Dr. Ivana Stojanoska: Te ne të gjithë janë “onlajn mjekë” dhe nuk i respektojnë këshillat e mjekëve

Numri i pacientëve me kovid , varësisht nga dita-në-ditë po ndryshon. Vala e re e virusit filloi me zbulimin e llojit Omikron si një tjetër mutacion që u regjistrua në mbarë botën në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Omikron ka një pasqyrë klinike më të dobët te pacientët dhe një javë më parë autoritetet vendosën të reduktojnë me tre ditë izolimin e rasteve asimptomatike, ndërsa aktualisht pacientët pa simptoma qëndrojnë të izoluar shtatë ditë. Për mënyrën si bartet ky lloj i kovidit, sa është i rrezikshëm sidomos tek të rinjtë dhe cila është mënyra e kujdesit që të shmangen pasojat e kësaj vale të re bisedojmë me mjeken familjare Ivana Stojanoska, doktoreshë e mjekësisë së përgjithshme, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në kohë pandemie kur vazhdimisht po shfaqen variacione të reja të sëmundjes kovid-19, e cila shkaktohet nga koronavirusi, sa shqetësuese është shfaqja e llojit të ri Omikron?

Unë mendoj se është tashmë e qartë që nëse jeni të vaksinuar, veçanërisht me dozë përforcuese, soji i ri Omikron shkakton simptoma të lehta. Varianti Omikron nuk ka pasqyrë të rëndë klinike si varianti Delta. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë të vazhdojë respektimi i rregullave të mbrojtjes nga virusi, masat që tashmë janë të njohura – mbajtja e maskës, distanca dhe shmangia e grumbullimeve të mëdha, krejt kjo me qëllim që situata të mos dalë jashtë kontrollit.

Si dallon Omikroni nga llojet e tjera?

Konkluzioni është se njerëzit e infektuar me variantin Omikron zhvillojnë më shpejtë pasqyrë klinike dhe kanë simptoma që janë të ndryshme nga llojet e mëparshme, por të ngjashme me ftohjen. Periudha e inkubacionit është shumë më e shkurtër se te llojet e mëparshme, mesatarisht brenda tre ditësh madje edhe më pak.

Nëse ndonjë person infektohet, çfarë mund të pret, cilat janë simptomat kryesore të mutacioni të ri të koronavirusit?

Simptomat më të zakonshme dhe fillestare që hasen në praktikë janë lodhja, zënia dhe rrjedhja e hundës, kolla dhe dhimbje e kokës, ndërsa mund të shfaqet edhe dhimbje fyti, rrallëherë edhe temperaturë e lartë. Megjithatë, duhet theksuar se shumë e rrallë ndodhë që personat e infektuar të humbasin shqisën e nuhatjes dhe shijes, gjë që nuk ishte rasti me variantet e mëparshme.

Dr. Ivana Stojanoska, arkivi personal

Sa janë të rinjtë vërtet në rrezik kur bëhet fjalë për Omikronin?

Ky variant i prek si të vaksinuarit ashtu edhe të pavaksinuarit edhe ata që tashmë e kanë kaluar infeksionin kovid. Në kushte reale, popullsia e re nuk do të kursehet. Sepse i shpërfillin të gjitha protokollet, vetëm sepse mendojnë që ky lloj nuk shkakton sëmundje të rëndë dhe se do të kalojnë lehtësisht, por përkundrazi kjo nuk mund të thuhet me siguri. Aktualisht, të rinjtë e përhapin virusin më shpejt sepse shpesh janë asimptomatikë ose me ndonjë simptomë më të lehtë që ata nuk e konsiderojnë të rëndësishme. Pas dy vitesh izolim dhe variante të ndryshme të virusit, të gjithë jemi të rraskapitur dhe nuk respektojmë plotësisht masat, që fatkeqësisht është një tjetër arsye plus për përhapjen e mëtejshme të virusit.

A i respektojnë dhe sa të rinjtë dhe pacientët e tjerë rekomandimet e mjekëve?

Është shumë e vështirë të jesh mjek i ri në këtë kohë të pandemisë me kovid. Ne, të cilët çdo ditë po përpiqemi të bëjmë diçka më të mirë për shoqërinë, ne jemi ata që gjithmonë përballemi me njerëz të cilët nuk kanë besim as në sistemin as në shëndetësi. Duke i marrë parasysh të gjitha është shumë e vështirë të thuhet se sa ata pacientë, të cilët do t’i informoni dhe edukoni për sëmundjen, do t’i respektojnë rekomandimet. E dimë shumë mirë se tek ne të gjithë janë “onlajn mjekë”, ndërsa vetëm një përqindje shumë e vogël e atyre që do të vijnë dhe do të respektojnë këshillat e mjekut, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrjen e antibiotikëve që lidhen me këtë variacion të kovidit.

Ndikimi i internetit sot nuk mund të kontrollohet, sidomos në situatën aktuale me dezinformatat që po përhapen për virusin dhe trajtimin. A ndodh të keni pacientë të cilët vijnë “të përgatitur” dhe të informuar onlajn dhe si ia dilni me ata?

