Pas një dekade filluan ndërtimet e shkollës në Vizbeg

U deshën vite të tëra që funksionarët shtetëror më në fund të mblidhen dhe të shënojnë fillimin e punimeve për shkollën në Vizbeg, ku sot filluan punimet për të njëjtën dhe pritet të përfundojnë në afat prej 18 muajve, shkruan Portalb.mk.

Ministrja e Arsimit në largim, Milla Carovska tha se sipas kontratës me kontraktorin, pritshmëritë janë që punimet të realizohen për një vit e gjysmë.

“Është shkollë me kapacitet prej mbi 500 nxënës, për ndërtimin e së cilës do të investohen rreth 107 milionë denarë. Besoj se për një vit e gjysmë të gjithë do t’i gëzohemi hapjes së kësaj shkolle”, tha Carovska

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi tha se punimet do të përfundojnë më herët nga se janë të parapara në projekt.

“Sipas premtimit të realizuesit të projektit, kompanisë brenda 18 muajve maksimum bile thonë në qoftë se është këtu le të më përmirëson do ta bëjnë edhe më herët”, tha Grubi.

Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kosotovski premtoi se komuna do të jetë e fokusuar që kjo shkollë të finalizohet.

“Komuna e Butelit do të përkushtohet maksimalisht për të mbështetur gjithçka që lidhet me këtë projekt në krejt infrastrukturën apo rrugë deri tek kjo shkollë”, tha Kosotovski. 

Ndryshe, banorët e Vizbegut kanë protestuar së fundmi në tetor të këtij viti, duke bllokuar trafikun në udhëkryqin në hyrje të këtij vendbanimi, pasi përpos mungesës së shkollës, nxënësve nuk u është siguruar as transport i organizuar dhe detyrohen të ecin nga 4,5 – 5 km, sa është distanca e shkollave ku ndjekin mësimin.

Rreth, 1400 nxënës, sipas banorëve, ndjekin mësimin në tre komuna – në Komunën Shuto Orizarë, Çair dhe Butel. Ata kërkojnë nga Komuna e Butelit që t’ua sigurojë transportin nxënësve deri sa të ndërtohet shkolla fillore. Kryetari i Komunës së Butelit, Kostovski thotë se është në bisedime me Ndërmarrjen publike për Qarkullim për të siguruar  transportin e nxënësve në shkollë.

Maratonë premtimesh për ndërtimin e kësaj shkolle:

Në vitin 2012, kryetari i atëhershëm i Komunës së Butelit, Petre Latinovski paralajmëroi se, në një ta ardhme të shpejtë pritet të bëhet me shkollë fillore. Ai tha atëherë se, ky objekt shkollor do të fillojë të ndërtohet pasi të përpilohet plani detal urbanistik për këtë pjesë. Ai duke prezantuar planin e ri detal urbanistik, tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

Në vitin 2014 nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, por deri më tani nuk është bërë as njëra e as tjetra.

Në vitin 2016, ish ministri i arsimit i  Pishtar Lutfiu premtoi se në 2017 do të fillojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Vizbeg.

Në shkurt të vitin 2017, u tha se në muajin mars pritet të hidhet gurthemeli për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg. Madje, atëherë nga Ministria e Arsimit thanë se, në buxhetin për vitin 2017 është paraparë ndërtimi i shkollës fillore në Vizbeg.

Në vitin 2019, ish ministri Arbër Ademi tha se pritet vetëm leja nga Komuna e Butelit për ndërtimin e objektit të shkollës së re.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button