SHBA-ja i dhuroi Kosovës edhe 3 milionë dollarë kundër Kovid-19

Shtetet e Bashkuara, i ndanë Kosovës përmes Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), 3 milionë dollarë shtesë ndihme emergjente për përballjen me pandeminë e COVID-19, raporton VOA.

Në një njoftim të kësaj agjencie thuhet se “kjo ndihmë do të mbështes forcimin e mbrojtjes së fëmijëve të cenueshëm që janë goditur nga pandemia dhe do të sigurojë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve themelore sociale. Ajo gjithashtu do të përmirësojë shërbimet në terren në kuadër të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për të nxitur vaksinimin dhe digjitalizuar bazën e të dhënave mbi menaxhimin e rasteve me COVID-19, me qëllim të lehtësimit të shkëmbimit të shpejtë të informatave në mes të institucioneve shëndetësore”.

Njoftimi citon drejtoreshën e misionit te USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, të ketë thënë se “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19 dhe janë veçanërisht të përqendruara në zvogëlimin e ndikimit të saj te kategoritë e margjinalizuara. Luftimi i një pandemie globale kërkon përkushtimin e secilit – prandaj, bëni pjesën tuaj të punës, lani duart, mbani maskë dhe vaksinohuni”, citohet të ketë thënë ajo.

Ndihma financiare prej 3 milionë dollarësh i është shtuar veprimtarisë “Reagimi ndaj Pandemisë”, që zbatohet përmes UNICEF-it dhe është shtesë e ndihmës paraprake prej 5.1 milionë dollarësh që USAID-i zotoi për Kosovën gjatë pandemisë.

Në njoftim thuhet se që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet, për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe për të siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19.

Vitin e kaluar, USAID-i shpërndau 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore; 7,750 komplete higjienike për familjet dhe 2,400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme. Programi “Reagimi ndaj Pandemisë” gjithashtu punon në avancimin e komunikimit dhe informimit publik lidhur me fushatat e parandalimit dhe vaksinimit kundër COVID-19 në vend, forcimin e sistemit të zinxhirit të vaksinave dhe funksionalizimin e qendrave të përkohshme të vaksinimit.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej, mbeten donatori më i madh dypalësh i sistemit shëndetësor të Kosovës në forcimin e reagimit ndaj COVID-19. Në fillim të pandemisë, Shtetet e Bashkuara siguruan 50 respiratorë fare të rinj dhe të papërdorur, si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit si dhe uebinare online.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu dërguan pajisje laboratorike të testimit dhe skanerë termik për vendosje në terminalet hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore.

Rishtazi, USAID-i lehtësoi, në emër të qeverisë amerikane, shpërndarjen e 538,200 dozave të vaksinës Pfizer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button