RMV, Pendarovski përmes takimit me Radevin dëshiron të kontribuojë në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë

Presidenti Stevo Pendarovski sot njoftoi se për më pak se një muaj do të shkojë në vizitë zyrtare në Bullgari. Ai është dakorduar me homologun e tij bullgar Rumen Radev që synim të jetë kontributi pozitiv i dy palëve në tejkalimin e mosmarrëveshjes mes dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski në tryezën e rrumbullakët “Aderimi i Ballkanit Perëndimor në BE”, tha qëndrueshmëria e kursit të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut se është një histori e gjatë e papërfunduar, po ashtu përsëriti se fillimi i një faze të re të marrëdhënieve dypalëshe është i shkëlqyeshëm, por ende jemi larg, siç theksoi ai.

“Unë mendoj se ky është një fillim i mrekullueshëm për këtë fazë të re të marrëdhënieve tona dypalëshe. Janë dy qeveri të reja, dy kryeministra të rinj që nuk vijnë nga shkolla e vjetër, dëgjohet retorikë e re, ndjehet energji e re dhe ka një metodologji të re – grupe të reja pune, komisione, në vend të propozimeve të Lisbonës. Por duhet të them qartësisht se ky është vetëm fillimi, një fazë fillestare në të cilën të dyja palët shprehin dëshirat e mira që procesi të ndodhte. Por ne jemi larg nga thellimi në proces dhe ende shumë larg përfundimit të tij eventual pozitiv”, tha kreu i shtetit Pendarovski.

Pendarovski paraprakisht iu referua zgjerimit të BE-së, duke theksuar se mbështetja e qytetarëve për këtë proces është në rënie, jo vetëm në vend, por në të gjithë rajonin, dhe retorika antiperëndimore në media në mbarë Ballkanin Perëndimor është në rritje dhe ka tendencë të bëhet dominante.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në rezidencën “Bojana” në Sofje kanë mbajtur seancë të përbashkët, në të cilën, mes tjerash janë nënshkruajtur disa dokumenteve bilaterale. Në kuadër të kësaj, dy kryeministrat e vendit patën takim në katër sy. Kjo seancë e përbashkët vijon pas vizitës së Petkovit në Shkup më 22 janar. Kurse kryeministri i vendit ka takuar edhe presidentin Bullgar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button