RMV, Këshilli i Inspektimit Qytetar kërkoi zbatimin e të gjitha masave nga planet lokale ekologjike të komunave

Zbatimi i të gjitha masave të përcaktuara në planet ekologjike lokale të komunave, inspektorët të jenë rregullisht në terren, ndotësit e ajrit të zbulohen në kohë reale dhe të ndëshkohen, të ndalet urbanizimi i dhunshëm dhe shkatërrimi i gjelbërimit, ndërsa institucionet më në fund të përgjigjen se cili është raporti dhe pjesëmarrja në ndotjen e ajrit nga industria, amvisëritë dhe trafiku, janë pjesë e kërkesave dhe konkluzioneve që dolën nga debati publik “Si të reduktohet ndotja e ajrit?” që u organizua nga Këshilli i Inspektimit Qytetar (KIQ), raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Tatjana Stojanovska, ekologe, aktiviste dhe këshilltare në Këshillin e Komunës Karposh, theksoi se kjo komunë e Shkupit, ndonëse ndër më të ndoturat, ka vetëm një inspektor për mjedis jetësor dhe asnjë inspektor për ndërtimtari. Pjesa më e madhe e ndotjes së ajrit është nga djegia e kabllove përgjatë bregut të Vardarit, ndërsa kontrollet janë të vonuara, e për këtë arsye autorët as nuk zbulohen as nuk dënohen.

“Në Karposh nuk ka industri ndotëse, ka vetëm ndotës të vegjël, por ka shumë deponi që duhen pastruar dhe të mbillet gjelbërim. Duhet të zbatohen programet, të zbatohet PAEL, komuna të ofrojë subvencione më të larta për skuterë dhe biçikleta, por edhe gjelbërimi duhet të inkurajohet, sidomos në tokën shtetërore, e cila shihet vetëm si potencial për ndërtim, e jo edhe për mbjellje”, thotë Stojanovska.

Komuna Qendër është shembull i ekspansionit të paparë të ndërtimeve, ku sipërfaqet e gjelbra vazhdimisht po humbasin dhe po zëvendësohen me ndërtesa, parkingje dhe asfalt. Në këto kushte, sipas Jane Dimeskit, nga iniciativa Shans për Qendrën dhe këshilltar komunal, nuk ka mundësi që ndotja e ajrit të ulet.

“Ka më shumë se 10 vite që kjo temë diskutohet, të gjitha subjektet politike e kanë përfshirë në programet e tyre zgjedhore, megjithatë çështja nuk ka lëvizur nga niveli deklarativ. Komuna ka PAEL të shkëlqyer, por dokumenti vetëm ekziston ndërkohë që asgjë nuk është zbatuar. Përkundrazi, gjatë dhjetë viteve në Qendër janë ndërtuar dhjetë garazhe shumëkatëshe dhe asnjë park”, thotë Dimeski.

Sipas Gorjan Jovanovski, krijues i aplikacionit AirCare dhe këshilltar aktual në Këshillin e Shkupit, ndërtimi i një rrjeti sensorësh nëpër të gjitha komunat do të japë pasqyrë më të detajuar të burimeve të ndotjes.

Tetova është një prej shembujve për ndotje të ajrit; qytet i cili vite me radhë është rekorder botëror në përqendrimin e grimcave PM. Ngjashëm është edhe me Manastirin, qyteti ku funksionon kapaciteti energjetik i REK-ut, ku lëndët djegëse fosile përdoren për prodhimin e energjisë elektrike. Një nga qytetet më të ndotura në vend është edhe Strumica, i vetmi qytet ku muajin e kaluar kishte vlerë mesatare treshifrore të grimcave PM. Ulja e ndotjes së ajrit, sipas Kaja Shukovës, Sekretare shtetërore në Ministrinë e Mjedisit, është proces i gjatë për të cilin nevojiten 10-20 vjet, por duhet të jetë i vazhdueshëm. Në të, shteti dhe pushteti lokal duhet të shkëmbejnë informacion dhe të punojnë së bashku.

“Është miratuar Plani Kombëtar për Mbrojtjen e Ajrit, dokument ku janë përfshirë një sërë masash si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal. Përveç kësaj, Programi për uljen e ndotjes së ajrit zbatohet tashmë tre vite me radhë dhe ka ndikuar që disa komuna të ndryshojnë mënyrën e ngrohjes në objektet publike”, tha Shukova.

Sipas Mirosllav Bogdanovskit, shef i Inspektoratit për Mjedis Jetësor në Qytetin e Shkupit, inspektorët janë të organizuar që gjatë fundjavave të jenë aktivë në terren nga 24 orë, sidomos tani kur kemi intensifikuar kontrollet në instalacionet.

“Buxheti ynë është rritur në 1.2 milionë denarë dhe kemi marrëveshje me një laborator të akredituar. Për dy muaj janë bërë mbi 20 matje të jashtëzakonshme përmes vizitave të paparalajmëruara në objekte”, tha Bogdanovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button