ANALIZË: VITI BANKAR 2022: Lehtësim i kushteve të kreditimit, rritje e kërkesës nga qytetarët, ulje e kërkesës nga kompanitë!

Kushtet e kreditimit do të lehtësohen, kërkesa për kredi nga ana e amvisërive do të rritet – këto janë një pjesë e pritshmërive të bankierëve, të shënuara në anketën e re për aktivitetin kreditues. Në fund të vitit 2021, totali i kredive arriti në pothuajse 6,3 miliardë euro – nga të cilat pothuajse 52% ishin kredi për persona fizikë dhe 48% e mbetur ishin kredi për sektorin e korporatave.  Vitin e kaluar u regjistrua rënie e kamatave të kredive, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kreditimi për amvisëritë – janë ulur borxhet e kartave të kreditit…

Në fund të dhjetorit 2021, amvisëritë u kanë pasur borxh bankave gjithsej 3,24 miliardë euro. Vitin e kaluar është shënuar rritje e aktivitetit kreditues për amvisëritë, me ç’rast rritje më të lartë kishte te kreditë konsumatore dhe ato për banesa.

“Në nivel vjetor, kreditë për amvisëritë u rritën për 7,8%, si rezultat i rritjes së kredive në denarë dhe në valutë të huaj, me një kontribut më të madh të kredive në denarë. Analizuar sipas qëllimit të kredive që u janë miratuar personave fizikë, te kategoritë më të përfaqësuara – kreditë konsumatore dhe ato banesore është regjistruar rritje vjetore prej 7,2% dhe 15,5%, respektivisht” – theksojnë nga Banka Popullore.

Kreditë e dhëna për personat fizikë

Sipas analizës së Portalb.mk bazuar në të dhënat, vitin e kaluar qytetarët tentuan t’i ulin borxhet në kartat e kreditit, ndërsa borxhi në bilancet negative u rrit. Konkretisht, kreditë e dhëna për karta të kreditit janë ulur për 8,5% në bazë vjetore, ndërsa nga ana tjetër, bilancet negative në llogaritë rrjedhëse janë rritur për 1,5%. Rritje e madhe prej 32,5% është regjistruar në kreditë e miratuara “mbi baza të tjera”.

Viti i kaluar kaloi në shenjën e lehtësimit të kushteve për kreditimin e personave fizikë dhe sipas bankierëve ky trend pritet të vazhdojë edhe në vitin 2022.

“Për tremujorin e parë të vitit 2022, bankat presin lehtësim të mëtejshëm neto të kushteve të kredive për amvisëritë. Përqindja e kamatës për kreditë për banesa dhe kredi konsumatore ka vijuar të shënojë lehtësim neto. Nga aspekti i kushteve të tjera të kredive, provizionet (për kreditë për banesa) dhe të ardhurat pa interes (për kreditë konsumatore) vazhdojnë të shfaqin lehtësim neto, por më të forta te provizionet krahasuar me anketën e mëparshme. Detyrimet për sigurim te kreditë për banesa tregojnë një shtrëngim të mëtejshëm neto”-  vlerësojnë bankierët për nevojat e anketës dhe theksojnë se konkurrenca mes bankave është faktori kyç që e dikton tendencën e lehtësimit të kushteve të kredive.

Në muajin dhjetor, përqindja mesatare e kamatës së kredive për amvisëritë ishte 5,18%, dhe në bazë vjetore, përqindja e kamatës së kredive të përgjithshme të amvisërive është ulur për 0,28%.

Kreditimi i kompanive – 62% e kredive në denarë…

Aktiviteti kreditues i kompanive me ritëm më të shpejtë se te personat fizikë – në fund të vitit të kaluar, sektori i korporatave bankave u kishte borxh 2,99 miliardë euro për shkak të kredive.

“Në dhjetor kreditë e përgjithshme të sektorit të korporatave shënuan rritje mujore dhe vjetore prej 3,1% dhe 8,7%, përkatësisht. Analizuar sipas valutës, është realizuar rritje e kredive në denarë dhe në valutë të huaj, me kontribut më të madh të kredive në denarë në ndryshimin mujor dhe vjetor” – njoftuan nga BPRM-ja.

Ndryshe nga viti i kaluar – këtë vit, sipas bankierëve, kërkesat për kredi nga kompanitë pritet të ulen, por nga ana tjetër pritet lehtësim i kushteve të kreditimit.

“Për tremujorin e parë të vitit 2022, bankat presin një ulje të lehtë neto të kërkesës për kredi nga ana e kompanive. “Për tremujorin e parë të vitit 2022, bankat presin një lehtësim të moderuar neto të kushteve të kreditimit për miratimin e kredive për korporatat” – thuhet në anketë.

Në dhjetor të vitit 2021, rroga mesatare e totalit të kredive të miratuara për sektorin e korporatave ishte 3,48%, me ulje prej 0,24% në nivel vjetor.

KREDITË E MIRATUARA PËR SEKTORIN E KORPORATAVE NË RMV

Pjesa më e madhe ose 62% e kredive për kompanitë janë në valutë vendase, ndërsa 38% të tjerat janë në valutë të huaj. Në vitin bankar 2021, rritja vjetore e kredive të përgjithshme ishte 8,3%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button