Shtetet e Bashkuara denoncojnë publikisht dizinformimin rus për Ukrainën

Uashington – Në dallim nga praktika e deritanishme, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë duke i bërë publike gjithnjë e më shumë gjetjet e shërbimeve të zbulimit, ndërsa përballen me përgatitjet e Rusisë për një pushtim të mundshëm të Ukrainës. Kjo synon të dobësojë planet e Presidentit Putin, duke i ekspozuar ato dhe synon të devijojë përpjekjet e tij për të ndikuar tek opinioni publik, raporton VOA, transmeton Portalb.mk.

Shtëpia e Bardhë publikoi gjatë javëve të fundit atë, që e cilësoi si një operacion rus, që synonte të krijonte pretekstin për pushtim. Britania publikoi emra konkretë shtetasish të Ukrainës, që i akuzon se kanë lidhje me zyrtarët e zbulimit rus, që po planifikojnë rrëzimin nga pushteti të Presidentit Volodymyr Zelensky. Shtetet e Bashkuara gjithashtu publikuan një hartë të pozicioneve të ushtrisë ruse dhe dhanë detaje se si ata mendojnë që Rusia do të përpiqet ta sulmojë Ukrainën, me gati 175 mijë forca ushtarake.

Ekspertët vlerësojnë rolin e Shtëpisë së Bardhë për publikimin e materialeve të zbulimit dhe hedhjen poshtë të pretendimeve false përpara se ato të përhapen – një taktikë kjo më efikase se reagimi pas faktit.

Por publikimi i të dhënave nuk është pa rreziqe. Vlerësimet e shërbimeve të zbulimit bëhen me nivele të ndryshme konfidence dhe me përjashtim të fotove të lëvizjeve të formacioneve, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, nuk kanë ofruar prova të mëtejshme. Moska i ka hedhur poshtë pretendimet e Uashingtonit si histerike dhe ka risjellë në vëmendje dështimet e mëparshme të zbulimit amerikan, përfshirë të dhënat false të paraqitura për programin e armatimit të Irakut.

Deri më tani nuk ka shenja të qarta për ndryshim nga Rusia, e cila vazhdon të zhvendosë forcat ushtarake drejt Ukrainës dhe në territorin e Bjellorusisë, një vend aleat i Rusisë, i ndodhur në kufirin verior të Ukrainës. Ka pesimizëm në rritje në Uashington dhe Londër për përpjekjet diplomatike që po bëhen dhe se zoti Putin ka gjasa të fillojë një lloj pushtimi gjatë javëve në vazhdim.

Rusia është e njohur për përdorimin e dizinformimit si një taktikë për të mbjellë konfuzion dhe mosmarrëveshje, si pjesë e strategjisë së saj për konflikt. Kur Rusia pushtoi në Ukrainë, në vitin 2014, Gadishullin e Krimesë, ajo filloi një fushatë për të ndikuar mbi banorët etnikë rusë të këtij territori. Mediat shtetërore dhe llogaritë në mediat sociale të lidhura me Rusinë, nxisnin akuzat se Perëndimi po manipulonte protestat në Kiev, si dhe përhapnin rrëfime false, apo të pakonfirmuara, për krime të tmerrshme të forcave ukrainase të sigurisë.

Këtë radhë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate thonë se Rusia po përpiqet të paraqesë udhëheqësit ukrainas si agresorë dhe të bindë kështu popullsinë ruse, që të mbështesë operacionet ushtarake. Në të njëjtën kohë, thonë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, Rusia ka pozicionuar operativë në territorin lindor të Ukrainës, të cilët mund të kryejnë akte sabotazhi ndaj vetë forcave vasale të Rusisë dhe të fajësojnë më pas për këtë Kievin.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, foli për marrjen e një vendimi strategjik për ta denoncuar dizinformimin që konstatojmë.

