RMV, të dielën do të mbahet marsh për të drejta më të mëdha të nënave vetëushqyese dhe fëmijëve të tyre

Organizata “Një mundet” organizon marshin e parë protestues në historinë e Maqedonisë kushtuar nënave vetëushqyese. Nga atje u bëjnë thirrje të gjithë atyre që duan t’i mbështesin të dielën më 13 shkurt në ora 13, grumbullimi në lokacionin fillestar të parkut “Gruaja luftëtare” në Shkup. Pjesëmarrësit do të lëvizin në mënyrë të rregullt në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë dëshirojmë të shprehim dhe paraqesim imazhin e familjeve vetëushqyese dhe me një prind para gjithë publikut dhe të gjithë aktorëve të shoqërisë në Maqedoni. Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të gjithëve, qofshin prindër të vetëm, partnerë të divorcuar, individë, mbështetës, të rinj dhe të rritur, gazetarë dhe reporterë, të punësuar dhe të papunë, figura publike dhe politikanë. Tema e familjeve vetëushqyese dhe me një prind nuk duhet të jetë tabu. Jo më”, thuhet në komunikatën e “Një mundet”.

Ata kërkojnë rritje të ndihmës sociale, ndihmës për fëmijë dhe shtesës arsimor për të gjithë fëmijët e familjeve me një prind, si dhe kërkojnë që qendrat sociale të veprojnë në përputhje me rregullat ligjore kur vendosin se kujt do t’i përkasë fëmija dhe mbi çfarë baze.

Kjo organizatë kërkon që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të përcaktojë në ligjet përkatëse në mënyrë të përshtatshme termat “prind vetëushqyes” dhe “familje me një prind”. Ata kërkojnë që t’iu ndihmohet nënave vetëushqyese zgjidhjen e problemit të strehimit, duke siguruar banesa sociale ose duke dhënë kredi për banim pa interes dhe pa participim, si dhe të krijojnë mekanizma për punësim cilësor të nënave vetëushqyese.

“Në vend nuk ka asnjë arkiv të familjeve me një prindër, nënave vetëushqyese dhe fëmijëve që përdorin shërbimet e Qendrës për punë sociale. Është e nevojshme të vlerësohen nevojat e nënave vetëushqyese dhe të ndihmohen ato. Atyre iu nevojitet ndërhyrje në gjendje krize, mbështetje psikosociale dhe këshillim ligjor, kurse gjithashtu kujdes ndaj fëmijëve gjatë orëve të pasdites, si dhe fuqizimin e grave dhe fëmijëve përmes qasjes në trajnime, këshillim familjar dhe prindëror”, qëndron në propozimin e organizatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button