Ish-gruaja theu xhamat e kioskës së sekretarit të Qendrës bullgare në Manastir – Petkovi zhvilloi bisedë me Kovaçevskin

Dëmtime të një kioske ku shiten lule dhe qirinj pranë kishës “Shën Nedela” në Manastir mund të nxisë akuza të reja për jotolerancë ndaj bullgarëve në vend. Përndryshe, objektit të përkohshëm në pronësi të sekretarit të Qendrës kulturore bullgare “Ivan Mihajllov” në Manastir, dje i janë thyer xhamat. Rastin nuk e ka denoncuar vetëm në SPB, por edhe në Konsullatën e përgjithshme të Bullgarisë në Manastir, që më vonë u kuptua se ishte vepër e ish-bashkëshortes së sekretarit për shkak të keqkuptimeve të tyre të ndërsjella, transmeton Portalb.mk.

Nga Qendra “Ivan Mihajllov” dje fillimisht në Facebook njoftoi se është sulmuar objekti i Sekretarit të qendrës, për çka është bërë kallëzim edhe në SPB edhe në Konsullatën e përgjithshme të Bullgarisë në Manastir me shpresën se “autorët do të identifikohet dhe sanksionohet sa më shpejt!!!“. Në postim shkruan:”Edhe një herë nevojitet të pyesim veten nëse është vetëm vepër vandale dhe kriminale apo bëhet fjalë për diçka tjetër!”. Nën postim ka një valë komentesh me akuza dhe gjuhë urrejtjeje ndaj maqedonasve.

Por akuzat u rrëzuan pasi ish-bashkëshortja e sekretarit u shfaq në rrjetet sociale dhe pranoi se kishte dëmtuar ndërtesën. Këtë ajo e ka pranuar edhe në polici.

Sot edhe SPB Manastir njoftoi se B. Sh. (44) nga fshati Brusnik, rajoni i Manastirit, ka raportuar se me send të fortë është dëmtuar xhami i hyrjes së një objekti të përkohshëm (kioskë). Punonjësit e policisë morën masa dhe u konstatua se autori ishte ish-bashkëshortja e tij, e cila në një bisedë zyrtare me punonjësit e policisë ka pranuar veprën dhe ka shpjeguar se e ka bërë për shkak të keqkuptimeve të tyre.

Pikërisht Qendra kulturore “Ivan Mihajlov” në qendër të Manastirit është duke përgatitur hapësirat për hapjen e klubit “Vanço Mihajlov VMRO”. Vitin e kaluar tronditi opinionin me një letër dërguar udhëheqsisë shtetërore bullgare dhe ambasadave të SHBA-së, BE-së, Portugalisë dhe Gjermanisë në vend, me pretendimin se kishin frikë të deklaroheshin si bullgarë maqedonas dhe se po përballeshin me bullgarofobi.

Ndërkohë kryeministri bullgar Kiril Petkov ka telefonuar mbrëmë homologun e tij maqedonas Dimitar Kovaçevski lidhur me dy incidentet të ndodhura këto ditë, të cilat janë vendosur në kontekst politik për marrëdhëniet Shkup-Sofje.

Për bisedën telefonike me Petkovin, Kovaçevski informoi sot në mëngjes, pas vizitës në kompaninë “Textile solution”. Ai tha se kryeministri bullgar është interesuar për rastin e heqjes së shiritave nga kurorat që delegacionet bullgare vendosën mbi varrin e Goce Dellçevit në përkujtimin e 150 vjetorit të lindjes së tij.

“E informova se MPB-ja është duke bërë punë hetimore”, tha Kovaçevski.

Petkov ishte interesuar edhe për rastin në Manastir, ku ishte thyer xhami i Qendrës kulturore bullgare “Ivan Mihajlov”.

“Në Manastir, sipas komunikatës së MPB-së, ka rezultuar se nuk bëhet fjalë për incident politik, por për incident të motivuar për shkaqe të tjera – private, për të cilën personi që e ka bërë tashmë ka dhënë deklaratë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se Ministritë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë dhe Bullgarisë janë përgjegjëse për çështjet e hapura politike dhe takim do të zhvillojnë më 10 dhe 11 shkurt.

“Ata do të punojnë dhe do të diskutojnë çështje të hapura dhe nëse do të ketë përparim për të dyja palët, bazuar në vlerat evropiane dhe respektin reciprok, atëherë Ministria e Jashtme do të njoftojë, njësoj siç iu drejtua ministri i Punëve të Jashtme në Komisionin e Punëve të Jashtme në Parlamenti”, tha Kovaçevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button