ANKETË: Të rinjtë nuk janë të njohur me mundësitë që i ofron BE-ja për të financuar projekte shkencore

Shumica e të rinjve në vend, përfshirë studentët dhe ata që i janë në studime pasuniversitare, nuk janë të njohur me mundësitë që u ofrohen për zhvillimin e projekteve dhe profilizimin e tyre në fushën e shkencës dhe veprimtarisë shkencore. Sipas Raportit për monitorimin e progresit të Maqedonisë drejt BE-së për vitin 2021, vendi ka bërë përparim minimal dhe të kufizuar në fushën e shkencës dhe hulumtimit. Pikërisht ky konkluzion i BE-së ishte shkas që Meta.mk të bëjë një anketë onlajn mes të rinjve në vend.

Gjegjësisht, Komisioni Evropian deri tani ka financuar projekte të ndryshme në të cilat qytetarët e Maqedonisë kanë pasur mundësi të përfshihen. Një prej programeve kryesore, që janë financuar nga BE-ja, është Programi i Hulumtimit dhe Inovacionit, Horizon 2020, qëllimi kryesor i të cilit është të mundësojë avancim dhe punësim në fushën e shkencës për profesione të qëndrueshme të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse. Në Raport theksohet se vendi në vitin 2021 ka shënuar përparim në procesin e përfshirjes në Program, krahasuar me një vit më parë, por pavarësisht kësaj, përqindja e pjesëmarrjes në Horizon 2020 mbetet e ulët me vetëm 11,7 për qind. Përveç shpërndarjes së informacionit, në vend nuk janë bërë promovime dhe iniciativa të tjera për prezantimin e programit Horizon 2020, as për të mbështetur aplikuesit.

Për shkak të këtij konkluzioni të BE-së, Meta.mk vendosi që, në periudhën prej 29 deri më 31 dhjetor 2021, të bëjë një anketë onlajn me studentët në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike dhe Teknologjisë Informative, Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike me pyetje rreth programit kornizë Horizon 2020 dhe për atë nëse do të realizonin hulumtimet e tyre dhe sa besojnë që shteti ka mundësi dhe nëse do ta mbështesë atë. Në anketë morën pjesë gjithsej 112 studentë.

Në pyetjen “Sa jeni të njohur me programin kornizë “Horizon 2020”, 49,5 për qind e studentëve janë përgjigjur se për herë të parë dëgjojnë atë, ndërsa 47,7 për qind nuk janë fare të njohur me këtë program. Vetëm 1,8 për qind e të anketuarve thanë se ishin të njohur me programin, ndërsa një përqindje jashtëzakonisht e vogël, prej 7,2 për qind, thanë se kishin dëgjuar, por që nuk e dinin saktësisht se për çfarë bëhej fjalë.

Të njëjtën pyetje Meta.mk ia parashtroi prof. dr. Eftim Zdravevskit, profesor ordinar në FINKI dhe fitues i çmimit shkencëtari më i mirë në fushën e shkencave teknike dhe teknologjike për vitin 2020.

Profesor Zdravevski u përgjigj se personalisht ishte i njohur me këtë program dhe se ishte informuar nga shërbimet e fakultetit. Megjithatë, vë në pah ai, në programe të tilla ka shumë pak pjesëmarrës nga Maqedonia, kurse edhe më pak bartës. Sipas tij, ka disa arsye për këtë.

“Së pari, është mbështetja e dobët administrative prej fakulteteve dhe universiteteve për studiuesit. Gjegjësisht, shkencëtari në kohën e mbetur pas obligimeve mësimore duhet të përgatisë dokumentacion të gjerë e më pas të udhëheq projektin duke u përballuar me detyra të shumta administrative. Gjithashtu, mendoj se stafi shkencor nuk ka përvojë apo dëshirë të mjaftueshme për t’u marrë me tërë barrën administrative, pas së cilës praktikisht nuk mbetet kohë për hulumtime. Një sfidë tjetër është krijimi i rrjetit shkencor me pjesëmarrës nga vende të tjera. Mundësitë e vogla për të udhëtuar në konferenca shkencore, veçanërisht për shkencëtarët e rinj, studentët e magjistraturës dhe doktoraturës, i bëjnë praktikisht të pamundura takimet me kolegë nga vende të tjera, të cilat janë të nevojshme për aplikim të suksesshëm për projektet Horizon”, thotë ai.

Sipas prof. Dr. Zdravevski, vitet e fundit ka pasur përparim në këtë fushë falë programeve të COST (Bashkëpunimi Evropian për Shkencë dhe Teknologji) që financohen nga Komisioni Evropian. Një prej qëllimeve kryesore të të ashtuquajturave aksione është rrjetëzimi i shkencëtarëve, që në të ardhmen të mund të aplikojnë për Horizon 2020 dhe projekte të tjera më serioze. Ai vë në pah se qëndrimi individual gjatë pjesëmarrjes në aksionet COST duhet të orientohet drejt themelimit të kontakteve të reja për bashkëpunim në të ardhmen.

