ANALIZË: Investimet kapitale 2021: realizimi prej 78,3%, cilat ministri dhe institucione sa kanë shpenzuar?

Në vitin 2021 nuk u arrit realizimi i planifikuar dhe i paralajmëruar i investimeve kapitale prej së paku 80%. Të dhënat e reja të Ministrisë së Financave tregojnë se deri më 31 dhjetor 2021 janë realizuar 379 milionë euro shpenzime kapitale, që është 78,35% e shumës së planifikuar. Deri në nëntor, vetëm tri ministri kanë pasur realizime më të larta se 80%, ndërsa ka institucione që nuk kanë shpenzuar as 10% të buxhetit vjetor për investime kapitale, gjegjësisht investime publike. Këshilli Inspektues ka zero për qind të realizimit të shpenzimeve kapitale. “Portalb”-i publikon detaje se cilat institucione sa para kanë shpenzuar për shpenzime kapitale deri në fund të nëntorit – për të cilën periudhë janë në dispozicion të dhënat e fundit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Realizimi i shpenzimeve kapitale te ministritë…

Ministritë me buxhete “më të mëdha” për shpenzime kapitale arritën të shpenzojnë më shumë mjete për këtë qëllim, por deri në muajin e njëmbëdhjetë të vitit 2021 asnjë ministri nuk e ka tejkaluar realizimin më të lartë se 90%. Përqindjen më të lartë të realizimit e ka Ministria e Kulturës e cila kishte në dispozicion 534 mijë euro dhe ka realizuar 89,6%.

Më shumë se 70% e realizimit të investimeve kapitale është realizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cilat nga 15,5 milionë eurot që i ka pasur në dispozicion – ka shpenzuar 81,1%,  Ministria e Bujqësisë nga totali i mjeteve në vlerë prej 29,3 milionë euro për shpenzime kapitale, ka realizuar 80,7% dhe Ministria e Ekonomisë prej 3,9 milionë eurosh për shpenzime kapitale ka shpenzuar 76,8%. Me njërin nga buxhetet më të mëdha për projekte kapitale në vlerë prej 44,9 milionë euro ishte Ministria e Mbrojtjes, e cila nga kjo shumë ka shpenzuar 69,7%.

Ministria e Financave vitin e kaluar ka pasur në dispozicion 11.1 milionë euro për shpenzime kapitale, ndërsa realizimi ka qenë 61,0% ndërsa përmes  Ministrisë së Financave – funksionet e shtetit janë realizuar 63,7% deri në fund të muajit nëntor.

Ministria e Arsimit kishte buxhet për projekte kapitale prej 22,7 milionë euro, ndërsa realizimi ishte 60,1%, Ministria e Shoqërisë Informatike prej 685,000 eurove ka shpenzuar 58,4%, ndërsa ministritë e tjera kanë pasur një nivel të realizimit më të ulët se 60%.

Kështu, Ministria e Punëve të Jashtme prej 344.000 eurove, ka realizuar 54,3%,  Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e cila ka një nga buxhetet më të mëdha prej 49,6 milionë eurosh dhe në duart e së cilës ka projekte të rëndësishme infrastrukturore, ka realizuar 50,9%, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prej 27,6 milionë eurove për projekte kapitale – ka shpenzuar 49,3%, ndërsa Ministria e Shëndetësisë prej 11,2 milionë eurove ka realizuar 48,3%.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale kishte në dispozicion 124,000 euro nga të cilat realizoi 44,1%, Ministria e Drejtësisë prej 116.000 eurove ka shpenzuar 41,1%, Ministria e Mjedisit Jetësor nga gjithsej 6,3 milionë euro për shpenzime kapitale, ka realizuar 49,6%, ndërsa Ministria e Sistemit Politik në vitin 2021 kishte në dispozicion gati 94,000 euro për projekte kapitale, ndërsa shpenzoi vetëm 39% të parave.

Realizimi i shpenzimeve kapitale te agjencitë dhe inspektoratet…

Ndër institucionet me shumë të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale është Kuvendi, i cili vitin e kaluar kishte 1,5 milionë euro për të shpenzuar, mirëpo deri në nëntor kishte realizuar vetëm 11,3%. Më pak se 15% realizim për 11 muaj janë regjistruar në disa agjenci dhe inspektorate shtetërore.  Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili ka shpenzuar nga 6,000 euro për shpenzime kapitale ka shpenzuar vetëm 440 euro ose 7,3% , një nivel të ulët të realizimit prej 1,58% ka në Agjencinë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit, në Entin Shtetëror për Pronë Industriale realizimi është 1,44%, ndërsa në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit përqindja e realizimit është 8,7%.  Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale ka një nivel të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale prej vetëm 13,6%.

Sipas njoftimeve dhe pritshmërive, viti 2021 është dashur të mbyllet me realizimin e investimeve kapitale prej së paku 80%. Gjithashtu ka pasur njoftime se realizimi i investimeve publike do të monitorohet nga afër dhe se institucionet që nuk do ta përmbushin planin mund të mbeten me “mëngë të shkurtra” kur bëhet fjalë për mjetet buxhetore për projekte investuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button