Macron konfirmoi perspektivën për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi sot se Bashkimi Evropian duhet të rishikojë raportet e tij me Ballkanin Perëndimor, transmeton REL.

Ai tha se shteteve të Ballkanit, BE-ja duhet t’iu ofrojë perspektivë “të sinqertë” për anëtarësimin në bllokun evropian.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë në bisedimet për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë dështuar që të nisin bisedimet për anëtarësim, për shkak se Bullgaria ka vendosur veto duke u thirrur në mosmarrëveshjet që ka me Shkupin sa i përket historisë dhe gjuhës. Ndërkaq, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë të fundit në procesin e integrimit drejt BE-së.

Franca, që nga 1 janari ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së, ka dhënë sinjale se do ta ketë në fokus të Presidencës rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, gjatë një fjalimi të ndarë para Parlamentit Evropian, Macron foli edhe për tensionet në rritje mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai tha se shtetet e BE-së duhet të punojnë së bashku për një marrëveshje të re për stabilitetin dhe sigurinë, për të cilën më pas do të mund të diskutonin me Rusinë.

Duke iu referuar si “përpjekje destabilizuese” në kontinent, Macron, duke folur në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së BE-së, tha se Evropa dëshiron të gjejë një përgjigje politike për konfliktin në Ukrainë.

“Siguria e kontinentit tonë është e pandashme”, tha Macron duke iu referuar Rusisë. Ai shtoi se Evropa duhet të definojë standardet e saj të sigurisë.

Macron tha se Evropa duhet ta “sjellë veten në pozicion që (standardet) të respektohen”, por nuk dha më shumë hollësi.

Më herët gjatë ditës, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që po qëndron në Kiev, paralajmëroi se Rusia mund të nisë një sulm të ri ndaj Ukrainës.

Kievi dhe Perëndimi janë të shqetësuar se Rusia është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën, pasi Moska ka grumbulluar rreth 100,000 trupa përgjatë kufirit që i ndanë këto dy shtete.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito, transmeton Portalb.mk.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button