Kodra e Diellit, atraksioni turistik i cili nuk promovohet mjaftueshëm

Kodra e Diellit vazhdon të mbetet qendra turistike rreth së cilës ngritën debate në publik për potencialin e madh turistik që ka dhe nga ana tjetër për mosangazhimin e autoriteteve për të investuar në të. Agjencia e cila është përgjegjëse për të promovuar kapacitetet turistike të vendit, thotë se Kodrën e Diellit e ka promovuar, por nëse shfletojmë ueb-faqen, apo faqen e Facebook-ut të tyre është rëndë që të gjenden aktivitete për promovimin e këtij aseti turistik. Në mungesë të këtij promovimi, qytetarët dashamirë të Kodrës me vetiniciativë kanë krijuar një grup në Facebook ku ndajnë dhe promovojnë të rejat më të fundit nga kjo qendër turistike, shkruan Portalb.mk

Në vazhdën e debateve për mosinvestim në Kodrën e Diellit, apo për fshehje të emrit të investitorit të paralajmëruara nga Qeveria, apo dhe fotografive skandaloze nga rrëmuja e kolonës prej disakilometrave gjatë vikendit të kaluar në Kodrën e Diellit, sot u interesuam për atë se sa Agjencia shtetërore për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit e promovon këtë destinacion turistik.

Nga Agjencia për Portalb.mk thonë se bëjnë promovim dhe përkrahje të turizmit në mënyrë të balancuar të kapaciteteve turistike të Maqedonisë së Veriut, përfshirë qendrën dimërore Kodra e Diellit.

“Ju lutemi hidhni një sy në faqen tonë zyrtare ku do të gjeni një tekst promovues për Malin Sharr / Kodrën e Diellit dhe rajonin. Kodra e Diellit aktualisht është duke u promovuar në rrjetet sociale. Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit, në përputhje me aktivitetet programore, çdo vit në vazhdimësi realizon fushatë mediatike në Shqipëri, Kosovë, Turqi, Poloni dhe vende të tjera ku promovohen tekste, video dhe foto me përmbajtje turistike, duke përfshirë promovimin e Kodrës së Diellit dhe rajonit”, thanë nga kjo Agjenci.

Ashtu siç na thanë nga Agjencia, i hodhëm një sy së pari tekstit promovues i cili nuk kishte datë se kur është publikuar, ashtu siç nuk kanë datë aktivitetet e publikuara në ueb-faqen e Agjencisë.

Bazuar në këtë fushatë mediatike që thanë nga agjencia, në ueb-faqen e tyre ekziston një hapësirë ku mund të shihet promovimi i atraksioneve turistike të RMV-së në vendet e huaja. Aty mund të shihen të gjitha atraksionet tjera vazhdimisht, ndërsa imazhet nga Kodra e Diellit në të shumtën e rasteve nuk figurojnë, ose edhe nëse përmendet gjendet diku mes rreshtave.

Promovimin e turizmit të RMV-së në mediat e vendeve të huaja mund ta shihni duke klikuar KËTU dhe pastaj klikoni në secilin flamur për të parë materiet promovuese në secilin shtet.

Maqedonia në media të huaja
Maqedonia në media të huaja

Theksojmë që Agjencia për promovim të Turizmit vetëm një orë pasi i kontaktuam me pyetjet tona gazetareske në rrjetin e tyre Facebook shpërndanë disa fotografi të qendrave të skijimit në vend, që për këtë dimër nuk kishin postuar më parë diçka të tillë.

Qendra për Skijim, që në dhjetor të vitit të kaluar publikoi një spot promovues me titullin “Ky vit do të jetë festë në Kodrën e Diellit” e cila u shpërnda nëpër rrjete sociale, por jo edhe nga Agjencia për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit.

Videon e gjeni KËTU.

Ndryshe, në mungesë të promovimit institucional, qytetarët dhe dashamirët e Kodrës së Diellit me vetëiniciativë kanë krijuar në Facebook grupin “Kodra e Diellit Freeriders” ku në një farë forme e bëjnë promovimin e kësaj të fundit, ku shpërndajnë informatat më të fundit dhe gjithçka për sa i përket kësaj qendre turistike.

Nevoja për promovimin e Kodrës së Diellit është e domosdoshme ashtu siç është ndërtimi i vendeve të reja për parking, menaxhimi mirë me mbeturinat,  përmirësimi i infrastrukturës së dobët te vikend shtëpizat, plani detal urbanistik dhe të tjera. Për këtë është i nevojshëm bashkëpunim më i ngushtë i të gjitha institucioneve të nivelit shtetëror dhe lokal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button