Mbi 80% e viktimave në Maqedoninë e Veriut, të pavaksinuar

Mbi 80 për qind e personave që kanë humbur betejën me koronavirus javëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, kanë qenë të pavaksinuar, bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik të këtij vendi.

Në shtatëditëshin nga 24 deri më 30 janar, autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë konfirmuar 148 viktima nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19. Shifra është për 38.3 për qind më e lartë, krahasuar me javën paraprake.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, Shaban Mehmeti, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se në mbi 80 për qind të rasteve, viktimat nuk kanë qenë të vaksinuara kundër koronavirusit. Të tjerët, sipas tij, kanë pasur sëmundje kronike.

Mehmeti thotë se shifra e lartë e viktimave nga koronavirusi, lidhet edhe me protokollet që ndjek Maqedonia e Veriut për regjistrimin e personave që humbin jetën nga COVID-19.

“Ne, çdo person që humb jetën, qoftë edhe në një aksident apo nga një gjakderdhje në tru, nëse del pozitiv me koronavirus, e shënojmë si pacient që humb jetën me COVID pozitiv [dhe] me sëmundje shoqëruese”, sqaron Mehmeti.

Komisioni për Sëmundje Infektive i Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do ta ndryshojë protokollin e evidentimit të viktimave nga koronavirusi.

Nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit 2020, e deri më tash, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 8,400 viktima nga koronavirusi.

Në bazë të të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, numri më i madh i viktimave nga koronavirusi është në mesin e personave me sëmundje shoqëruese. Prijnë ata me sëmundje kardiovaskulare, pastaj ata me diabet dhe ata me probleme në sistemin e frymëmarrjes.

Nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut theksojnë se mbrojtja më e mirë kundër koronavirusit mbetet vaksinimi. Sipas shifrave zyrtare, vetëm 40.7 për qind e popullsisë së këtij vendi është plotësisht e vaksinuar.

Me numrin më të lartë të të vaksinuarve prin qyteti i Ohrit, me 55 për qind, dhe ai i Manastrit, me 50 për qind. Numri më i ulët i të vaksinuarve është në Dibër: 29.9 për qind. Numri i të vaksinuarve në kryeqytetin e Shkupit është 39.5 për qind.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia ka mbi 1.6 milion të infektuar dhe 13,629 viktima, Bosnje e Hercegovina ka 347,467 të infektuar dhe 14,447 viktima, Shqipëria ka 258,543 të infektuar dhe 3,346 viktima, Mali i Zi ka 219,775 të infektuar dhe 2,564 viktima dhe Kosova ka 205,938 të infektuar dhe 3,015 viktima.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button