Fillim i ri ose episod i ri, shkas: Takimi i parë i kryeministrave të rinj të Bullgarisë dhe RMV-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Vizita e kryeministrit të ri të Bullgarisë kryeministrit edhe më të ri të Maqedonisë së Veriut solli një erë të re, e cila megjithatë deri më tani nuk ia ka dalë ta pastrojë ajrin e ndotur.

Malinka Ristevska Jordanova

Është e padiskutueshme se dy kryeministrat synuan dhe ia dolën të shfaqnin vullnet për të krijuar klimë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Qëllimi i këtij veprimi u përshkrua si “krijim i kushteve për një të ardhme më të mirë”. Ajo që doli në sipërfaqe në konferencën e tyre për shtyp ishte synimi për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të theksuar përfitimet pozitive prej tij. Ndaj u theksuan pritshmëritë rozë për dinamikën e re në marrëdhëniet mes dy vendeve, nëpërmjet punës dhe rezultateve që do të japin pesë grupet e reja të punës.

Bëhet e ditur se dy kryeministrat u detyruan të ecin mbi “tel”, pasi asnjëri prej tyre nuk ka pozicion komod në skenën e brendshme politike. Prandaj, ata i përsëritën vijat e tyre të kuqe, duke i  shmangur ofendimet ndaj palës tjetër.

Megjithatë, ky imazh rozë ndryshon ngjyrën kur të merre parasysh se çfarë u përvodh dhe çfarë nuk u tha.

Veza e qyqes në këtë vizitë ishte koncesioni i parë zyrtar i Maqedonisë së Veriut ndaj Bullgarisë. Në publik nuk po kalon përpjekja për ta “paketuar” këtë si hap pozitiv nga të dyja palët. Duke i dërguar notë Kombeve të Bashkuara se përdorimi i emrit të shkurtër dhe të gjatë të vendit nuk ka implikime për pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, vendi ynë e përmbushi një prej kërkesave të Bullgarisë nga pozicioni i tyre Kornizë nga viti 2019. Dhe ky është koncesion i njëanshëm që dikush e bëri emër të vendit tonë dhe që do të ketë pasoja.

Me këtë në mënyrë implicite iu dha Bullgarisë e drejta për të relativizuar përfitimet e Marrëveshjes së Prespës dhe të njohë ose të mos njohë në mënyrë të njëanshme diçka që është deklaruar dhe konfirmuar në Kombet e Bashkuara. Së dyti, ky hap është bërë plotësisht jo transparent. Së treti, kjo do të ishte një shmangie nga taktika “asgjë nuk është dakorduar derisa të jemi marrë vesh për gjithçka”, për të cilën pretendohet se ka pas marrëveshje në Qeveri (të paktën sipas deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Dimitrov).

Së fundi, implikimi kryesor i këtij koncesioni dhe mënyra se si është bërë, është frika dhe pasiguria në opinionin maqedonas se qeveria po përgatit koncesione të tjera të tilla, me pasoja të dëmshme të pakthyeshme për vendin tonë, të cilat do të “përvidheshin” në mënyrë të ngjashme. . Deklaratat e zëvendëskryeministrit Mariçiq për pakicën maqedonase në Bullgari ekskluzivisht si “punë e brendshme e Bullgarisë” dhe mundësia e përmendur nga ministri i Jashtëm Osmani për ndryshimin e procedurës dhe anëtarëve të Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore e përforcojnë këtë frikë.

Pyetja e dytë kyçe është se si do të krijohen “kushte për një të ardhme më të mirë” dhe çfarë do të sjellë “bashkëpunimi i intensifikuar”. Kryeministrat nuk përmendën se si rezultati i këtij bashkëpunimi dhe klima pozitive do të ndikojnë në negociatat tona për anëtarësim në BE – miratimi i kornizës negociuese, fillimi dhe e gjithë rrjedha e negociatave.

Kryeministri bullgar Petkov përsëriti qartë se Bullgaria nuk heq dorë nga kërkesat e tyre dhe se qasja aktuale për intensifikimin e bashkëpunimit është vetëm një “përmirësim”. Nëse Bullgaria nuk heq dorë nga kërkesat bazë, duke përfshirë edhe kërkesën që realizimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit të përfshihet si kusht në kornizën negociuese – kjo do të thotë se në procesin e negociatave, Maqedonia me një marrëveshje të re me Bullgarinë (që u përmend shprehimisht në intervistën e Presidentit Pendarovski për 24vesti) do të merrte vetëm kushte të reja në negociatat me BE-në, të cilat Bullgaria do t’i interpretojë sipas dëshirës saj.

Çështja e tretë kyçe është mënyra se si vendi ynë e trajton “kontestin” ose më saktë – bllokadën me ultimatum nga Bullgaria ndaj negociatave tona për anëtarësim në BE. Muajt e fundit kontesti është “bilateralizuar” tërësisht. Sikur harrohet apo të lihet qëllimisht mënjanë se baza është vetoja e Bullgarisë në Kornizën Negociuese të BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – një dokument i BE-së, i propozuar nga Komisioni Evropian dhe në procedurë në Këshillin e BE-së. Me sa duket tërësisht janë neglizhuar relacionet me shtetet anëtare të BE-së, të cilat në fund do të duhet të miratojnë Kornizën Negociuese dhe të gjithë hapat që pasojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button