Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi “në top tre ligjet që nuk po gjejnë zbatueshmëri në Kosovë”

Ligji për mbrojtje nga diskriminimi sipas institucioneve të drejtësisë në Kosovë është një nga top tre ligjet që nuk po gjejnë zbatueshmëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu është thënë në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore ku u diskutua mbi diskriminimin dhe përparimin në këtë aspekt.

Kryetarja e këtij komisioni, deputetja Duda Balje, tha se sipas sistemit gjyqësor në Kosovë, Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk po zbatohet pothuajse fare.

Balje tha se vetëm në mandatin aktual të Kuvendit të Kosovës kanë ardhur në adresë të komisionit që ajo udhëheq mbi 20 ankesa nga qytetarë, përfshirë nga qytetarë të komuniteteve dhe nëna shtatzëna pas problemeve që kanë hasur me diskriminimin në institucione.

Avokati i Popullit, Naim Qalaj, i cili është ftuar nga komisioni për të raportuar mbi zbatueshmërinë e ligjit, tha se ligji për mbrojtjen nga diskriminimi është aprovuar në kuadër të pakos së ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa ata e kanë përcjellë zbatimin e tij nga fillimi.

Megjithëkëtë, Qalaj tha se Institucioni i Avokatit të Popullit, nuk ka të drejtë të ndërhyrjes dhe marrjes anë në sistemin e drejtësisë në vend edhe në rastet kur diskriminohen qytetarët, por vetëm atë të dhënies së këshillave.

“Autoritetet në përgjithësi kanë dështuar ta zbatojnë këtë ligj në kuadër të qëllimit për të cilin edhe është miratuar. Dhe qytetarët e Republikës së Kosovës sot kanë vështirësi t’i realizojnë të drejtat e veta të cilat rrjedhin nga ky ligj dhe të cilat duhet të mbrohen”, tha Qalaj.

Habit Haredinaj nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e cila ka detyrë të monitorojë zbatimin e këtij ligji ka thënë se gjendja në terren e zbatimit të ligjit nuk është e kënaqshme.

Por, ai theksoi se gama e përgjegjësisë për zbatimin e ligjit është shumë e gjerë dhe nuk i takon vetëm Qeverisë por edhe autoriteteve lokale e secilit autoritet edhe më të vogël.

Haradinaj ka thënë se po punojnë me Këshillin e Evropës dhe kanë vendosur 42 indikatorë apo matës të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vijim do të dalin me një qëndrim gjithëpërfshirës.

Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi është miratuar në Kuvendin e Kosovës nga qershori i vitit 2015 me qëllim të përcaktimit të një kornize të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button