Delegacioni i RMV-së arriti në Bullgari, nesër mbahet seanca e përbashkët e dy qeverive (VIDEO)

Delegacioni qeveritar i RMV-së, i udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski sot arriti në Bullgari për të realizuar vizitën e tyre të parë zyrtare në kuadër të së cilës nesër është paraparë dhe mbledhje e përbashkët e dy qeverive, shkruan Portalb.mk.

Delegacioni qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u prit në mënyrë solemne me ceremoni me nderimet më të larta shtetërore në sheshin “Aleksandar Nevski”.

 

Seanca e dy qeverive do të mbahet nesër, ku planifikohet të nënshkruhen disa marrëveshje, ndër të cilat edhe Memorandumi i mirëkuptimit për zhvillimin e lidhjes hekurudhore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, Shkup-Sofje i cili sot u shqyrtua dhe u pranua në Qeverinë e RMV-së.

Ministri Osmani takoi homologen e tij bullgare Teodora Gençovskan, diskutuan për gjendjen aktuale të dialogut politik

Ministrat e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani u takuan sot në Sofje në vigjilje të seancës së dytë të përbashkët ndërmjet Qeverive të Republikës së Bullgarisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Dy kryediplomatët shprehën intensifikimin e dialogut në javët e fundit, si dhe besimin se seanca e ardhshme mes Qeverive do të kontribuojë në kultivimin e dinamikës pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.

Ata e përshëndetën iniciativën për formimin e grupeve sektoriale të punës si mjet për përmirësimin e dialogut politik dhe instrument për identifikimin dhe shfrytëzimin e përfitimeve praktike të bashkëpunimit më aktiv midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë takimit u shqyrtua gjendja aktuale e dialogut politik dhe marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017. U diskutua gjithashtu për përgjigjen e dorëzuar në dhjetor të viti 2021 nga Maqedonia e Veriut ndaj propozimeve nga Bullgaria për paketën e çështjeve politike të ashtuquajtur “5 + 1”.

Ministrat e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani
Ministrat e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani

Ministrja e Kulturës: Qendra Informative Kulturore në Sofje është kapitull cilësor në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, në kuadër të delegacionit qeveritar që ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Bullgarisë, vizitoi Qendrën Informative Kulturore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Sofje. Në takimin me drejtorin Sashko Nasev u bisedua për dinamikën dhe aktivitetet e ardhshme të kësaj qendre të parë kulturore, e cila ka një rëndësi të madhe në promovimin dhe afirmimin e kulturës maqedonase në kryeqytetin bullgar.

Kostadinovska Stojçevska tha se Qendra Informative Kulturore është shembull i një kapitulli cilësor në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë dhe është vend për shkëmbim kulturor, edukim, por edhe vend ku krijohen miqësi të vlefshme.

“Vizita e sotme në Sofje ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe të tregojë se mund të punojmë së bashku në projekte madhore në kulturë”, tha ministrja Kostadinovska Stojçevska.

Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, në Sofje
Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, në Sofje

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në periudhën e ardhshme dhe në kuadër të dinamikës së re të bashkëpunimit, të paralajmëruar nga dy kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, duhet që përmes takimeve të Grupeve punuese të afrojnë qëndrimet në disa fusha. Dy vendet duhet të fokusohen në atë që është e realizueshme për momentin, duke e hapur kështu rrugën për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet më të vështira dhe përfundimisht tejkalimin e mosmarrëveshjes mes tyre e cila do të hapë rrugën për mbajtjen e  Konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian që praktikisht nënkupton fillimin e bisedimeve RMV-BE.

Ndryshe, ky takim i përbashkët vijon pas vizitës zyrtare e javës së kaluar nga kryeministri bullgar Petkov në Shkup, kur u ra dakord të krijoheshin disa grupe pune nga të dyja palët për të punuar intensivisht për të kapërcyer keqkuptimet dhe për bashkëpunim midis dy vendeve.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button