Në praktikën time, shumë rrallë kam pacientë që e kanë hulumtuar sëmundjen, veçanërisht jo nga burime të besueshme. Më së shpeshti ka pacientë të cilët i marrin ilaçet vetë, pa ekzaminim paraprak apo analiza shtesë. Megjithatë, të dyja qasjet janë të gabuara! Duhet të telefononi te mjeku menjëherë sapo të shfaqet një simptomë, sepse jo gjithçka që shkruhet në internet është informacion i saktë dhe i verifikuar.

Cilat janë pasojat kryesore që i shkakton Omikroni?

Sëmundja mbetet kryesisht në traktin e sipërm të frymëmarrjes. Siç thash, më shumë i ngjan ftohjes. Kjo ndodh te ata që janë vaksinuar, megjithatë te ata që nuk kanë marrë dozë përforcuese, ose te personat që kanë qenë të infektuar më parë me kovid, simptomat tipike janë më të përforcuara, ethet nga temperatura janë më të shpeshta dhe ndihet lodhje më e madhe.

Ka studime që sugjerojnë se Omikroni nuk depërton aq thellë në mushkëri si llojet e mëparshme, duke sugjeruar se shkakton më shumë bronkit akut e më pak pneumoni si ata të mëparshmit.

A mund të kenë pasoja më të mëdha personat e pavaksinuar ose reflektohet individualisht?

Aktualisht nuk ka të dhëna të mjaftueshme se çka shkakton Omikroni tek të pavaksinuarit, pasi kërkimet e deritanishme janë bazuar kryesisht në individë të rinj të vaksinuar. Të dhënat tregojnë se shumica e të shtruarve në spitale dhe të vdekurve kanë qenë të pavaksinuar. Këtu më duhet të theksoj se e gjithë kjo reflektohet individualisht, megjithatë të pavaksinuarit vetë lënë një dritare për pasoja më të mëdha.

Sa rekomandohet doza “booster” për të rinjtë të cilët janë të vaksinuar?

Të gjithë të rinjtë që janë vaksinuar më parë, qoftë 3 muaj pas dozës së dytë – nëse kanë pranuar Sinovak/Sinofarm, ose 6 muaj pas pranimit të vaksinës së fundit Pfizer/AstraZeneka, i inkurajoj që të vaksinohen me booster dozë.

Këtu do të citoj të respektuarin prof. Dr. Dragan Danillovski:

Doza përforcuese rrit nivelin e mbrojtjes kundër infeksionit Omikron rreth 50%, nga shtrirja në spital mbron rreth 90% dhe nga vdekjen më shumë se 90%. Fatkeqësisht tek ne mbulimi me booster dozë është simbolik”.

Ndaj i inkurajoj të rinjtë që të jenë shembull në këtë luftë kundër pandemisë dhe të bëjnë atë që dimë se funksionon, të mbrojnë para së gjithash veten, e me këtë edhe të dashurit e tyre.

Cila grupmoshë është më e ndjeshme ndaj infeksionit me fluron? A ka rrezik nga ky infeksion?

Për lexuesit që nuk e dinë Fluron është sëmundje që në fakt shfaqet në trup kur koronavirusi dhe virusi i gripit janë të pranishëm në të njëjtën kohë,.

Para së gjithash, është me rëndësi të theksohet se nuk është e lehtë të përcaktohet ekzistenca e të dy viruseve pa diagnozë laboratorike. Çdo grupmoshë është e ndjeshme ndaj infeksionit me fluor, veçanërisht ata me sëmundje kronike. Natyrisht që ekziston rreziku i këtij infeksioni sepse jemi në një periudhë kur të dy viruset janë të përhapur. Nëse një person është tashmë i infektuar me kovid, simptomat e fluronit zhvillohen më ngadalë. Deri më tani në Maqedoni është regjistruar vetëm një person me fluron. Për të përcaktuar vetë sëmundjen është e nevojshme të bëhen analiza në laboratorë privatë, ndaj në këto kushte është më e vështirë të jepet më shumë informacion për infeksionin.

Cilat janë rekomandimet tuaja nëse një person infektohet me fluron?

Trajtim të duhur dhe të përshtatshëm për infeksion në të njëjtën kohë me grip dhe koronavirus mund të përshkruajë vetëm nga mjeku, sepse bëhet fjalë për ilaçe antivirale, duke marrë parasysh simptomat, moshën dhe sëmundjet ekzistuese të pacientit. Simptomat e lehta të fluronit mund të trajtohen në shtëpi dhe nuk ka nevojë për trajtim në spital, por nëse ka simptoma më të rënda si pneumoni, është me rëndësi trajtimi të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe përmbajtje e rreptë e rekomandimeve të trajtimit. Sa i përket izolimit, vlejnë rregullat e njëjta sikurse për infektimin me virusin kovid.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button