“Kultivimi i këtyre kontakteve kërkon përkushtim dhe angazhim edhe pas udhëtimeve. Por, për fat të keq, jam dëshmitar që ndonjëherë udhëtimet e tilla nuk shfrytëzohen siç duhet. Shpesh pjesëmarrësit nga Maqedonia (dhe vendet e tjera të rajonit) kanë një qasje disi më të relaksuar sikur është udhëtim turistik, e jo me qëllim të qartë për të takuar kolegë me të cilët do të mund të bashkëpunonim në të ardhmen”, tha profesori Zdravevski.

Meta.mk në onlajn anketën e parashtroi edhe pyetjen “Cila është pengesa kryesore për zhvillimin e veprimtarisë shkencore në vend”, ku 82,1 për qind e studentëve, të cilët u përgjigjën në anketë, janë shprehur se është mungesa e hapësirave të pajisura dhe numri pamjaftueshëm i laboratorëve dhe hapësirave për hulumtim.

Njëkohësisht, 69,6 për qind e studentëve të anketuar thanë se arsyeja kryesore që i pengon ata të fillojnë hulumtim shkencor është mungesa e burimeve financiare.

Profesori universitar Eftim Zdravevski beson se për pjesën më të madhe të hulumtimeve, që kanë të bëjnë me shkencat kompjuterike dhe inxhinieri, në vend e në veçanti në Fakultetin ku ai punon, burimet tashmë janë në dispozicion. Ai thotë se është në proces pajisja shtesë të laboratorëve dhe qendrës kompjuterike të FINKI-t. Sipas tij, ajo që mungon janë burimet për të punuar në cloud (si Amazon AWS, Microsoft Azure, Google Cloud etj.). Gjithashtu, deri vonë kanë munguar burime (kompjuterë të pajisur me karta GPU) për punën e të mësuarit të thellë (deep learning).

“Fatkeqësisht, me këto mangësi ne i përballojmë individualisht. Në rastin tim, kam aplikuar dhe kam marrë grante nga Microsoft dhe Nvidia, sepse pa bashkëpunimin me kolegët nga jashtë, hulumtimi im do të ishte shumë më pak intensiv. Kam përdorur edhe burime që ishin në dispozicion nëpërmjet angazhimeve konsultative kur nuk ka pasur konflikt të interesave edhe për hulumtime shkencor. Megjithatë, duhet theksuar se nga biseda me kolegë të tjerë që punojnë në disiplina të tjera shkencore, situata është shumë e palakmueshme. Domethënë, ata përballen me sfida shumë më të mëdha për shkak të mungesës së pajisjeve, reagensëve, madje edhe stafit njerëzor”, vë në pah profesori.

Për sa i përket mbështetjes financiare, gjatë punës në hulumtimin e tij ai u financua nga paga e tij dhe projektet e brendshme të FINKI-t. Hulumtimet e tij për të cilin e fitoi titullin e shkencëtarit më të mirë në vitin 2020 është në fushën e aplikimit të mësimit me makina (machine learning) dhe analizë e serive kohore (anglisht, time series analysis), te të dhënat të mëdha (anglisht, big data), si dhe magazinat e të dhënave (anglisht, data warehouses, data lakes) në cloud.

“Ministria e Arsimit në vazhdimësi ndan çmime edhe për punimet e botuara me impakt faktor. Megjithatë, ky financim është larg nga ajo që sigurohet në vendet e huaja. Sa për ilustrim, çmimi i tillë nga MASH mund të mbulojë në rastin më të mirë deri në 50 për qind të shpenzimeve të botimit në revista me akses të hapur (open-access journals). Në mënyrë të ngjashme, fondet e ndara nga FINKI për pjesëmarrje në konferenca shkencore janë shpesh shumë më të vogla se vetë tarifa e regjistrimit. Shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje fizike në konferenca janë shumë të larta dhe zakonisht i mbulojmë personalisht. Prandaj, pjesëmarrja në konferenca jashtë vendit, sidomos disa herë në vit, paraqet luks”, shpjegon Zdravevski.

“ARSYET KRYESORE SIPAS MEJE JANË MUNGESA E KOHËS DHE MOTIVIMI FINANCIAR”

Nëpërmjet pyetësorit, në anketë Meta.mk u parashtroi studentëve pyetje nëse në të ardhmen në Maqedoni do të merrnin pjesë, apo do të bënin hulumtime të tyre shkencore, se a besojnë që Maqedonia si shtet ofron kushte për kryerjen e hulumtimeve shkencore dhe nëse ata mendojnë se nëse do të kishin një ide, shteti do të mbështeste hulumtimin/idenë/projektin e tyre.

