Lajmet vjetërsohen, por jo edhe milionat

Në fillim të këtij viti u bë bujë e madhe kur të dyshuarit e kalibrit të lartë, ish shefi i shërbimeve sekrete Mijallkov dhe biznesmeni i njohur Kamçev u liruan nga paraburgimi duke lënë garancë të dy nga njëmbëdhjetë milionë euro. Gjyqtarët mund të mos jenë në të njëjtin mendim për shumë gjëra, por siç duket kanë rënë dakord se për “peshqit e mëdhenj” çmimi për të dalë nga paraburgimi nuk mund të jetë më i ulët se njëmbëdhjetë milionë euro. Ajo për të cilën nuk po dakordohen assesi gjyqtarët është të parashtrojnë ndonjë pyetje lidhur me prejardhjen e këtyre parave, veçanërisht kur të njëjtat jepen si garancë për vepra të lidhura me korrupsionin dhe jakat e bardha, ose kur kanë të bëjnë me një person që ka qenë ushtrues i funksionit publik. Me rëndësi është çmimi që duhet paguar dhe jo prejardhja e mjeteve me të cilat është paguar ky çmim. Sepse qëllimi gjithnjë i arsyeton mjetet apo jo? Po qëllimi i tërë këtij procesi cili është, dhe kush do ta arsyetojë atë qëllim?

Ja koha kalon, po kalon muaji i dytë që nga lirimi nga paraburgimi dhe të gjithë janë të lumtur nëpër shtëpitë e tyre. Gjyqtaret në qetësi, të dyshuarit në ngrohtësinë e gjirit familjar, milionat në bankë, lajmet në harresë. Secila çudi zgjat tri ditë dhe më pas e vërteta fillon të zvarritet, njësoj siç zvarriten proceset gjyqësore që nuk kanë të mbaruar. Stinët shkojnë e vinë, seancat gjyqësore shtyhen, një ditë për Covid, tjetrën ditë për diçka tjetër, ndërsa e vërteta vonon të dalë në shesh.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Koha po kalon ndërsa ne ende merremi me raste të cilat moti duhej të kenë një përfundim gjyqësor. Por ja që nuk kanë ende dhe vazhdojnë të zvarriten. Ndoshta për shkak se shumë njerëz që duhet ta vendosin drejtësinë po pengohen nëpër ato milionat e dhëna si garancë. Krijojnë shumë ngatërresa ato miliona, po aq sa krijojnë edhe vonesa.

Çdo proces gjyqësor ku duhet të vendoset praktikë e bartjes së përgjegjësisë për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me procedurë për konfiskim të pasurisë. Çdo përpjekje për vendosjen e drejtësisë dhe përgjegjësisë për këto raste pa vendosur paralelisht edhe masën e konfiskimit të pasurisë së krijuar në mënyrë të kundërligjshme, është përpjekje gjysmake për tu përballur me korrupsionin.

Gjyqtarët duhet të përçojnë mesazhin se korrupsioni nuk ia vlen përkundër mesazhit se ajo që nuk mund të blihet me para, blihet me shumë para.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button