Kredia nga BERZH për deponitë rajonale para miratimit përfundimtar, komunat të mos i bllokojnë projektet

Kredia në vlerë prej 55,3 milionë euro për ndërtimin e deponive moderne, për çdo rajon të veçantë në vend, është para miratimit përfundimtar. Javën e ardhshme nga Londra do të vijnë ekspertë për mjedis jetësor dhe mbetje, prandaj qeveria pret që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) së shpejti të miratojë kredinë, me të cilën Maqedonia e Veriut më në fund do të mund të krijojë sisteme rajonale për menaxhim të mbetjeve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, përvoja e deritanishme me zvarritjen e ndërtimit të deponive rajonale nuk ka qenë rezultat i mungesës së fondeve, por në radhë të parë rezultat i bllokimit nga ana e komunave dhe popullatës lokale, atje ku projektet e tilla është dashur të ndërtohen; projekte të cilat do të mundësonin që në vend se mbetjet të depozitohen në dhjetëra lokacione kjo të bëhet vetëm në një lokacion për çdo rajon të veçantë në vend.

Komuna Shën Nikollë është shembulli i fundit për bllokimin e ndërtimit të deponisë rajonale, për rajonin e planit Lindor dhe Verilindor. Një gjë identike në vitin 2019 ka ndodhur me Komunën Debarcë për deponinë regjionale për rajonin e planit Jugperëndimor, ndërsa  Komuna Gostivar në disa raste gjatë kësaj periudhe ka dhënë shenja se nuk dëshiron që “Rusino” të jetë deponi rajonale për rajonin e Pollogut.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini thotë se ndërtimi i deponive rajonale është një nga projektet më të rëndësishme në nivel kombëtar, duke u nisur nga fakti se deri tani nuk kemi bërë asnjë investim në ndonjë sistem rajonal të mbeturinave.

“Është e rëndësishme dhe e domosdoshme që vetëqeverisjet lokale të bashkëpunojnë dhe të gjejnë zgjidhje për të themeluar ndërmarrje publike rajonale, të cilat do të menaxhojnë deponitë, ndërsa ne si pushtet qendror do t’ua japim mbështetjen e plotë. Është e rëndësishme që ata të bashkëpunojnë me ne, e të mos kemi obstruksione. Mbeturinat janë problem i madh në vend, kurse zgjidhja është e mundur vetëm nëse bashkëpunojmë të gjithë”, tha ministri Nuredini.

Ai shton se tashmë janë përcaktuar lokacionet për ndërtimin e deponive rajonale, për rajonin e planit të Pellagonisë dhe Jugperëndimit në Komunën Novaci, për rajonin e planit të Vardarit dhe atij Juglindor në Komunën Vasilevë dhe për rajonin e planit të Pollogut “Rusino” në komunën e Gostivarit. Tashmë janë siguruar mjete për realizimin e projektit kapital për rajonin e planit Verilindor dhe Lindor që duhet të vendoset në komunën Sveti Nikollë, ndërsa për rajonin e Shkupit mbetet në funksion deponia “Drisla”.

“Nuk kemi nevojë të marrim kërkesa nga komunat çdo vit për të bërë plane të reja për deponitë dhe të kërkojmë lokacione të reja. Kohën po e harxhojmë vetëm në përgatitje të dokumentacionit dhe nuk e di se sa projekte e analiza i kemi, por nuk kemi asnjë investim dhe infrastrukturë të ndërtuar për trajtimin e mbeturinave në vend”, tha ministri Nuredini.

Ai shton se vendi më në fund është në gjendje të marrë mjete nga BERZH për deponitë rajonale. Për rajonin e Pollogut një pjesë të financave do t’i sigurojë Zvicra, ndërsa impianti modern për mbeturina në Komunën Shën Nikollë do të ndërtohet me financa të BE-së.

Vitin e kaluar Qeveria e RMV-së vendosi të kërkojë mjete nga BERZH për deponitë sipas standardeve të BE-së, të cilat do të mundësojnë që mbetjet e grumbulluara në çdo rajon të hidhen në një vend, pa e ndotur ujin, tokën dhe ajrin.

Komisioni Evropian (KE) në Raportin e Progresit të Reformave prej shumë vitesh e kritikon Maqedoninë për mos themelimin e sistemeve rajonale për menaxhim të mbeturinave, vërejtje që është e pranishme edhe në Raportin e fundit për vitin 2021. KE ka kërkua që këtë vit të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të ndryshuar këtë situatë negative. Vendi ynë prej 18 vitesh premton ndërtimin e deponive rajonale, por negocimi i lokacioneve për ndërtimin e tyre është vazhdimisht problematik. Në të njëjtën periudhë, Serbia fqinje brenda vetëm pak vitesh ia doli të ndërtojë 10 nga 26 deponitë rajonale që nevojiten në territorin e saj.

Portalb.mk dhe Meta.mk ka kohë që shkruan se nëse Maqedonia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, atëherë do të duhet ta gjejë zgjidhje të çështjes për menaxhimin e mbetjeve. Prioriteti i parë është ndërtimi i deponive rajonale, ndërtimi i të cilave sipas standardeve të reja duhet të parandalojë situatën aktuale ku deponitë digjen dhe kullimi që rrjedhë prej deponive e ndot tokën dhe ujin. Prioriteti i dytë është trajtimi i mbetjeve, edhe atë me atë riciklimit të një pjese të mbetjeve, kompostimit të mbetjeve biologjike dhe djegia e një pjese të mbetjeve në inceneratorë, për të minimizuar sasinë e mbetjeve që do të përfundojnë nëpër deponitë e ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button