Gjeniu që frikësohej nga planet e të huajve dhe gjumi shqiptar

Gjithë shkrimet e Tij që trajtojnë temën e dhimbshme shqiptare janë të freskëta edhe në kohën tonë. Nganjëherë, madje, më të freskëta e më aktuale se shkrimet e të sotmes.

I formuar nëpër qendrat më të njohura të Evropës, i paprekur nga hatri i rremë dhe konformizmi ballkanik, Ai fshikulloi më fort se çdo krijues tjetër të metat e kombit të vet, duke prekur kësisoj përjetësisht në sedër midelijntë, të cilët prej kohësh preokupohen me “gabimet” e Tij. Mania e sajimit të “gabimeve” në fjalë ka shkuar aq larg sa disa “studiues” voajerë bëjnë zhurmuesin edhe për përcaktimin seksual dhe shtratin e Ustait të letrave shqipe, duke tentuar me ankth që, edhe në këtë plan, të gjejnë dëshmi diskredituese për ta nxjerrë në total të dështuar njeriun më të ditur e më të kompletuar që ka pasur ndonjëherë bota shqiptare.

Dyzet e shtatë vjet zgjati beteja e Enciklopedisë së gjallë  për të lëvruar shkëmbin, siç shprehej Ai shpesh. Për këtë qëllim themeloi e drejtoi dhjetra gazeta e revista në gjuhën shqipe, si: “Álbania”, Albania e vogël”, “Dielli,”, Trumbeta e Krujës”, “Ushtimi i Krujës”, “Flamuri”, “Shqipëtari i Amerikës”, Bota e re”, “Purteka”, “Kombi në rrezik”…, nëpër faqet e të cilave la një trashëgimi të rrallë prej më se 1500 artikujsh, pa llogaritur këtu epistolarin dhe veprat tjera si: përkthimet, fjalimet, konferencat, ligjeratat, intervistat…; pa llogaritur  punën që bënte në shkrimet të cilat i punonte e redaktonte me javë të tëra dhe, gjithsesi, llogaritur shkrimet në gjuhë të huaja, disa prej të cilave akoma janë të panjohura.

Krahas kritikave të ashpra drejtuar veseve shqiptare për të cilat fajësonte parësinë e Shqipërisë, Ai merrej dhe me planet ogurzeza të fqinjëve të saj. Ai ishte në dijeni me ato plane, prandaj dhe udhët e gabuara të politikave të brendshme i kuptonte ndryshe dhe i diktonte shumë përpara bashkatdhetarëve të tjerë.

I tillë është shkrimi: „Komedia e Partive dhe reziku që qëllon në derë të theatrës“, të cilin e nis me alarmin për tendencën e Musolinit e të Pashiqit për prishjen e Shqipërisë. Brenda këtij shkrimi ka një copëz shumë të bukur eseje mbi shtetin, thelbin e së cilës e përbën fati i Shqipërisë: „Asnjë shtet nuk është i shiguruar plotësisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhú në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vent dhe trëmbem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve „udhë-heqës“ do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:

U NGJALL NGA IDEALISTËT

U RUAJT NGA RASTET

U VRA NGA POLITIKANËT”.

Në vijim të esesë Ai analizon ndryshimet e shtetit shqiptar në legjislaturë, flet për partitë e reja që mbinë në shtet, shtron argumentet për nevojën e ekzistimit të dy partive të mirëfillta në Shqipëri, sipas modeleve të shteteve perëndimore dhe tërhjek vëmendjen në lojërat e fëlliqura të politikanëve shqiptarë që mund të përfundojnë me kosto të shtrenjtë e ta dëvalvojnë tërë nismat shpresëdhënëse…

Ky ishte Faik Konica, titani që thoshte: “Jam munduar kurdoherë të bëj të mirën; se i kam shërbyer Popullit me sa kam mundur; se s’kam hezituar kurrë në mes të detyrës e t’interesës; dhe në kam bërë lajthime, nuk i kam bërë kurrë me të dashur po jam gënjyer nga rasti. Në sy të Përëndisë, munt të mos jem as engjëll as djall, po një njeri me vullnet të mirë. Sa Shqiptarë vallë hyjnë në këtë kategori?”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button