Kurti: Sapo të përmirësohet situata me pandeminë do t’i lirojmë masat anti-Covid

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për menaxhimin e pandemisë së Covid-19, në një kohë kur vendi ka shënuar shifra rekorde të të infektuarve me këtë virus, raporton Anadolu Agency (AA).

41 deputetë të partive opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kërkuar mbajtjen e një seance të tillë që sipas tyre është në të mirë të shëndetit publik.

Deputeti i PDK-së, njëherësh kryetar i kësaj partie, Memli Krasniqi tha se për një muaj ka pasur rritje enorme të rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë.

Ai tha se varianti Omicron përbën valë të re të pandemisë ndërsa Qeveria ka bërë dy gabime themelore karshi pandemisë: ose ka hezituar për ta lexuar qartë situatën; ose e ka lexuar gabimisht atë.

Sipas Krasniqit, shumë nga masat e reja të vendosura nga Qeveria janë të pakuptimta.

“Së fundmi patëm edhe një vendim skandaloz sepse nuk ka si ta quash ndryshe. Vendosja e masave për të hyrë në Kosovë vetëm me tre doza të vaksinimit, në kohën kur në Kosovë vetëm rreth katër për qind e qytetarëve kanë marrë tashmë dozën e tretë, e veçmas si masë e ndaj brezit kufitar me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës që deri dje kanë qarkulluar e punuar krejt normalisht, duke i penalizuar ata, përbën një lloj absurditeti të pa kuptimtë”, tha Krasniqi.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se Qeveria e Kosovës ka qasje joserioze për menaxhimin e pandemisë.

Zemaj tha se Qeveria në vend se ta menaxhojë pandeminë në terren, ajo ka vendosur vetëm t’i izolojë qytetarët dhe bizneset.

“Paralajmërimet tona prej ditësh javësh e muajsh se Omicron e kërcënon edhe Kosovën u injorua krejtësisht. Ndërsa sot kur situata bëhet alarmante dhe prekë të gjitha fushat e jetës në vend, Qeveria e ka një zgjidhje sipas saj, apo të vetmen zgjidhje që ajo njeh: izolimin”, tha Zemaj, i cili po ashtu e kundërshtoi vendimin që atyre që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë t’u kërkohen tri doza të vaksinës.

Nga AAK-ja, deputeti Shemsedin Dreshaj i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që ta bëjë vaksinimin të obligueshëm, sidomos në institucionet publike.

Ai ka thënë se masat e reja anti-Covid nuk janë të qëlluara, dhe sipas tij, duhet bërë dallimi mes të vaksinuarve dhe atyre të pavaksinuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se përkundër numrit të madh të të vaksinuarve, vaksinimi nuk ofron siguri për ditët dhe javët në vijim me situatën epidemiologjike.

Kurti tha se për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të variantit Omicron dhe kapaciteteve të kufizuara shëndetësore janë detyruar të marrin masa të reja, për të cilat tha se nuk janë ekstreme, por, të moderuara.

“Nga korriku 2021 deri më 25 janar 2022, 74 për qind të të infektuarve nuk kanë qenë të vaksinuar në Kosovë. Mbi 80 për qind të vdekjeve nuk kanë qenë të vaksinuar. Me variantin Omicron në javën e fundit, grupmosha më e prekur ka qenë prej 10 deri 19 vjeç me 30 për qind që i përkasin moshës e cila është qoftë e pavaksinuar ose përqindje e ulët e përfshirjes në vaksinim. Të nderuar deputetë, masat anti-Covid që kemi marrë në Kosovë më 21 janar 2022 nuk kanë rënë nga qielli përkundrazi ato kanë qenë rezultati i një procesi të kujdesshëm ndër-institucional”, tha Kurti.

Ai siguroi qytetarët që, sapo të përmirësohet situata me Covid-19, masat aktuale të cilat janë në fuqi, do të lehtësohen menjëherë.

Të mërkurën e 26 janarit, në Kosovë u shënua numër rekord i rasteve të reja të infektimeve me Covid-19 me gjithsej 4.397 raste.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve ditëve të fundit, javën e kaluar Qeveria e Kosovës ndërmori masa të reja për menaxhimin e pandemisë ku ndër të tjera ktheu orën policore nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Gjithashtu në masat të cilat vlejnë deri më 4 shkurt u shtua edhe masa që çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ, gjë e cila ngjalli reagime nga përfaqësues e qytetarë të vendeve fqinje me Kosovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button