Maqedonia e Veriut e përgatitur për skenarët e mundshëm në Ukrainë, vlerësoi sot Këshilli i Sigurisë

Gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe deri më tani nuk ka indikacione që mund të tregojnë se mund të rrezikohet integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi sot pas seancës së 14-të të Këshillit të Sigurimit, Presidenti Stevo Pendarovski, raporton Fokus, përcjell Portalb.mk.

Lidhur me tensionet në kufirin ukrainas-rus, Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për skenarë të mundshëm, varësisht se si do të zhvillohen ngjarjet në rajon, për të cilin ai tha se mbetet një zonë me rrezik të lartë.

“I mirëpresim përpjekjet diplomatike në nivele të ndryshme, të cilat faktorët kryesorë në bashkësinë ndërkombëtare i marrin përsipër, me të cilët u jepet mundësi dialogut dhe negociatave, e jo armëve dhe retorikës luftarake”, tha Pendarovski.

Në atë pjesë të botës, theksoi Pendarovski, ditët e fundit ka shenja të vogla simbolike të uljes së retorikës së përshkallëzuar, por është ende herët të parashikohet se si do të zhvillohen ngjarjet.

Lidhur me situatën në rajon, Këshilli konkludoi se me aktivitetin e intensifikuar diplomatik të bashkësisë ndërkombëtare në periudhën e fundit, tensionet janë ulur pjesërisht, gjë që i jep hapësirë rivendosjes së dialogut si rrugë të vetme për tejkalimin e problemeve.

Në seancën e Këshillit, në kabinetin e Presidentit Stevo Pendarovski, përveç anëtarëve të rregullt si Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, Kryeministri Dimitar Kovaçevski, Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, Profesori i Fakultetit Juridik “Justiniani I” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” Nenad Markoviq, Profesori në Universitetin e Evropës Juglindore Veton Latifi dhe ish-Ministri i Mbrojtjes dhe Profesor universitar Trajan Gocevski, me ftesë të kreut të shtetit morën pjesë Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Erolld Musliu, Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Viktor Dimovski dhe Gjenerallejtënant Vasko Gjurçinovski, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button