“Izborologija” – loja e parë sociale onlajn për edukim politik të të rinjve

Shoqata – Liderë për Edukim, Aktivizëm dhe Zhvillim (LEAD) dhe Fondacioni Konrad Adenauer e krijuan “Izborologija” – lojën e parë sociale onlajn për të përmirësuar edukimin politik të të rinjve, shkruan Meta.mk transmeton Portalb.mk.

Loja u lejon lojtarëve të “futen në këpucët” e liderit të një partie politike imagjinare dhe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Objektivi kryesor, për të cilin dedikohet kjo lojë, janë votuesit e rinj ose të rinjtë  të cilët ende nuk e kanë fituar të drejtën e votës, megjithatë ajo është në dispozicion për të gjithë të interesuarit.

“Izborologija paraqet mundësi të mirë që nëpërmjet lojës përdoruesit të njihen me sistemin politik të vendit. Është veçanërisht interesant që lojtarët përballen me sfida reale, të cilat janë pjesë e fushatës zgjedhore dhe aktiviteteve të partive politike në Maqedoninë e Veriut”, tha Daniel Braun, përfaqësues zyrtar i Fondacionit Konrad Adenauer në Maqedoninë e Veriut.

Duke luajtur “Izborologija”, me përdorues të tjerë, lojtarët kanë mundësi të njihen për së afërmi me sistemin politik të vendit tonë, të kuptojnë se si funksionon demokracia parlamentare, si zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe mënyrën se si partitë politike kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut marrin pjesë aktive në procesin zgjedhor në vend, ku çdo i dyti i ri voton rregullisht në zgjedhje, ndërkohë që nga ana tjetër më shumë se gjysma e të rinjve, gjegjësisht 56 për qind, rrallë ose kurrë nuk i ndjekin dhe nuk janë të interesuar në ngjarjet dhe zhvillimet politike në vend. Kjo do të thotë se numër i madh i tyre përfshihen në procesin zgjedhor të painformuar, gjë që flet për vetëdije dhe edukim të ulët politik të të rinjve, thonë nga Shoqata LEAD.

“Niveli i ulët i vetëdijes dhe edukimit politik tek të rinjtë është problem serioz dhe është e rëndësishme të jemi kreativë në zgjidhjen e tij. Format tradicionale të edukimit nuk japin më rezultate të mëdha, kështu që ne e krijuam këtë model të të mësuarit nëpërmjet lojës, sepse kjo është ajo që është e pranueshme për të rinjve”, tha Ilija Stankovski, drejtor programi i Shoqatës LEAD.

Dy javë pas shpalljes zyrtare, loja “Izborologija” ka më shumë se 200 profile të krijuara nga përdoruesit. Aktualisht është e hapur thirrja për pjesëmarrje në një turne që do të zgjat deri më 20 janar, ndërsa do të zbatohet në periudhën prej 24 deri më 28 janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button