Tetovë, po bëhen dy muaj nga ndërprerja e transportit publik, qytetarët kërkojnë rikthimin

Kanë kaluar rreth dy muaj që kur u ndërpre transporti publik në Tetovë, i cili sipas autoriteteve komunale u bë për shkaqe të parregullsive në ndërmarrje. Sot, pas kësaj periudhe qytetarët kërkojnë rikthimin e tij përsëri, kryetari i Komunës së Tetovës tha se ndërmarrja ka një plan aksional të cilin së shpejti do e ndajnë me publikun, ndërsa ushtruesi i detyrës si drejtor në ndërmarrjen e transportit publik nuk përgjigjet në thirrjet dhe sms porositë, shkruan Portalb.mk.

Autobusët e Tetovës me 7 shkurt bëjnë dy javë në parking që nga ndërprerja e qarkullimit të tyre, kjo sipas autoriteteve komunale u bë për arsye të kaosit, mungesës së sigurimit të punësuarve, shkaku  se ndërmarrja nuk është e regjistruar dhe  të punësuarit e ndërmarrjes NP “Tetova Transport” figurojnë si të punësuar në komunë, si dhe për shkak të parregullsive të shumta.

Qytetarët nuk e dinë kur do të lëshohen në funksion autobusët, andaj kërkojnë rikthimin e autobusëve pasi sipas tyre qyteti ka nevojë për ato.

“Po po duhet, u bë si gjatë që u ndalën po mendoj se duhet t’i lëshojnë prapë, do u ndihmojnë tani edhe nxënësve ato edhe pak do fillojnë ne shkollë po edhe studentëve edhe ato tash fillojnë prapë me ligjërata apo me provime. Tash është edhe ftohtë, po nuk e di çka bëjnë”, tha një qytetar.

“Unë e shfrytëzoja rregullisht edhe pse kishte ndryshime të orarit vazhdimisht, pasi jetoj në konvikt autobusi u ndalte mu para universitetit edhe më kursente kohë deri në qendër, pasi me taksi nuk ke llogari të udhëtosh çdo ditë, kurse në këmbë të duhen afërsisht një orë të shkosh dhe të vish”, tha një student.

“Janë të nevojshme për njerëzit, i shfrytëzojnë, me sa i kam dëgjuar ata (Komuna) kanë thënë se duhet t’i rregullojnë disa punë për t’i lëshuar, po çka bëhet nuk e di, por duhet të lëshohen”, tha një qytetar tjetër.

I pyetur për atë se kur do të rikthehen autobusët në funksion përsëri, kryetari i Komunës së Tetovës tha se te ndërmarrja e transportit publik është e përpiluar një plan aksional për vitin që vjen dhe sigurisht shpejtë do të kenë edhe një konferencë për shtyp për revitalizimin apo vendosjen në funksion të transportit publik.

“Për momentin drejtori dhe ndërmarrja janë duke punuar që të përpilojnë një plan dhe do dalin para opinionit me plan gjithëpërfshirës se si ndërmarrja e transportit publik të jetë funksionale dhe në shërbim të qytetarëve”, tha Bilall Kasami.

Kontaktuam edhe ushtruesin e detyrës si drejtor në ndërmarrjen “Tetova Transport”, Rafiz Mejdian por ai nuk u përgjigj në thirrjen tonë në telefon dhe sms porosinë. Kjo për të dytën herë pasi edhe para disa javësh e kemi thirrur si dhe i kemi shkruar mesazh për të njëjtën çështje, por përfundimi ishte i njëjtë pa përgjigje.

Transporti publik i Tetovës, që nga lëshimi në funksion i saj vazhdimisht po përballet me sfida të ndryshme. Vetëm para dy muajve transporti publik ndaloi së funksionuari, arsyeja e ndërprerjes së katër linjave ishte ndërprerja e furnizimit me naftë nga pompa e benzinësMë pas u vendos që të funksionojë vetëm linja numër një. Pastaj përsëri u ndërpre dhe u lëshua përsëri në funksion. Ndërsa herën e fundit u ndërpre me 7 dhjetor.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të muajit gusht. Autobusët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button