fbpx

Mesazhet e Amerikës dhe Evropës për Asociacionin në dy vizitat e fundit në Kosovë

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar përfshirjen e tyre në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Kallxo. Brenda 8 muajve, Kosovën e vizituan dy herë, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak si dhe emisari i SHBA-së Mathew Palmer e pastaj edhe Gabriel Escobar, që ka marrë detyrën në nëntor të viti të kaluar.

Kryefjala e këtyre vizitave është marrëveshja e vitit 2015, e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Bashkimi Evropian dhe SHBA-të në këto dy takime treguan se janë unik në procesin e dialogut. Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit ndërsa ShBA si përkrahëse.

Të tre emisarët, në vizitat e tyre u përkujdesën që Kosovës t’ia rikujtojnë që duhet ta zbatojnë Marrëveshje e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por pa treguar modele sesi duhet zbatuar kjo marrëveshje.

Escobar sot theksoi SHBA-të nuk kanë ardhur për të imponuar modele për zbatimin e marrëveshjes së asociacionit.

“Nuk duhet të jenë modele që minojnë sovranitetin e Kosovës dhe funksionalitetin. Pra, ne duhet të gjejmë një prej këtyre modeleve. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe palët mund të pajtohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një ose të zgjedhë një model në emër të palëve. Megjithatë, ne mund të ndihmojmë, nëse ka modele që ata do të duan të eksplorojnë”, tha Escobar këtë të mërkure në konferencë për media.

Mirëpo, më i shkurtër në qëndrimin e tij për Asociacionin kishte qenë paraardhësi i Esocobar, Matthew Palmer. Ai kishte vizituar Kosovën së bashku me Lajçak në qershor të viti të kaluar.

“Forma sesi duhet të bëhet asociacioni është forma e cila dakordohet mes palëve”, kishte thënë Palmer në qershor të këtij viti.

Në tetor të 2020, Lajçak kishte deklaruar nga Beogradi se “Kushtetuta nuk është bibël dhe ajo mund të ndryshoj”.

“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta. Për këtë askush nuk më tha që kjo është e pamundur. Do të thotë, Kushtetuta nuk është Bibël dhe nëse merrem vesh për çështje serioze, normale është, ajo do të duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, kishte deklaruar Miroslav Lajçak në tetor të 2020.

Ndërsa gjatë vizitës së tij në qershor të 2021, Lajçak nuk e kishte konfirmuar këtë deklaratë, duke thënë se iu është nxjerrë nga konteksti.

“Është një lloj tradite e mirë që më vendoset në gojë diçka që nuk e kam thënë”, kishte thënë Lajçak në qershor të vitit të kaluar, duke shtuar që marrëveshjet e arritura duhet implementuar.

Njëjtë si në qershor të 2021, edhe në këtë vizitë, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun po kërkon zbatimit të marrëveshjes së Asociacionit.

Nga Prishtina, Lajçak ftoi Kosovën të mos i frikësohet asociacionit.

“Mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Nuk ka asnjë arsye që të keni frikë për një proces që po e udhëhiqni së bashku me Serbinë dhe ne jemi këtu për t’u siguruar që çdo vendim të jetë i bazuar në normat, standardet dhe vlerat evropiane. Askush nuk dëshiron një republikë serbe. Ato çfarë janë dakorduar duhet të zbatohen, Asociacioni është një prej tyre”, tha të mërkurën në Prishtinë Lajçak.

Pas kwsaj deklarate të Lajçak ka reaguar kryeministri Albin Kurti, duke shtuar që “Kosova nuk po frikësohet, por po tregohet e kujdesshme”.

“Kosova nuk frikësohet, por Kosova me Qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne iu shërbejmë qytetarëve të Republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë”, tha sot Kurti pas deklaratave të Lajçak.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Mirëpo edhe në vitin 2015 Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e asociacionit.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje parasheh se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button