në terren nuk është ndërmarrë aktivitet, kjo pikë ishte e paraparë të realizohet me 27 nëntor por si shkak i tragjedisë në Bullgari të aksidentit u pezullua për më vonë dhe deri tani nuk është realizuar.

  • Vendosja e kontejnerëve që do klasifikonin mbeturinat (qelq, mbetje organike apo diçka tjetër).

Shpjegim: Nga hulumtimi i djeshëm në terren, nuk vërejtëm kontejnerë shtesë të vendosur gjatë kësaj periudhe për klasifikim të mbeturinave.

  • Riparimi i mundshëm i kontejnerëve ekzistues-bërja e tyre funksional vendosja e kontejnerëve shtesë në pikat me mbeturina të tepërta, rregullimi i vendndodhjes së kontejnerëve dhe rregullimi i qasjeve rrugore duke larguar automjetet në afërsi të tyre.

Shpjegim: Nga hulumtimi i djeshëm në terren, pikat e lartëpërmendura nuk janë realizuar, pasi shumë kontejnerë ishin të dëmtuar, nuk kishte kontejnerë shtesë dhe as rregullimi i vendndodhjes së tyre nuk ishte bërë dhe ende ka vetura në afërsi të kontenjerëve.

  • Rrethimi i burimit të ujit të pijshëm në hapësirat e Leshnicë (Lajthizës).

Shpjegim: Burimet e Portalb.mk thonë se kjo nuk është realizuar pasi ka borë, ndërkaq Komuna thotë se po, kërkuam dëshmi por deri në këtë moment ata nuk na siguruan. E vlerësojmë si të parealizuar deri sa të ketë dëshmi.

  • Përpilimi i një strategjie për zgjidhje afatgjate të problemit me qentë endacak.

Shpjegim: Gjatë debatit publik për buxhetin e komunës së Tetovës për vitin 2022  udhëheqësi i sektorit për veprimtari komunale tha se për këtë vit planifikojnë ndërtimin e strehimores për qentë endacak që është në vlerë prej 2 milionë denarëve. Mirëpo, komuna nuk ka prezantuar strategjinë në detaje para opinionit deri më sot, andaj e vlerësojmë si të parealizuar.

  • Ngritjen e aftësive profesionale dhe forcimin e kompetencave teknike, drejtuese dhe kontrolluese të administratës komunale. (Duke organizuar trajnime në tema profesionale nga ekspert të fushave nga dy universitetet e Tetovës).

Shpjegim: Diçka e tillë nuk është prezantuar para opinionit nga ana e Komunës.

  • Përcaktimi i dy lokacioneve – pikave grumbulluese të mbeturinave inerte, mobiljeve dhe orendive të ndryshme.

Shpjegim: Diçka e tillë nuk është prezantuar para opinionit nga ana e Komunës.

Këto janë premtimet pjesërisht të realizuara nga 31 pikat e Kasamit:

  • Identifikimi i borxhit të komunës dhe publikimi në ueb-faqe dhe hapësira publike.

Shpjegim: Me 24 nëntor Kasami publikoi borxhin e Komunës së Tetovës i cili në total është 24 milion euro, prej të cilave Komuna ka mbi 14 milion euro borxh, NPK “Tetova” mbi 9.6 milion euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro. Ndërkaq, me 15 dhjetor ky borxh u ngjit edhe në billborde në Tetovë. Ndërkaq në ueb-faqen e Komunës borxhi nuk është publikuar ende.

  • Mbartja e mbeturinave në kohë, pastrimi, larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve gjatë natës.

Shpjegim: Ky premtim është pjesërisht i realizuar pasi në terren mbeturinat herë barten në kohë e herë jo kështu duke u mbushur kontejnerët përplot dhe duke bllokuar trotuaret, ndërkaq pastrimi, larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve gjatë natës bëhet rregullisht nga punonjësit e NPK Tetova.

  • Trotuare dhe hapësira publike të lira. Pronarëve të shitoreve nuk do ju lejohet ekspozimi i mallrave dhe produktet në hapësira publike trotuar, rrugë apo hapësira jo adekuate për shitje.

Shpjegim: Trotuaret përreth Tregut të Gjelbër u liruan me 20 dhjetor, ku shitësit u futën brenda tregut, tani vetëm të enjteve shesin jashtë tregut. Nga hulumtimi i djeshëm në terren nëpër rrugët kryesore të qytetit, vërehet se situata nuk është si më përpare kur trotuaret në disa pjesë ishin komplet të bllokuara, por ende ka pjesë në të cilat shitësit ekspozojnë mallra në trotuare por në sasi më të vogël andaj edhe këtë premtim e vlerësojmë si pjesërisht të realizuar.

  • Pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre. Ato do të duhet të sinjalizojnë një hapësirat hyrëse nëse presin furnizime me mallra.

