Asociacioni në pakon e re për Kosovën

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë një nga temat, të cilat priten të diskutohen gjatë vizitës së të dërguarit të Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, javën e ardhshme, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike shqiptarë dhe serbë, Violeta Haxholli dhe Dushan Radakoviq, raporton Koha.net.

Megjithatë, ata thonë se mbetet e panjohur ende për shoqërinë civile, por edhe për publikun në tërësi, se cilat janë modelet për formimin e Asociacionit, që i janë ofruar Qeverisë së Kosovës për shqyrtim, e të cilat i ka përmendur ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një interviste në shërbyesin publik, RTK.

“Ka modele, të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që t’i shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, ka thënë Hovenier, pa dhënë detaje mbi këto modele.

Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka dhënë ndonjë detaj lidhur me modelet për formimin e Asociacionit. Ndërkaq, autoritetet serbe kanë theksuar se modeli i vetëm për Asociacionin është sipas marrëveshjeve të arritura më 2013 dhe 2015 në dialogun e Brukselit.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe prej disa kohësh është pengesë për dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Për formimin e saj u arrit Marrëveshja në Bruksel, në vitin 2013, si pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dy vjet më vonë, në Bruksel u arrit pajtimi lidhur me parimet për formimin e Asociacionit, të cilat Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor të vitit 2015 i vlerësoi se nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës. Në bazë të atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, është kontestuese se Bashkësia nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në këtë rast komuniteti serb.

Pas vendimit të gjykatës, autoritetet kosovare refuzojnë zbatimin e marrëveshjes, me arsyetimin se Asociacioni është i dëmshëm, ndërsa pala serbe ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes dhe vazhdimisht ka kërkuar që kjo çështje të ngrihet për diskutim sërish në dialog.

Vitin e kaluar, një dialog politik i nivelit të lartë, aktualisht i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u mbajt vetëm dy herë. Përveç deklaratave kontradiktore, nuk ka pasur ndonjë përparim konkret.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button