UNICEF: Shtyrja e vitit shkollor në RMV të jetë masë e përkohshme

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për shtyrjen e fillimit të vitit shkollor pas pushimit dimëror duhet të jetë masë e përkohshme dhe duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që fëmijët të kthehen në shkollë. Kështu tha përfaqësuesja e UNICEF-it në RMV, Partizija DiDzovani, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ajo thotë se viti 2022 nuk duhet të jetë edhe një vit tjetër i mësimit të degraduar, por një vit në të cilin edukimi dhe interesi më i mirë i fëmijëve do të jetë prioritet.

“E dimë se masat parandaluese në shkolla janë efektive dhe duket se prania fizike në shkollë nuk është shtytësi kryesor i përhapjes së infeksionit. Për muajin e fundit të mësimdhënies në vitin 2021, të dhënat tregojnë një shkallë shumë të ulët të infeksionit me vetëm 0,01% raste të reja në ditë te nxënësit, dhe 0,03% te mësuesit. Për krahasim, në dy javët që shkollat ​​u mbyllën për pushimet dimërore, numri i rasteve të reja të infektuara në të gjitha grupmoshat u katërfishua, nga afërsisht 2,600 në 11,000 raste pozitive të konfirmuara. Këto të dhëna duhet t’i shfrytëzojmë për të bërë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur shkollat e hapura dhe fëmijët të ndjekin mësimet në mënyrë të sigurtë” tha DiDzovanni.

Ajo shton se një valë tjetër e mbylljes së shkollave do të ishte katastrofale për fëmijët, pasi që edhe para pandemisë Maqedonia e Veriut përballej me një krizë në kualitetin arsimor, te mbi gjysma e 15-vjeçarëve në vend është vërejtur se nuk arrinin nivelet bazë të aftësive të leximit dhe llogaritjeve matematikore.

“Është e qartë se është në interesin më të mirë të fëmijëve të jenë në klasa dhe rihapja e shkollave duhet të jetë prioritet për të gjithë vendin. Rreziqet me të cilat përballen fëmijët kur janë jashtë shkollës mbeten më të mëdha se rreziqet në shkollë. Mbyllja afatgjatë e shkollave në të gjithë vendin, burimet e kufizuara për studentët, mësuesit dhe prindërit dhe mungesa e qasjes në mësimin në distancë kanë vonuar dekada të përparimit në arsim dhe e kanë bërë fëmijërinë të panjohur”, tha DiDzovanni.

“Kur shkalla e infektimit me Covid-19 rritet në komunitet dhe kur masat e rrepta të shëndetit publik bëhen domosdoshmëri, shkollat ​​duhet të mbyllen të fundit dhe të hapen të parat”, shtoi përfaqësuesja e UNICEF-it në vend.

Ndryshe, Qeveria dje mori vendim me të cilin numri i ditëve mësimore në vitin shkollor 2021/2022 në shkollat ​​fillore dhe të mesme në kushte emergjente të jetë 172 ditë mësimore, që do të thotë se pushimi dimëror i nxënësve do të zgjasë deri me një shkurt, dhe viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor.

Pas këtij vendimi do të ketë përshtatje të planprogrameve në mënyrë që të plotësohet data 10 qershor, si afat i fundit për përfundimin e vitit shkollor, thanë nga Qeveria e RMV-së.

LEXO: Mësimi në shkollat në Maqedoninë e Veriut nuk do të fillojë prej 20 janarit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button