Po legalizohet ndërtimi në fshatrat e zonave të mbrojtura, reagojnë ambientalistët

Shoqata Ekologjike Qytetare “Fronti 21/42” reagon lidhur me ndryshimet e fundit të Ligjit për Planifikim Urbanistik të propozuar nga Ministria për Transport e Lidhje, për të cilat kjo ministri nuk ka organizuar debat publik. Dy ditë më parë skadoi afati për komente lidhur me Projektligjin e bashkëngjitur në ENER dhe “Fronti 21/42” ka disa vërejtje, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ekologët reagojnë se ndryshimet e propozuara ligjore mundësojnë urbanizim të fshatrave në zonat e mbrojtura pa bërë vlerësim të ndikimit mbi mjedisin jetësor.

“Qeveria sërish po e mundëson urbanizimin e fshatrave, në zonat e mbrojtura, siç janë Skudrinja në Parkun Kombëtar Mavrovë; Llagadini, Lubanishta dhe Elshani që janë pjesë e Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore në Rajonin e Ohrit – pa bërë vlerësim se si do të ndikojë mbi natyrën dhe pa e përfshirë publikun në këtë proces të vlerësimit”, reagojnë nga Fronti 21/42.

Ata kritikojnë gjithashtu se ndryshimet ligjore mundësojnë shndërrim automatik të çdo lloj toke në tokë ndërtimore, nëse është pjesë e ndonjë projekti urban jashtë planit urbanistik.

“Sipas ligjeve aktuale, për të urbanizuar një zonë që është jashtë planit urbanistik, e në të cilën ka tokë bujqësore, pyje, brez të bregut etj. duhet të realizohet proces i shndërrimit në tokë ndërtimore, i cili nga ana tjetër rregullohet me ligje specifike për llojin specifik të tokës (p.sh. Ligji për Tokë Bujqësore, Ligji për Pyjet, etj.)”, shpjegojnë nga “Fronti 21/42”.

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Urbanizëm i pengojnë qytetarët që të sfidojnë programet urbanistike, duke parashtruar ankesë kundër vendimit për miratimin e tyre.

Nga “Fronti 21/42” reagojnë edhe për shkak se ndryshimet e reja ligjore për të cilat duhet të vendosë Kuvendi i RMV-së e përkufizojnë planifikimin urban dhe zbatimin e planeve urbane si aktivitet me interes publik.

“Kjo ndërhyrje në dukje e vogël ka potencial të bëjë kërdi në natyrën tonë. Për shembull, Ligji për Pyjet e ndalon gërmimin dhe shndërrimin e përhershëm të pyjeve, përveç në kushte të caktuara, duke përfshirë realizimin e aktiviteteve me interes publik. Me ligjin aktual nuk mund të shkatërrohet një pyll për të realizuar një plan/projekt urbanizimi, kurse me ndryshimet e propozuara kjo derë hapet”, thonë nga “Fronti 21/42”.

Ambientalistët paralajmërojnë se nëse miratohen ndryshimet në Ligjin për Planifikim Urbanistik, ato mund të çojnë në shkatërrim edhe më të madh në natyrën dhe trashëgiminë kulturore të vendit.

Ndryshe, vitin e kaluar pati një reagim të ashpër për ndryshimet e planifikuara në Ligjin për Planifikim Urbanistik, me të cilat atëherë propozoheshin ndryshime në nenin 35 që linte hapësirë ​​për ndërtime sipas Planit të Detajuar Urbanistik (PDU) që është në kundërshtim me Planin e Përgjithshëm Urbanistik (PPU). Ndryshimet e tilla më pas u tërhoqën nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në fillim të verës së kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button