Oda Ekonomike e RMV-së para Gjykatës Kushtetuese e konteston ditën e diel si ditë jopune

Gjykata Kushtetuese njofton se Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar dy iniciativa për formimin e lëndëve që kanë të bëjnë me ditën e diel si ditë jopune transmeton Portalb.mk.

Njëra iniciativë i referohet ndryshimeve në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës që e shpallin të dielën ditë jopune, me përjashtim të disa veprimtarive.

“Parashtruesi e konteston Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës të publikuar në “Gazetën Zyrtare të RMV-së” nr. 288/21, në kundërshtim me lirinë dhe tregun e ndërmarrësisë, vlerat themelore dhe barazinë e qytetarëve. Ligji i kontestuar i referohet rregullimit të punës të dielën”, tha Gjykata Kushtetuese.

Iniciativa tjetër ka të bëjë me ndryshimet në Ligjin për tregtinë me të cilat tregtia me pakicë nuk mund të bëhet të dielave dhe festave, përveç se në qendra tregtare, pompa benzine, vende turistike, evente, tregje të gjelbra dhe nëse pronari punon i vetëm në dyqani.

“Po kundërshtohen dispozitat që kanë të bëjnë me orarin e punës, inspektimet dhe sanksionet kundërvajtëse. Sipas parashtruesit, dispozitat e kontestuara ishin në kundërshtim me lirinë e tregut dhe të sipërmarrjes (neni 8, pika 7), sundimi i ligjit (neni 8, pika 3) dhe me parimin e barazisë (neni 9) të Kushtetutës”, tha Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi më 20 dhjetor miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune, me të cilin të dielën është shpallur ditë jopune, që ishte një nga kërkesat kryesore të Federatës së sindikatave të Maqedonisë. Me zgjidhjen e re ligjore, e diela do të jetë ditë jopune për 92% të punëtorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button