Bomgartner: Vizita e Petkovit në Shkup është sinjal i mirë për BE-në

“Franca do të përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjen midis Shkupit dhe Sofjes sa më shpejt të jetë e mundur, por nuk do të jetë ndërmjetës në gjetjen e një zgjidhjeje midis dy palëve”, tha ambasadori francez në vend Cyril Bomgartner sot në një konferencë për shtyp, duke u shpjeguar gazetarëve prioritetet e presidencës franceze të BE-së, transmeton Portalb.mk.

Pavarësisht deklaratave të ambasadorit francez në Sofje, i cili nuk përjashtoi mundësinë që Franca të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen mes Bullgarisë dhe Sofjes, Bomgartner është i bindur se çështja e ndërmjetësimit nuk është në tavolinë, pasi siç tha ai, në kushtet aktuale nuk ka nevojë për ndërhyrje të palëve të treta, por të dy vendet duhet të bien dakord dhe të vendosin një dialog.

Megjithatë, konsideron se vizita e kryeministrit të sapozgjedhur të Bullgarisë Kiril Petkov në Shkup, e cila do të jetë vizita e parë zyrtare pas marrjes së detyrës, është sinjal i mirë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.

“Ajo që thashë dje në Kuvend, në Këshillin për integrime evropiane, do të përsëritet edhe sot. Në kuadër të presidencës franceze, nuk ka datë konkrete për konferencën e parë ndërqeveritare në kuadër të presidencës franceze. Sigurisht që ka vullnet nga të gjitha vendet anëtare dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të hapur sa më shpejt negociatat me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë”, tha Bomgartner.

Lidhur me kërkesat nga Shqipëria për ndarje të të dy vendeve në rrugën drejt BE-së, Bomgartner tha se qëndrimi është i qartë, dhe konkluzioni i vendeve anëtare është se në kushtet aktuale nuk rekomandohet ndarja.

“Presidenca franceze shpreh qartë se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE. Sot vendi plotëson të gjitha kërkesat teknike dhe ligjore për të qenë pjesë e Unionit. Gjithçka që do të ndihmojë në rishqyrtimin e qëndrimeve dhe hapjen e negociatave, nëse është e mundur gjatë presidencës franceze, ne do ta bëjmë të gjithë këtë”, shtoi ai.

Ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, ndërkohë, tha se vendimi për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë u soll në nivelin më të lartë dhe inkurajoi autoritetet në Shkup dhe Sofje që të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur çështje të ndërsjella. Lidhur me qëndrimin e Unionit pas deklaratave të miratuara nga dy vendet, të cilat i referohen vijave të kuqe, Gir vlerëson se ende është çështje dypalëshe.

“Është një çështje bilaterale dhe nuk do ta komentoja, por i inkurajojmë të dyja vendet që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura dhe këtë lloj inkurajimi e shohim në vizitën e paralajmëruar të kryeministrit të Bullgarisë, Kiril Petkov, i cili do të vijë në Shkup”, tha Gir.

Përndryshe, ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Cyril Bomgartner, ka shpallur sot prioritetet e Presidencës franceze të BE-së në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Ai adresoi tre qëllime kryesore: rinovimin, pushtetin dhe përkatësinë. Ai theksoi rëndësinë e forcimit të kufijve të Evropës dhe reformimit të zonës Shengen për të parandaluar një krizë refugjatësh dhe shëndetësore.

“Forcimi i kapaciteteve të sigurisë së evropianëve përmes miratimit të buxhetit të përbashkët ushtarak në Union, duke vendosur bashkëpunim konkret dhe duke përcaktuar një koncept të vetëm strategjik të mbrojtjes. Evropianët duhet të bien dakord së bashku se si t’i përgjigjen kërcënimeve. Prandaj, krerët e shteteve do të takohen në mars për të miratuar këtë koncept,” tha Bomgartner.

Fokusi i presidencës franceze do të jetë gjithashtu në rimëkëmbjen ekonomike të Evropës, sfidat klimatike dhe vendosjen e barazisë sociale që do të krijojë vende të reja pune.

Ambasadori francez në vend, Cyril Bomgartner, njoftoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të mbajë një konferencë shtypi në qershor për të diskutuar perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button