KSHPK-ja kërkon hetim për Sofijanovën, kishte reklamuar suplemente në TV

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) kërkon nga Oda e mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që të hetojë rastin e drejtoreshës së IShP Klinika për pediatri Aspazija Sofijanova, e cila ka reklamuar suplemente për një prodhues të caktuar në televizion, transmeton Portalb.mk.

KSHPK-ja, e cila nuk është kompetente për të vepruar për rastin, raportin do ta dorëzojë në Odën e mjekëve dhe do të kërkojë që të informohet se çfarë është bërë pas këtij raporti.

“Gjatë shqyrtimit të gjetjeve, vlerësojmë se në veprimet e zyrtares në fjalë duhet të merren parasysh parimet e përcaktuara në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, veçanërisht parimi i integritetit të nenit 4, paragrafi 2, sipas të cilit personi zyrtar në kryerjen e kompetencave dhe detyrave publike është i obliguar t’i respektojë parimet e ligjit, veçanërisht në këtë rast normat etike dhe standardet profesionale”, tha Vlladimir Georgiev, anëtar i KSHPK-së.

Duke shpjeguar rastin, ai theksoi se Kodi i deontologjisë mjekësore sipas nenit 87, paragrafi 1 thotë se propaganda e sanatoriumeve, instituteve, klinikave të ndryshme, industrisë farmaceutike, kozmetike apo profesionistëve të caktuar shëndetësorë nuk është në përputhje me profesionin e mjekut dhe se njoftime të tilla ekspertësh mund të publikohen vetëm në media rreptësisht profesionale ose të specializuara.

“Në paragrafin 3 thuhet se nuk lejohet moralisht dhe etikisht që mjeku të vërë profesionin dhe kontaktet e tij profesionale në funksion të afirmimit qytetar dhe veprimtarive të tjera. Në nenin 18, paragrafi 4 i Kodit të deontologjisë mjekësore thuhet se mjeku nuk duhet të përfitojë as shpërblim apo për promovim të produkteve farmaceutike, kozmetike apo të tjera në këto fusha”, sqaroi Georgiev.

Sipas kësaj, siç theksoi ai, konsiderojnë se nuk kanë kompetencë të veprojnë, pasi nuk bëhet fjalë për shkelje të neneve të Ligjit për korrupsion.

“Definitivisht konsiderojmë se ky rast duhet t’i nënshtrohet veprimit kompetent të Odës së mjekëve të RMV-së, duke pasur parasysh se kompetencë e vetme është kujdesi dhe monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të rregullave të etikës mjekësore dhe deontologjisë dhe marrja e masave në rast të shkeljes së tyre”, tha Georgiev.

Anëtarja e KSHPK-së Sofka Pejovska Dojçinovska shtoi se Oda e mjekëve, përveç tjerash, duhet të kujdeset për sjelljen e përgjithshme të mjekëve në lidhje me këtë fenomen – reklamimin e barnave, suplementeve, ushqimit për fëmijë etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button