Tetovë, ulje drastike e interesimit për t’u vaksinuar (Video)

Situata me Covid-19 në qytetin e Tetovës sipas autoriteteve të Spitalit të Tetovës është stabile, pasi numri i pacientëve të cilët shkojnë për t’u kontrolluar është duke u zvogëluar. Nga ana tjetër, edhe interesi i qytetarëve në Tetovë për t’u vaksinuar shkon duke u ulur, shkruan Portalb.mk.

Nga Spitali i Tetovës thonë se gjendemi në situatë ku përveç Covid-19 në qarkullim është edhe gripi sezonal.

Hasan Iljazi
Hasan Iljazi

“Numri i pacientëve ambluantor shkon duke u zvogëluar, në 24 orët e fundit nga personeli mjekësor në repartin infektiv janë kontrolluar rreth 28 pacientë, asnjë prej tyre nuk është diagnostikuar me Covid-19. Prej të gjithë kontrolleve në javën e fundit, rreth 4 përqind e tyre kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Në spitalin klinik të Tetovës për momentin të hospitalizuar janë 11 pacientë ku të gjithë janë të vendosur në oksigjen të cilët kanë edhe sëmundje tjera kronike që ua vështirëson gjendjen, pacientët janë mbi 40 vjeç të cilët dje i vizitoi ministri i Shëndetësisë bashkë me komisionin për sëmundje infektive”, tha Hasan Iljazi nga Spitali i Tetovës.

Interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar ka rënë gjatë javës së fundit, kështu shprehet mjeku Besnik Mustafai nga pika e vaksinimit.

Besnik Mustafai
Besnik Mustafai

“Ditëve të fundit në Tetovë vërehet një ulje drastike e interesit të qytetarëve për t’u vaksinuar. Brenda javës së fundit kemi të vaksinuar afër 600 qytetarë, ku këtu llogariten me doze të parë, të dytë dhe të tretë. Interesi më i vogël i qytetarëve është për vaksinim me dozën e parë ku kemi përafërsisht vetëm rreth 15-20% të këtij numri që janë me dozën e parë. Zakonisht shumica janë pacientë që vijnë të vaksinohen me dozën e tretë. Interesi më i ulët i vazhdon të jetë i grup moshës nën 30 vjeçe për të marrë dozën e parë”, tha Mustafai.

Sipas tij, përafërsisht numri i të vaksinuarve të përgjithshëm në rajonin e Pollogut është mbi 58% të qytetarëve me të dy dozat, ku afër mbi 160 mijë vaksina janë aplikuar.

Nga ana tjetër, qytetarët të cilët shkojnë të vaksinohen pas orës pesë ka gjasa që të mos e marrin vaksinën pasi duhet të bëhen gjashtë persona që të hapet një paketë vaksinash e cila përmban gjashtë doza. I pyetur se pse ndodh kështu, mjeku Mustafai u përgjigj kështu:

“Për aplikimin e një vaksine detyrimisht merret tretet një flakon i vaksinës, gjatë tretjes së flakonit prej një flakoni të vaksinës Pfizer  ka gjashtë doza dhe për tu hapur flakoni detyrimisht duhet të bëhen  gjashtë persona për shkak se ne nuk mund t’i hedhim pastaj dozat na ngelin sepse pas hapjes së flakonit një dozë e tretur mund të qëndrojë deri në 45 minuta apo një orë në frigorifer, dhe nëse e kalon atë periudhë me automatizëm duhet të hedhet, kjo është arsyeja që qytetarët që vijnë mbas orës 5:30-6 në mbrëmje nuk munden menjëherë ta marrin por duhet të presin që ta marrin që të bëhen 6 qytetarë që të vaksinohen, përndryshe duhet të presin ditën e ardhshme për t’u vaksinuar.”

Pika e vaksinimit në Tetovë te Shtëpia e Shëndetit punon nga ora tetë në mëngjes deri ora gjashtë e gjys në mbrëmje.

Ndryshe, dje sipas informatave nga ministria e Shëndetësisë u regjistruan dy të vdekur nga Tetova me Covid-19, 56 raste të reja të infektimit, 23 të shëruar ndërsa numri i rasteve aktive është 450. Që nga fillimi i pandemisë në Tetovë me Covid-19 janë infektuar gjithsej 12,761 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button