RMV, dekarbonizimi në vendnumëro, shumë plane dhe pak investime në sektorin e energjetikës

Skenari ambicioz i gjelbër i Strategjisë për Zhvillim të Energjetikës, për periudhën deri në vitin 2040, e vendosoi Maqedoninë e Veriut në pozitën e liderit në rajon kur është fjala për dekarbonizimin dhe zhvillimin e gjelbër në sektorin e energjetikës. Megjithatë, ajo që e parashikon dokumenti dhe ajo që e shohim në terren, sidomos nga fillimi i krizës energjetike, nuk dallon shumë prej viteve të kaluara. Vazhdojnë të funksionojnë termocentralet e linjitit, madje edhe TC Oslomej, për të cilin Strategjia, në të tre skenarët, parashikon mbyllje të menjëhershme, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kriza energjetike me të cilën po përballemi, si pasojë e pandemisë pothuajse dyvjeçare me Kovid 19, e detyroi vendin të aktivizojë TC Negotina, kapacitet që punon me mazut, karburant jashtëzakonisht ndotës. Arsyet për këtë, organizatat civile dhe ekspertë të energjetikës, i shohin në faktin se vendi është vonë me të gjithë hapat e vërtetë në fushën e energjetikës.

Përpjekjet për riorientim drejt burimeve të reja të rinovueshme të energjisë, sipas Qendrës për Kërkime dhe Informacione për Mjedisin Jetësor, “Eko Vetëdija” (Eko Svest), siç janë dielli dhe era, janë të kufizuara nga pengesat si favorizimi i hidrocentraleve të vogla në sistemin për mbështetje të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe ato me procedura të ndërlikuara administrative për instalimin e paneleve fotovoltaike në çatitë e shtëpive.

Gjithashtu, mundësitë për kooperativat energjetike të themeluara nga qytetarët, edhe pse nuk janë të ndaluara me ligj, nuk janë të rregulluara sa duhet për të filluar të funksionojnë. Në këto kushte, vlerësojnë ambientalistët, ardhja e krizës energjetike vetëm sa e forcon varësinë nga qymyri, që me siguri nuk do të ishte problem aq i madh nëse investimet në këtë sektor gjatë 30 viteve të fundit do të bëheshin në përputhje me planet strategjike.

“Lëndët djegëse fosile nuk janë dhe nuk mund të jenë opsion. Ne s’kemi rezerva dhe s’mund të mbështetemi as në import, gjë që konfirmohet edhe më tej nga situata me energjinë e rinovueshme, padyshim që do të ishte më fitimprurëse t’i përdorim ato në këtë situatë, në vend që të importojmë qymyr për përdorim në termocentrale”, tha Nevena Smilevska nga “Eko Vetëdija”.

Duke marrë parasysh situatën aktuale, karburantet fosile duket se do të jenë burimi ynë kryesor për prodhimin e energjisë elektrike në dhjetë vitet e ardhshme, vlerësojnë na Qendra për Ndryshime Klimatike.

Kriza energjetike, thonë ata, duhet të jetë një nxitje që vendimmarrësit të fillojnë seriozisht të planifikojnë investimeve në sektorin e energjetikës, duke përfshirë investimet në furnizim me nxehtësi, duke qenë se shumë amvisëri e përdorin energjinë elektrike për ngrohje.

Duke qenë se prodhimi ynë tradicionalisht bazohet në linjit, shteti viteve të fundit nuk ka bërë pothuajse asgjë në fushën e ndërtimit të objekteve të reja jo vetëm në fushën e burimeve të rinovueshme, por as nuk e ka përdorur gazin natyror si lëndë djegëse kalimtare në drejtim të dekarbonizimt për një afat të gjatë.

“Nëse do të kishim investuar në burime të rinovueshme, ndikimi në furnizimin me energji do të ishte më i vogël. Shteti, përveç investimeve në energjinë e erës me kapacitet të instaluar modest, nuk ka bërë asnjë investim tjetër deri tani. Ne nuk kemi centrale elektrike solare shtetërore, pra janë të gjitha investime private për të cilat shteti siguron mjete financiare shtesë, subvencione dhe që nuk kontribuojnë në furnizim të qëndrueshëm me energji. Është e nevojshme që shteti të fillojë investimet e tij në burimet e rinovueshme të energjisë, p.sh. parqet e erës, centrale fotovoltaike, sisteme për ruajtje të energjisë etj., ashtu që të mund të realizojë tranzicionin energjetik në mënyrë të pranueshme dhe të sigurt”. tha Bojana Stanojevska – Pecurovska.

Skenari i gjelbër është përcaktim strategjik që duhet ta arrijmë dhe rruga në atë drejtim do të jetë e vështirë dhe sigurisht me pengesa të shumta. Ekspertët e kësaj organizate besojnë se po rezulton të jetë tepër ambicioze dhe se po neglizhohet jë shtyllë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik, sigurinë energjetike.

“Skenarin e gjelbër duhet të arrijmë gjatë 20 viteve të ardhshme dhe kriza energjetike është vetëm një episod i vogël që do ta kapërcejmë dhe do ta përfundojmë. Çështja është se çfarë do të bëjë shteti kur të kthehemi në normalitet dhe nëse kriza do të jetë një “sinjal i gjelbër” për investime më serioze në sistemin energjetik në plan afatgjatë”, vë në pah Stanojevska-Pecurovska.

Zbatimi urgjent i të gjitha masave të planifikuara, në vend se të shtyhen pafundësisht, është e vetmja rrugë për të arritur objektivat e skenarit të gjelbër, vlerësojnë nga “Eko vetëdija”. Kjo do të thotë se duhet urgjentisht të bëhen planet e duhura për tranzicion të drejtë atje ku ka termocentrale me qymyr, në rajonin e Kërçovës, Manastirit dhe Negotinës dhe të planifikohen mënyra të tjera të zhvillimit të tyre që nuk do të varen nga sektori energjetik që termocentralet të mund të mbyllen sipas dinamikës së planifikuar me strategjinë.

Sipas Smilevskës, nuk guxon të insistohet me çdo kusht të bëhet gazifikimi i amvisërive, sepse me atë hap mbetemi të varur, në afat të gjatë, nga lëndët djegëse fosile siç është gazi, çmimi i lartë i të cilit është shtytësi kryesor i krizës aktuale energjetike në Evropë. Në vend të kësaj duhet të shfrytëzohet maksimalisht toka e degraduar, si minierat e vjetra dhe deponitë, për të ndërtuar centrale të mëdha fotovoltaike.

“Procedurat për instalimin e paneleve fotovoltaike në çatitë e shtëpive duhet të thjeshtohen dhe të hiqet kufiri i energjisë elektrike, si dhe t’u lejohet familjeve të shesin energjinë e tepërt të prodhuar në vend që t’ia dorëzojnë sistemit. Nëse nuk realizohen të gjitha ato plane, do të mbetemi këtu ku jemi tani – të varur nga thëngjilli, që është njëlloj sikur të mos kesh plan”, thotë Smilevska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button