Borë në Tetovë: Rrugët e kalueshme, trotuaret ende nuk janë pastruar (Foto)

Tetova sot u zgjua me reshje të bores, rrugët kryesore në të cilat qarkullojnë automjetet janë kryesisht të pastruara, mirëpo kjo nuk mund të thuhet për trotuaret. Gjatë kohës që ishim në terren nëpër qytet lëviznin automjetet me të cilat NPK-ja bën pastrimin e bores, kurse nga kjo e fundit njoftojnë se orët e ardhshme do të bëhet edhe hedhja e krypës dhe rërës, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk sot në mëngjes ka bërë disa fotografi në rrugët e Tetovës ku mund të shihet se trotuaret nuk janë të pastruara deri më tani, ndërsa shihet se si automjetet që pastrojnë borën lëvizin përgjatë bulevardit “Iliria”.

Borë në Tetovë: Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Borë në Tetovë: Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

NPK “Tetova” njoftoi se me të gjithë mekanizmat është aktivizuar në mirëmbajtjen e rrugëve për shkak të reshjeve të borës.

“Gjatë orëve në vijim do të bëhet edhe hedhja e krypës dhe rërës. Kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që rrugët e qytetit dhe fshatrave të malësisë të jenë të qarkullueshme”, thanë nga NPK “Tetova”.

Borë në Tetovë: Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Borë në Tetovë: Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Reshje të borës ka pasur në mbarë vendit dhe për këtë, autoritetet shtetërore kanë ndërmarrë disa masa. Prej orës 08:30 është miratuar ndalesë për automjetet e rënda në rrugën Gostivar-Kërçovë nëpërmjet Strazhës, informojnë nga AMSM. Ndalesë për lëvizje të automjeteve të rënda prej orës 04:50 është miratuar edhe në rrugën Dibër Mavrovë.

Nga DHPM për ditën e sotme kanë paralajmëruar edhe ngrica për shkak temperaturave të ulëta. Reshjet e borës gjatë ditës do të ndalojnë, ndërkaq sipas parashikimeve në ditët në vijim do të ketë mot të ftohtë me erë veriore. Temperaturat ditore do të jenë rreth 0 gradë celsius.

Ndryshe, në Tetovë mirëmbajtjen dimërore të rrugëve e bën NPK “Tetova” me vendim të kryetarit të Komunës së Tetovës, Billall Kasamit. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve në Komunën e Tetovës nuk arriti t’i transferohet NPK-së “Tetova” nga Këshilli Komunal, pasi dy këshilltarët e listës “Më mirë për Tetovën” nuk e votuan këtë pikë sepse kërkuan informata të cilat në atë seancë NPK-ja dhe Komuna nuk i kishin. Kryetari i Komunës tha se në seancën e radhës të këshillit do të dalin me informata të detajuara për këtë pikë që të kalojë në këshill.

Në prag të fillimit të sezonit dimëror, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ndërpreu  procedurën për prokurim publik të shërbimeve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Kjo sipas tij u bë me arsyetimin që komuna të mos marrë ende më shumë borxh, ndërsa për mirëmbajtjen do ta kujdeset Ndërmarrja Publike “Tetova”, me ndihmën e një kompanie private e cila do ndihmojë pa pagesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button