Me 63 vota “për” Kuvendi zgjodhi zëvendësministrat e Qeverisë

Me 63 vota “për”, 35 “kundër” dhe pa asnjë të përmbajtur, Kuvendi zgjodhi mbrëmë zëvendësministrat në 16 dikastere qeveritare, transmeton Portalb.mk.

Për dallim nga eshaloni i parë qeveritar, kur për kabinetin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski votuan 62 deputetë, eshaloni i dytë fitoi një votë më shumë nga shumica parlamentare, e cila në fakt numëron 64 deputetë. Gjatë zgjedhjes së ministrave, në seancën parlamentare dhe në aktin e votimit nuk mori pjesë Izet Mexhiti nga BDI, i cili konsiderohet si përfaqësues i “fraksionit” në parti dhe deputetja e LSDM-së, e cila në atë kohë ishte pozitive me kovid-19.

Disa nga zëvendësministrat që u zgjodhën mbrëmë janë të rinj, por shumica prej tyre deri tani kanë qenë në funksione.

  • Për zëvendësministër të mbrojtjes është zgjedhur Bashkim Hasani
  • Për zëvendësministër të Brendshëm Nazim Bushi
  • Për drejtësi Agim Nuhiu
  • Për punë të jashtme Fatmire Isaku
  • Në Ministrinë për financa, për zëvendës ministër është zgjedhur Filip Nikolloski
  • Në Ministrinë e Ekonomisë Zoran Manevski
  • Në Ministrinë e Bujqësisë Abdulshyqyr Abedini
  • Për zëvendës ministër i shëndetësisë është zgjedhur Vlladimir Rendevski
  • Në ministrinë për arsim dhe shkencë për zëvendës është zgjedhur Lulzim Aliu
  • Në ministrinë për punë dhe politikë sociale Enver Huseini
  • Për zëvendësministër për vetëqeverisje lokale është zgjedhur Zoran Dimitrovski
  • Për kulturë Daim Luçi
  • Për shoqëri informatike Aleksandar Bajdevski
  • Për transport dhe lidhje Bekim Rexhepi
  • Për mjedisin jetësor Hristina Oxhakievski
  • Në Ministrinë për sistem politik, zëvendës ministër është zgjedhur Xhabir Doko

Në fjalën përmbyllëse para deputetëve, kryeministri u shpreh se më e rëndësishme është që zëvendësministrat e sapozgjedhur të punojnë me ndershmëri, përkushtim, profesionalizëm dhe efikasitet.

“Kam kërkuar një matricë të tillë, një metodologji të tillë, një sferë të tillë pune, një kontroll dhe përgjegjësi të tillë dhe nuk do të heq dorë për të gjitha postet e larta qeveritare, si për ministrat ashtu edhe për zëvendësministrat. Siç e paralajmërova, ne kemi një plan – me afate, përgjegjësi, bartës detyrash dhe mënyrë për të matur efektet në jetën e qytetarëve. Qasja jonë është e qartë, e sinqertë dhe e matshme. Të gjitha punët – e kaluara, të tashme dhe të ardhshme i njoftoj qartë para publikut dhe pas tyre qëndroj, pasi  imazhi im personal, përgjegjësia dhe sistemi i vlerave për mua janë kriteret kryesore dhe kërkoj që të tjerët të sillen në të njëjtën mënyrë”, tha Kovaçevski.

Nga ana tjetër, opozita akuzoi se mënyra se si janë propozuar zëvendësministrat është joprofesionale, disa prej tyre nuk kanë arsim dhe njohuri adekuate për pozitën e emëruar dhe se shumë prej tyre janë të pushtetit të kaluar, të udhëhequr nga Zoran Zaev. Ky funksion, sipas VMRO-DPMNE-së, është i panevojshëm dhe duhet shfuqizuar. Ata kërkuan sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të keqmenaxhimit të krizës së shkaktuar nga pandemia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button