fbpx

Apeli ua hoqi masën e arrestit shtëpiak Dragi Rashkovskit dhe Trajko Veljanoskit

Gjykata e Apelit në Shkup dje solli vendim që t’i pranojë garancitë dhe t’ua heqë paraburgimin ish-sekretarit të përgjithshëm të qeverisë Dragi Rashkovski dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski, transmeton Portalb.mk.

Rashkovski është liruar me garanci prej 192.980 euro, konfirmuan nga Apeli për “360 gradë”. Garancia, sipas informacioneve të kësaj medie, përbëhet nga patundshmëri në Strumicë dhe një banesë në Shkup.

Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare dhe pastrim parash në një çështje që ka të bëjë me prokurimet e kryera nga Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë rreth dy softuerëve – për kundërvajtjet në trafik dhe për identifikim biometrik, si dhe pagesën e honorareve nga të cilat, sipas prokurorisë, ish-sekretari i përgjithshëm një pjesë e kishte marrë për vete. Procesi gjyqësor duhej të fillonte më 25 janar, por u shty për 24 shkurt, pasi një pjesë e dosjes së lëndës ndodhet në Apel, e cila duhet të vendosë për ankesat për bllokimin e pasurisë dhe provat, por edhe për shkak se njëri nga të pandehurit mungonte në seancën e parë.

Rashkovskit pas hapjes së hetimeve më 16 prill të vitit të kaluar i është caktua masa e arrestit shtëpiak, por pas ankesës së Prokurorisë vendimi u pezullua dhe pesë ditë më vonë mori paraburgim efektiv në burgun e Shkupit në Shuto Orizarë. Megjithatë aty qëndroi rreth një muaj e gjysmë pasi4 qershor 2021, me vendim të Apelit, masa e paraburgimit efektiv i është zëvendësuar me arrest shtëpiak. Rashkovski edhe atëherë ofroi garanci për t’u mbrojtur në liri, por rreth 500.000 euro, por u refuzua. Në arrest shtëpiak ai ka qëndruar deri dje.

Trajko Veljanoski, nga ana tjetër, ndodhej në arrest shtëpiak për rastin e njohur në opinion si “Organizatorët e 27 Prillit”. Në këtë rast, me aktgjykim të Gjykatës Themelore Penale Shkup të shpallur më 26 korrik të vitit të kaluar, ai është dënuar me 6,5 vjet burg. Aktgjykimi nuk është ende i formës së prerë, pasi Gjykata e Apelit duhet të vendosë për ankesat e paraqitura nga palët.

Garancia e ofruar nga Veljanoski për të dalë nga paraburgimi është 209.791 euro dhe sipas informacioneve të 360 gradë përbëhet nga patundshmëri, gjegjësisht bëhet fjalë për shtëpinë në të cilën jeton.

Edhe për Rashkovskin edhe Veljanoskin janë caktuar masat e sigurimit: konfiskimi i pasaportave dhe detyrimi për t’u paraqitur në gjykatë në kohë të caktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button