RMV, u ndanë gjashtë grante për mbështetje të projekteve për barazi gjinore

Në kuadër të projektit rajonal “Promovimi i Barazisë Gjinore në Procesin e Anëtarësimit në BE”, organizata “Reaktor- Hulumtimi në Aksion” dhe partnerët nga rajoni iu ndanë 30 grante organizatave të shoqërisë civile për projekte që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe avancimin e grave në shoqëri, njofton Portalb.mk.

Në këtë projekt marrin pjesë organizata nga vendet e Ballkanit ndër ta Reaktor – Hulumtimi në Aksion nga Maqedonia e Veriut, Rrjeti i Grave të Kosovës (Kosovo Women’s Network) nga Kosova, Rrjeti Shqiptar për Fuqizimin e Grave (AWEN) nga Shqipëria, Të Drejta për të Gjithë (Prava za sve) nga Bosnja e Hercegovina, Qendra për të Drejtat e Grave (Centar za zhenska prava) nga Mali i Zi dhe Fondacioni Kvinna till Kvinna nga Suedia përmes zyrës së saj në Maqedoninë e Veriut.

“Projektet e shpërblyera, në vlerë prej 15.000 euro për një grant, që do të realizohen në 18 muajt e ardhshëm, do të trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me barazinë gjinore për përmirësimin e pozitës së gruas në të gjitha segmentet e jetës shoqërore. Mbështetja financiare, për OSHC-të lokale nëpërmjet këtij nën-granti, synon të forcojë kapacitetin e OSHC-ve për ndërveprim më efektiv me autoritetet, duke zhvilluar kështu ndërgjegjësimin për dimensionet gjinore në procesin e anëtarësimit në BE, si dhe rëndësinë e tyre dhe ndikimin në përmirësimin e llogaridhënies së qeverive në zbatimin e angazhimeve të tyre për barazi gjinore dhe të drejtat e grave gjatë këtyre proceseve”, thonë nga Reaktor.

Nga 96 aplikacionet e pranuara, u aprovuan grante për 30 organizata, prej të cilave 6 në Maqedoni:

  • Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut;
  • Glasen Tekstilec;
  • Finance Think;
  • Koalicioni Rural;
  • Shoqata Humanitare “Nëna”;
  • Organizata e grave nga Strumica.

Projekti “Promovimi i barazisë gjinore në procesin e anëtarësimit në BE” fokusohet në forcimin e bashkëpunimit rajonal të organizatave të shoqërisë civile të grave, kërkim dhe analiza gjinore për informim të politikave, avokimin e bazuar në fakte dhe monitorimin e reformave të anëtarësimit në BE, që synojnë promovimin e barazisë gjinore në vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button