RMV, u miratua Programi i reformave ekonomike: reformat kryesore do të fokusohen mbi tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, përforcimin e konkurrencës dhe kapitalin njerëzor

Nxitja e tranzicionit të gjelbër me qëllim që të rritet niveli i energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme, përforcimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i konkurrencës së ndërmarrjeve vendore dhe integrimi i tyre në zinxhirin e vlerave globale, si dhe formalizimi i ekonomisë janë shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet Programi i reformave ekonomike për periudhën e ardhshme trevjeçare, transmeton Portlab.mk.

Programi i reformave ekonomike (PRE 2022-2024), ku identifikohen sfidat kryesore për përforcimin e konkurrencës dhe rritjen e ekonomisë, u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa ministri i Financave, Fatmir Besimi, zyrtarisht duhet ta dorëzojë në Komisionin Europian jo më vonë se data 31 janar.

Ky Program fokusohet mbi reformat që i referohen mjedisit jetësor sa i përket Tranzicionit të gjelbër lidhur me menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza. Një nga sfidat kryesore në periudhën e ardhshme do të jetë efikasiteti energjetik dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Gjithashtu, deri në vitin 2025, niveli i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në energjinë elektrike parashihet që të jetë 46%. Reformat prioritare strukturore të përcaktuara në PRE, duhet të kontribuojnë veçanërisht në përmbushjen e kritereve ekonomike për anëtarësim në BE.

Në kuadër të sfidave të përcaktuara në PRE 2022-2024 përfshihen 20 masa reformuese, që i referohen zbatimit të Sistemit inteligjent të transportit përgjatë Korridorit 10, zvogëlimit të ekonomisë joformale, me ç’rast Ministria e Financave zbaton masa të përcaktuara me Planin aksional për zvogëlimin e ekonomisë gri.

Më tej, masat do të fokusohen edhe mbi racionalizimin e detyrimeve parafiskale, vendosjen e sistemit informativ lidhur me menaxhimin me ndihmën shtetërore dhe vendosjen e parkut teknologjik shkencor. Njëkohësisht, do të formohet edhe Fondi investues hibrid për start-up-et e gjelbra dhe dixhitale dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme inovative, në kuadër të të cilit deri në vitin 2023, pritet që të tërhiqen mjete sa i përket investimeve në vlerë prej 17 milionë eurove.

Njëkohësisht, një nga sfidat kryesore që duhet ta përforcojnë konkurrencën dhe rritjen e ekonomisë është kapitali njerëzor. Në këtë Program, përfshihen edhe masat që do të kontribuojnë për avancimin e kapitalit njerëzor. Gjithashtu, parashihen masa për standardizimin dhe përmirësimin e fleksibilitetit të tregut të punës, që do të mundësojnë përmes intervenimeve legjislative në sferën e legjislacionit të punës, vazhdimin e aktiviteteve për themelimin e qendrave rajonale të arsimit profesional, me harmonizimin e rregullativës dhe rregullave për akreditim dhe evaluim me standardet europiane sa i përket arsimit të lartë, si dhe me përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore primare. Deri në vitin 2024, parashihet që zvogëlimi i pjesëmarrjes së të punësuarve në mënyrë joformale të jetë në nivel prej 12.8% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve (në vitin 2020 ishte në nivel prej 13.6%).

Si risi në PRE 2022-2024 është transformimi dixhital i Drejtorisë së të Hyrave Publike përmes vendosjes së Sistemit të integruar informativ tatimor, me ç’rast deri në vitin 2024 parashihet dixhitalizimi i tërësishëm i obliguesve tatimorë.

Raportin për vlerësimin e PRE 2022-2025, KE-ja duhet ta publikojë gjatë muajit prill të vitit 2022, ndërsa konkluzionet e reja të përbashkëta do të miratohen në muajin maj të këtij viti, në kuadër të takimit në nivel ministror me të cilin përfundon dialogu i sivjetëm ekonomik financiar ndërmjet Bashkimit Europian dhe shteteve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqisë.

Programi i reformave ekonomike është dokumenti më i rëndësishëm strategjik në dialogun ekonomik me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së. Programi përfshin kornizën afatmesme të politikës makroekonomike dhe fiskale dhe reformat strukturore që duhet të kontrobuojnë në rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button