Shpjegim: Gjatë hulumtimit të djeshëm në terren, pamë se në rrugët kryesore rezervimi i parkingjeve para qyqaneve nuk ishte si më parë, por përsëri ka mangësi dhe shitës të cilët vendosin shenja për rezervim të parkingut para bizneseve të tyre, andaj edhe ky premtim është pjesërisht i realizuar.

Këto janë premtimet e realizuara nga 31 pikat e Kasamit:

  • Detektimi dhe rishikimi i të gjitha kontratave të kundërligjshme me pasoja financiare për komunën.

Shpjegim: Kasami me të ardhur në krye të komunës ndërpreu të gjitha kontratat në vepër dhe më pas publikoi listën e të gjithë kontratave në vepër për vitin 2021.

  • Transmetimi Direkt i seancave të Këshillit komunal.

Shpjegim: Të gjitha seancat e këshillit komunal deri më sot janë transmetuar direkt përmes livestramingut në faqen e Komunës në Facebook.

  • Mbyllja e të gjitha punimeve të hapura të infrastrukturës rrugore në komunën e Tetovës.

Shpjegim: Një nga veprimet e para të cilat Kasami mori me të ardhur në krye të komunës ishte ndërprerja e të gjitha punimeve infrastrukturore në rrugë, kanalizim e ujësjellës nën dyshimin se po kryhen pa standard, për të vazhduar pastaj aty ku ka hapësira për t’u përfunduar.

  • Largimi i shtyllave (sinjalizuese) të korsive për biçikleta.

Shpjegim: Me 17 nëntor u larguan shtyllat sinjalizuese të korsive për biçikleta, pasi për këtë projekt Komuna ka proces gjyqësor. Madje ai ka dorëzuar edhe padi në prokurori kundër ishkryetares Tetuta Arifi për këtë projekt, pasi i njëjti është realizuar në kundërshtim me ligjin.

  • Parkingu i qytetit përkohësisht pa pagesë

Shpjegim: Ky premtim i Kasamit u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme. Parkingu pa pagesë ka zgjatur nga 16 nëntori deri me 1 dhjetor, që i bie dy javë apo konkretisht pesëmbëdhjetë ditë.

  • Orar fleksibil i fillimit të punës nga ora 7.30 gjer ora 8.30 dhe mbarimit të punës nga orën 15.30 gjer në ora 16.30.

Shpjegim: Komuna e Tetovës me 21 janar në përputhje me Kontratën Kolektive për të punësuarit në vetëqeverisjen lokale vendosi vendosur orar fleksibil i punës prej 8 orëve në ditë, orari i plotë i punës fillon ndërmjet orës 7:30 dhe 8:30, kurse përfundon ndërmjet orës 15:30 dhe 16:30.

  • Zero tolerancë për të punësuarit fiktiv dhe keqpërdoruesit e mjeteve publike

Shpjegim: Kasami me të ardhur në krye të komunës ndërpreu të gjitha kontratat në vepër dhe më pas publikoi listën e të gjithë kontratave në vepër për vitin 2021.

  • Lehtësimi i komunikacionit urban duke krijuar skemën e rrugëve njëkahëshe, duke vendosur sinjalizimet adekuate dhe kontrollin adekuat policor.

Shpjegim: Me 20 dhjetor filluan aksionet për rregullimin e komunikacionit në pjesët qendrore të qytetit. Policia e Tetovës nuk lejon veturat të parkohen ilegalisht, konkretisht në bulevardin e Ilindenit dhe rrugën “Marshall Tito. Me 20 janar filloi zbatimi i rregullores së re për rrugët njëkahëshe, ku për këta u vendos sinjalistikë adekuate. Sipas SPB Tetovë numri i total i gjobave të shqiptuara për periudhën nëntor 2021, dhjetor 2021 dhe janar 2022 është 4,737 ndërkaq në nëntor 2020, dhjetor 2020 dhe janar 2021 është 2,993.

  • Ndalimi i qarkullimit komionëve edhe mjeteve transportuese të rënda gjatë ditës në qytet

Shpjegim: Në hyrje të rrugëve kryesore Brenda qytetit janë vendosur tabela kufizuese të cilat ndalojnë qarkullimin e mjeteve të rënda Brenda qytetit nga ora 8 në mëngjes deri ora 19 në mbrëmje.

  • Largimi i veturave dhe mjeteve tjera jo funksionale të parkuara me vite nëpër trotuare, rrugë apo vende tjera publike. 

Shpjegim: Nga kontrolli I djeshëm në terren në rrugët kryesore të qytetit, nuk vërejtëm askund vetura dhe mjete tjera jofunksionale të parkuara andaj këtë premtim e vlerësojmë si të realizuar.

  • Qeverisje përmes qytetarëve – komunikim të drejtpërdrejtë dhe grumbullim ideshë në kohë reale nga qytetarët. Të premten e çdo fundmuaji kryetari i komunës dhe bashkëpunëtorët e tij do të realizojnë takim të hapura me qytetarët rreth ideve dhe kërkesave reale të tyre.