Rezultatet tregojnë se studentët janë të interesuar të marrin pjesë ose të realizojnë hulumtimin e tyre shkencor. 17,5 për qind e tyre iu përgjigjën pyetjes me PO, ndërsa 42.1 për qind thanë se ndoshta do të merrnin pjesë ose do të bënin hulumtimin e tyre.

Një pjesë shumë e madhe e tyre besojnë se Maqedonia ka potencial për të krijuar kushte për zgjerim të veprimtarisë së saj shkencore dhe shumica e studentëve ndoshta do të bënin hulumtime të tyre. Rreth 67,9 për qind besojnë se vendi ka potencial për të ofruar kushte për realizim të hulumtimeve shkencore.

Studentët janë të interesuar për hulumtime shkencore, mendon profesori Zdravevski, i cili thotë se konfirmim për këtë është fakti që shumë prej tyre menjëherë pas diplomimit shkojnë në studime të magjistraturës jashtë vendit.

“Motivimi i secilit është individual, ndaj disa e përdorin këtë si hap për të dalë jashtë vendit (ndonëse disa prej tyre nuk e pranojnë paraprakisht, por koha e tregon këtë). Megjithatë, mendoj se shumica e studentëve dëshirojnë të përballen me sfidat e projekteve të vërteta hulumtuese që më vonë mund të aplikohen edhe për qëllime komerciale. Mungesa e projekteve hulumtuese që do të financonin plotësisht studimet e studiuesve të rinj (master dhe doktorantë) dhe do të siguronin pagë është arsyeja kryesore për të cilën ata shkojnë jashtë vendit. Ata që janë në studime të magjistraturës në vend zakonisht punësohen si programues, kështu që detyrimet për studimet master janë dytësore. Prandaj, hulumtimin ata e realizojnë me pak interes, kohë të pamjaftueshme dhe pak motivim (kryesisht financiar), prandaj edhe rezultati është shumë më i vogël se kapaciteti i tyre i vërtetë”, thotë ai.

Megjithatë, në anketën e realizuar onlajn, rreth 58,3 për qind e të anketuarve thanë se shteti mund të vazhdojë të mbështesë eksperimentin/projektin e tyre, por se duhet më shumë kohë për zhvillim. Kjo përgjigje përkon me mendimin profesional të prof. dr. Zdravevski për faktin se tani studentët nuk janë mjaft të motivuar për të filluar çfarëdo sipërmarrje.

Zhvillimi i veprimtarisë hulumtuese-shkencore në vend varet nga brezat e rinj dhe të ardhshëm të studentëve, nga profilet master dhe nga stafi profesional i universiteteve. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është që ata të përfshihen më shumë në procesin e edukimit për të ndërmarrë sipërmarrje të reja dhe shteti të angazhohet në financimin e ideve në fushën e shkencës.

Dr. Eftim Zdravevski vë në pah se shumë autorë të publikimeve me faktor impakti që janë të indeksuar në Web of Science janë punonjës të FINKI-t. Gjithashtu rishtazi u bë e ditur se disa autorë të punësuar nga UKIM janë në listën e 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë.

Gjithashtu, inxhinierët e ardhshëm dhe stafi profesional i fakulteteve konsiderojnë se Maqedonia ka potencial për të përmirësuar kushtet e saj për zhvillimin e fushës shkencore, gjë që e bën inkurajuese idenë për zhvillimin e vendit dhe marrjen e masave të duhura.

Programi Horizon 2020 përfundoi në janar të vitit të kaluar dhe atë e trashëgoi Programi i 9-të kornizë, i njohur si Horizon Europe realizimi i të cilit do të zgjasë deri në vitin 2027. Horizon Europe ka pesë misione kryesore: përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke përfshirë transformimin social, gjetjen e ilaçit për kancerin, pastrimin dhe “shërimin” e ujit të Tokës (oqeaneve dhe deteve), reduktimin e emetimeve dhe tokë të shëndetshme. Për më tepër, synimet janë nisja e Parlamentit Evropian të Inovacionit, forcimi i partneriteteve ndërkombëtare në pjesëmarrjen në projekte dhe kontributet zhvillimore të vendeve të Evropës Lindore.

Republika e Maqedonisë së Veriut merr pjesë në projekte të financuara nga Komisioni Evropian që nga viti 2007, edhe pse nuk është shtet anëtar i BE-së. Të gjithë të interesuarit për t’u bërë pjesë e Programit të Granteve të Horizon Europe mund të aplikojnë në këtë LINK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button