Edhe banorët e qyteteve të afërta po e presin transportin publik falas në Shkup

Udhëtimi me tren ose autobus, prej qyteteve në afërsi Shkupit, u shkakton shpenzime të larta banrëve të Kumanovës, Velesit dhe Tetovës, të cilët udhëtojnë çdo ditë për në punë, shkollë apo kanë obligime të tjera në kryeqytet. Prej qyteteve që gravitojnë rreth Shkupit, ka një fluks të përditshëm të mijëra qytetarëve, të cilët kanë zgjedhje të udhëtojnë me vetura, gjë që shkakton bllokime në trafik dhe probleme me vendet e parkimit në Shkup, ose të përdorin tren ose autobus, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nëse vendosin të udhëtojnë me tren ose autobus qytetarët, nga brendia e shtetit, aktualisht janë të detyruar të paguajnë bileta ditore ose mujore për tren dhe autobus ndërurban, plus biletat ditore ose mujore për transportin publik në Shkup. Kështu, bileta mujore në linjën Shkup-Veles-Shkup kushton 2.450 denarë që qytetarët e paguajnë në Hekurudhat e RMV-Transporti, ndërsa për udhëtim nga Qendra e Transportit deri në shkollë ose në vendin e punës në Shkup paguajnë biletë të veçantë mujore në NTP.

Të gjitha këto procedura të dyfishta për sigurim të biletave, shpenzime të transportit pa zbritje apo lehtësime në vitet e fundit kanë ndikuar që në Shkup të rritet numri i qytetarëve, të cilët udhëtojnë nga Kumanova, Velesi dhe Tetova me vetura dhe kështu të zvogëlohet numri i udhëtarëve në trenat dhe autobusët ndërurban.

Nga Qyteti i Shkupit, për Meta.mk, thonë se problemi që i kanë banorët e qyteteve përreth, të cilët përdorin transport publik do të zgjidhet me vendosjen e transportit falas me autobus në kryeqytet.

“Aplikimi i transportit falas me autobus do të fillojë të realizohet në faza dhe kjo do të jetë zgjidhje sistematike edhe për këtë problem”, thuhet në përgjigjen që e morëm nga Qyteti i Shkupit.

Autoritetet e qytetit sqarojnë se gjatë vitit 2022 tre herë do të shpallen kategoritë e përdoruesve të transportit me autobus, të cilët do të kenë mundësi që falas ta përdorin transportin qytet – periferi të Shkupit, ndërsa vitin e ardhshëm në faza do të zbatohet programi i plotë për transport falas në Shkup.

Meta.mk tash e tri vite shkruan për problemin e banorëve të Kumanovës, Velesit dhe Shkupit, të cilët çdo ditë udhëtojnë për në Shkup dhe mbrapa. Nga Hekurudhat e RMV – Transporti në pranverën e vitit 2019 deklaruan se pranojnë të bashkëpunojnë për realizimin e një projekti për futje të biletës së kombinuar të trenit dhe transportit publik. Nga NTP-Shkup pastaj thanë se për një lehtësim të tillë, për shfrytëzimin e transportit publik fillimisht duhet të vendosë Qyteti i Shkupit, e më pas NTP të lëshojë në përdorim një biletë të tillë të kombinuar.

Edhe në vitin 2020 kemi shkruar për këtë temë, ndërsa “Hekurudhat e RMV-Transport” më pas konfirmuan se në vendet e Evropës Perëndimore ekziston biletë e kombinuar e trenit dhe transportit publik, por edhe se për Shkupin duhet të përgatitet një studim për kushtet, mundësitë operative dhe teknike për realizimin e këtij projekti.

Për shkak se nuk ka biletë të kombinuar, shumë qytetarë që udhëtojnë çdo ditë në Shkup dhe mbrapa në qytete të tjera përdorin edhe taksistë ilegalë, të cilët janë të dislokuar në disa lokacione në kryeqytet. Njëjtë sikur me udhëtimin me makinë personale, ata janë fleksibil për t’u ndalur në çdo vend afër destinacionit të fundit, por shoferët e taksive të paligjshëm nuk paguajnë fare licenca për punë dhe tatime dhe shpesh përdorin automjete që kanë mangësi teknike.

Ndryshe, në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kryetarja Danela Arsovska, si një nga premtimet kryesore, përmendi fillojë transportin publik falas në Shkup. Partia opozitare LSDM në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe disa nga qytetarët kërkojnë që kryetarja ta përmbushë premtimin e saj në 82 ditët e para të menaxhimit me kryeqytetin.

“Që brenda 82 ditëve të para të mandatit do të pastrojmë deponitë ilegale ku digjen mbetje të rrezikshme. Do të blejmë 250 autobusë ekologjikë dhe do të lehtësojmë qasje në transportin publik, ndërsa me transportin publik falas dhe cilësor pritet të reduktojë përdorimin e makinave dhe bllokimin e trafikut” deklaroi kryetarja Arsovska më 23 tetor 2021.

Gati dy muaj pasi e mori detyrën kryetarja e Shkupit më 17 dhjetor 2021 deklaroi se transporti publik falas është projekt që do të realizohet në një periudhë dyvjeçare dhe jo brenda 82 ditëve pas marrjes së detyrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button