“Jemi shumë më të familjarizuar me makinerinë ruse të dizinformimit se ç’ishim në vitin 2014”, tha ajo të mërkurën, duke shtuar se duhet të jemi shumë të qartë me komunitetin global dhe publikun amerikan për atë çfarë ata po përpiqen të bëjnë dhe arsyet pse.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian u tha gazetarëve të premten se grupe të lidhura me Moskën po mbështesin justifikimet për konflikt, ashtu siç ndodhi tetë vjet më parë. Një nga skenarët, që këto grupe paraqesin si formë reagimi ndaj akuzave amerikane, është se Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke planifikuar për vete një operacion diversioni për të shkaktuar një përplasje në Ukrainën lindore.

Moska vazhdon të bëjë kërkesa që NATO të mos e pranojë Ukrainën dhe të mos zgjerohet me vende të tjera. Pasi zbulimi britanik e akuzoi se ai mund të ishte kandidati për president i mbështetur nga Rusia, politikani ukrainas Yevheniy Murayev, e mohoi akuzën dhe i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se kjo “shëmbëllen qesharake dhe argëtuese”

Përpjekjet e Uashingtonit kanë ngritur pikëpyetje në Kiev, ku Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka ndërmarrë një përqasje të ndryshme publike, duke u përpjekur të ulë frikën e publikut ndaj një lufte të zgjeruar, megjithëse shumë ukrainas janë tashmë duke u përgatitur për luftë.

Zyrtarët ukrainas ngrenë privatisht pyetjen përse administrata e Presidentit Biden po paralajmëron për një pushtim të afërt, por nuk vendos sanksione parandaluese, apo nuk ndërmerr hapa kundër gazsjellësit Nord Stream 2, që kritikohet se i ka dhënë më shumë influencë Moskës mbi Ukrainën dhe Evropën Perëndimore. Administrata e Presidentit Biden loboi ligjvënësit demokratë që të kundërshtonin një projek-ligj republikan ku parashikohej vendosja e sanksioneve ndaj gazsjellësit, i cili ende nuk ka hyrë në funksionim.

Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar me sanksione të ashpra, nëse Rusia pushton Ukrainën dhe po përgatitet të dërgojë forca në krahun lindor të NATO-s nëse do të ndodhë ky pushtim. Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate gjithashtu po dërgojnë armatime dhe sisteme raketash drejt Ukrainës.

Molly McKew, autore dhe profesore për ndikimin rus, tha se lëvizjet e administratës amerikane për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për të influencuar, duhet të shoqërohen nga një deklaratë e qartë e objektivave dhe planeve amerikane për t’iu kundërvënë pushtimit të mundshëm.

Vetëm identifikimi publikisht i veprimeve, nuk do ta ndalonte Rusinë që t’i përmbushte ato, tha zonja McKew, ish-këshilltare e Presidentit të Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, vendi i të cilit bëri luftë me Rusinë në vitin 2008 dhe ende po përpiqet të rifitojë kontrollin e rajoneve separatiste që mbështeten nga Moska.

“Po përpiqen të zbatojnë logjikën e dizinformimit në sferat ushtarake. Nuk është absolutisht e mundur të largohet kriza nëpërmjet ekspozimit”, tha ajo

Ekspertët thonë se si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Ukrainë, ka tashmë shumë më tepër ndërgjegjësim në shoqëri për dizinformimin e mbështetur nga shteti. Rusia ka vazhduar gjatë disa viteve të fundit të bombardojë ukrainasit me mesazhe në celular dhe histori false gjatë luftës në vazhdim në Ukrainën lindore, gjatë së cilës kanë vdekur të paktën 14 mijë persona. Dhe ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 u pasua nga disa procese hetimore dhe vite debatesh shpesh përçarëse.

Bret Schafer, studiues në Aleancën për Sigurimin e Demokracisë, të Fondit Marshall Gjerman, thotë se megjithëse ekziston rreziku që t’u jepet rëndësi pretendimeve false gjatë procesit të denoncimit të tyre, “ekziston nevoja për t’i devijuar kërcënimet nëpërmjet informimit, më mirë se t’iu përgjigjemi atyre pasi të kenë dalë në qarkullim”.

Por, ta akuzosh publikisht Rusinë për sjellje të keqe është përfundimisht një formë e kufizuar parandalimi. “Ata nuk shqetësohen për dëmtimin e reputacionit”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button