Kaosi në Kodrën e Diellit, qytetarët e kërkojnë teleferikun që premtohet me vite (FOTO)

Makina të shumta dhe qytetarë nga vendi e rajoni dje e bllokuan rrugën Tetovë – Kodër e Diellit, gjegjësisht u bë kolonë me automjete rreth shtatë kilometra, prej fshatit Lisec deri te atraksioni turistik i cili fatkeqësisht është lënë pas dore nga institucionet si ato qendrore ashtu edhe lokale. Qytetarët e shohin zgjidhjen e kaosit të trafikut te rikthimi i teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit, i cili ka funksionuar prej vitit 1962 deri në vitin 2001, shkruan Portalb.mk.

Turistët që dje vizituan Kodrën e Diellit, hoqën të zinjtë e ullirit për të arritur në destinacionin turistik pasi u përballën me kolonë makinash prej disa kilometrave, por edhe vetura të parkuara anash rrugës, kaos, i cili vazhdon të përsëritet çdo fundjavë, duke pasur parasysh mungesën e investimeve dhe zhvillimit infrastrukturor.

Foto fb: Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit
Foto fb: Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit

Dje, madje sipas drejtorit të Elem Tursit, Adem Avziu, Kodra e Diellit e ka arritur kulmin e vizitorëve për këtë sezon.

Me këtë rast sërish dolën në shesh problemet për të cilat vazhdimisht ankohen qytetarët – mungesë investimesh, parkingjesh, papastërti e kaos.

“Çdo vit e njëjta përsëritet, shteti ka hequr dorë prej këtij vendi, nuk ka investime. Por ne do vijmë, çdo herë do vijmë sepse kjo është pasuria jonë natyrore, e duam edhe pse e kanë lënë mbas dore”, tha një qytetar.

Foto fb: Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit
Foto fb: Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit

“Duhen urgjentisht parkingje të reja që të lirohet edhe rruga se më shumë rijmë në rrugë kur vijmë se sa atje lartë. Ose le ta rregullojnë teleferikun. Duhet te gjendet zgjidhje se kështu nuk shkon”, tha një qytetar tjetër.

“Duhet teleferiku të futet në funksion se zgjidhje tjetër për këtë kaos nuk ka, kur krejt këto vetura do jenë poshtë në qytet edhe ky kaos këtu nuk do të krijohet, do ngel një imazh në histori po kështu si e shohim nuk po punohet me vite për këtë, nuk është problem që sot ka dalë me”, tha një tjetër qytetar.

Foto fb: Fatmir Bajrami
Foto fb: Fatmir Bajrami

Reagimi i vizitorëve u shoqërua edhe me reagime në rrjete sociale duke shpërndarë fotografi nga kaosi dhe duke i kritikuar autoritetet.

Foto fb: Cufi Abdullai
Foto fb: Cufi Abdullai

Teleferik për të “pastruar” kaosin e trafikut

Shpëtim nga kaosi i cili krijohet me kolona të gjata të automjeteve në Kodrën e Diellit sipas qytetarëve është teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit, i gjithashtu mbështetet edhe nga OJQ-ja e cila angazhohet për mbrojtjen e këtij atraksioni turistik, por edhe kryetari i Komunës .

Nga Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thonë se “Kodrën e Diellit e shpëton vetëm teleferiku Tetovë Kodër e Diellit ku turistët nuk do të kenë nevojë të ngjiten në kodër me makina dhe në këtë mënyrë rruga nuk do të ishte e bllokuar dhe kjo qendër turistike do të ishte edhe më funksionale.”

Për tollovinë e krijuar dje në Kodër, reagoi edhe kryetari i Komunës së Tetovës i cili tha se së bashku me ekipin e tij janë në kërkim të zgjidhjes për këtë problem.

“Si pjesë e saj, është paraparë edhe rindërtimi i Teleferikut të qytetit, simbolit tonë “Tetovë – Kodër e Diellit”. Po ashtu, ftoj për bashkëpunim institucionet e pushtetit qendror, shoqërinë civile dhe të tjerë për të dhënë ndihmesën e tyre në hartimin e planit detal urbanistik. Gjithashtu si pjesë e planit për vitin 2022 është paraparë edhe ndërtimi i parkingut në kate në Kodër të Diellit e cila do të krijonte mbi 900 vende parkimi”, tha Bilall Kasami, i cili teleferikun e premtoi edhe gjatë periudhës parazgjedhore.

Kur bëhet fjalë për t’u fotografuar siç ishte rasti i lëshimit në përdorim të teleferikut gjashtë ulës apo rasti i ndezjes së ndriçimit, i gjithë kabineti qeveritar e funksionarë partiak u vërsulën në Kodrën e Diellit, por kur duhet të japin llogari thonë se nuk janë kompetent.

“Ju lutemi kontaktoni me autoritetet e Elem Turs”, na thanë nga Ministria e Ekonomisë, pavarësisht se udhëheqësi i këtij resori vazhdimisht promovon aktivitete në Kodrën e Diellit.

This slideshow requires JavaScript.

Për atë se deri ku është ky projekt i premtuar, drejtori i Elemit, Adem Avziu tha se e ka planifikuar për ta bërë projekt ideor teleferikun Tetovë-Kodra e Diellit për këtë vit.

“Si të kalojë plani i furnizimeve publike unë do e shpalli thirrjen për të bërë aplikime kompanitë të cilët mund të bëjnë projektin ideor të Teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit. Të kalojnë procedurat e aprovimit të planit për furnizime publike, për një afat më të shpejt do e hap. Është projekt më i madh, kërkon kohë, kërkon mjete financiare më shumë dhe kërkon periudhë realizimi më afatgjate e cila ka komplikimet e veta gjatë punimeve në terren”, tha Adem Avziu.

Rikujtojmë se në vitin 1962, u ndërtua kjo gondolë dhe filloi me punë pjesa e parë e teleferikut deri në Lisec, me gjatësi 3209 metra. Tre vite pas vënies në punë të teleferiku Tetovë-Lisec, në vitin 1965 u lëshua në përdorim edhe pjesa e dytë e këtij teleferiku Lisec-Kodër Dielli, në gjatësi 2991 metra. Teleferiku kishte 100 kabina, me kapacitet për 400 persona. Koha e udhëtimit ishte 40 minuta. 103 000 udhëtarë përdorën teleferikun nga data 8 mars kur filloi me punë deri në dhjetor të të njëjtit. Prej vitit 2001 teleferiku është shkatërruar dhe është jashtë funksionit. I njëjti, është “peng” i premtimeve parazgjedhore, të çdo partie politike, çdo cikël zgjedhor.

Në zgjedhjet e fundit, partitë qeverisëse premtuan këtë. Programin e plotë zgjedhor të BDI-së mund ta lexoni: KËTU, premtimet e Kodrës së Diellit nga faqe 114 deri në faqen 116. Koalicioni LSDM-BESA me emrin “Mundemi” që nuk ishte prezent ka premtuar për Kodrën e Diellit. KËTU (faqe 14) mund ta lexoni çka premtojnë ata për këtë qendër turistike. Programin e plotë zgjedhor të PDSH-së mund ta lexoni: KËTU, premtimin për Kodrën e Diellit në faqen 51.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button