Shpjegim: Deri më tani Kasami ka realizuar disa takime me grupe të ndryshme qytetarëve dhe mërgimtarët, këtë premtim e vlerësojmë si të realizuar pasi takimet janë bërë, por jo ditëve të premte ashtu si u tha.

  • Rishikimi i planit gjeneral urbanistik dhe atyre detale urbanistike.

Shpjegim: Me 12 janar u mbajt takim ndërmjet përfaqësuesve të sektorit, përfaqësuesve të MPB- stacionit policor për sigurinë e komunikacionit rrugor, përfaqësues të Kkëshillit komunal, përfaqësues të lëmive të ndryshme që kanë të bëjnë me projektimim urbanisitik, inxhinerik, gjeodezik. U konkludua që të rishikohet dokumentacioni ekzistues dhe vazhdimi i procedurave të dokumentacionit deri në marrjen e lejeve dhe realizimin e të njëjtave. Ndërsa me 22 janar në Komunë së bashku me komisionin e urbanizmit u diskutua rreth planit gjeneral urbanisitik dhe planeve tjera detale urbanistike.

Këto janë premtimet që janë duke u realizuar nga 31 pikat e Kasamit:

  • Rregullimi dhe kontrollimi i komunikacionit urban. Do angazhohemi maksimalisht në ngritjen e vetëdijes së vozitësve dhe këmbësorëve që të respektojnë rregullat e sjelljes në komunikacion (si shpejtësia, rregullat e qarkullimit në rrethe, mënyrat e ndalesave dhe parkingut etj.) që mos shkaktohen tollovi me rreziqe në komunikacionit si dhe cenimin e jetës së këmbësorëve.

Shpjegim: Me 11 janar komuna e prezantoi planin për krijimin e gjithsej 3,090 parkingjeve të reja të cilat parashihen të realizohen gjatë këtij viti. Ndërkaq, policia e komunikacionit ka intensifikuar kontrollet në komunikacion, sipas SPB Tetovë numri i total i gjobave të shqiptuara për periudhën nëntor 2021, dhjetor 2021 dhe janar 2022 është 4,737 ndërkaq në nëntor 2020, dhjetor 2020 dhe janar 2021 është 2,993. Këtë premtim e vlerësojmë se është në procedurë të realizimit pasi ka filluar të punohet në këtë drejtim.

Këto janë premtimet jokonsekuente nga 31 pikat e Kasamit:

Pikat e poshtëshënuara nuk ka mundësi që të verifikohen në terren andaj për këtë duhet Komuna që të njoftojë për hapat që ka ose nuk ka ndërmarrë së bashku me organet kompetente në realizimin e tyre. Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se janë në procedurë dhe po punojnë për këto pika, por deri në këtë moment nuk kanë të dhëna të sakta pasi raportin e kanë parashikuar pas 20 shkurtit. Komuna na tha se do të na japë përgjigje për këta pika se deri në çfarë faze janë për momentin por deri në këtë moment nuk u përgjijgën andaj këto pika i vlerësojmë si jokonsekuente:

  • Çdo sektorët komunal që i ka grumbulluar lëndët ndër vite duke mos i proceduar ato në kohë në shërbim të qytetarëve do organizohen të punojnë me orar të zgjatur për të proceduar ato.
  • Rishikimi i përshkrimit të vendeve të punës (nëse do jetë e nevojshme do realizohet edhe ri-sistematizim i vendeve të punës). Do rishikohet mundësia e krijimit të një sistemi të matjes së performancës së punës së administratorëve dhe kompensimi në paga.
  • Sanksione-gjoba financiare (përgjegjësi ligjore) për të gjithë ndotësit e ambientit jetësor me mbeturina jashtë kontejnerëve përkatës apo djegien e tyre.
  • Përforcimi i kapaciteteve të komisionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim që për një afat sa më të shkurt të zgjidhen të gjitha lëndët aktive të pa zgjidhura.
  • Detektimi i lejeve të dyshimta dhe ndërprerja e ndërtimeve pa leje.
  • Riorganizimi dhe përforcimi i kapaciteteve të qendrës për ZHEL.

Ndryshe, kjo është metodologjia e vlerësimit të premtimeve:

  • I parealizuar: Në qoftë se premtimi i dhënë nuk ka asnjë aktivitet, gjegjësisht asgjë nuk është realizuar deri në afatin e dhënë.
  • Pjesërisht i realizuar: Janë bërë disa aktivitete për realizimin e premtimit.
  • I realizuar: premtimi është realizuar në tërësi.
  • Duke u realizuar: ka filluar të punohet në realizimin e premtimit
  • Jo konsekuente: Premtim i palogjikshëm për të cilin nuk ekziston mundësi që të kontrollohet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button